Shef i Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili ironizoi sot demokratin përmes një video në Facebook.

Rama publikoi pasditen e kësaj të diele një video në Facebook ku shfaqet demokrati Klevis Balliu, duke paraqitur programin e PD-së në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Në videon e publikuar Rama kishte mbivendosur efekte zanore me të qeshura, duke nënçmuar deklaratën e Balliut, ndërkohë që shkruante: “Ky është program, s’ke ça thua fare”.
Për pasojë Balliu i është përgjigjur Ramës përmes një video në rrjetin e tij social Facebook, ku paraqet disa pika të programit të “Aleancës për Shqipërinë Madhështore.”
Gjatë fjalës së tij Balliu akuzon kryeministrin se “nuk ka si e kupton ekonominë e qytetarëve shqiptarë pasi ai mban në tavolinë një shishe vere që kushton 35 mijë euro”.
Sipas Balliut, shqiptarët i kanë kuptuar shumë qartë politikat ekonomike të kryeministrit dhe sipas tij qytetarët do t’ia japin përgjigjen në 11 Maj
Balliu: Po zoti narkokryeministër ne kemi një program 500 euro rroga minimale 1200 rroga mesatare, 200 euro minimumi jetik, rritje të pensioneve, gjithçka që ti nuk bëre për 12 vite. Ti nuk ke si ta kuptosh varfërimin e shqiptarëve sepse mban në tavolinë një verë 35 mijë euro një shishe verë, sepse ti zotëri ti nuk je marrë me ekonominë e shqiptarëve por vetëm me mirëqenien tënde, je marrë me vjedhjen e tyre, me afera si sterilizimit dhe inceneratorët. Rëndësi ka që shqiptarët të kanë kuptuar ty, dhe ta kanë prerë biletën. Nisjen e ke më 11 maj.










