Kreu socialist, në një intervistë në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla në “Top Channel”, tha se ka gabuar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Rama premtoi se ndryshimet e reja do të kalojnë përmes një diskutimi me ekspertë të fushës. Gjithashtu, Rama tregoi dhe kursin e ri politik të PS në vjeshtë.
Analistët thonë se PD u votua shumë. Është votuar regjimi?
E përsëris, Tirana ishte një rast më vete. Ajo që ndodhi në Tiranë ishte vënia në jetë i një operacioni industrial me mijëra mënyra, që duhet t’i hetojë seriozisht Prokuroria. Me karta në qarkullim, me një lum parash të pista. Ndërsa ajo që ka ndodhur në aspektin tjetër të territorit, ka dy aspekte, ne jo vetëm fituam 2/3 e territorit për të qeverisur, por kemi fituar në betejën mes kandidatëve më shumë vota se koalicioni i regjimit, kemi fituar shumicën. Ndërsa në votat për këshillat e bashkive dhe komunave nuk është një votë politike, sidomos në zonën rurale apo qytete e vogla, ku bëhet fjalë për votat për këshilltarë. Ne kemi arritur të fitojmë bindshëm aty ku kemi mundur të garantojmë votën, ndërkohë që në territore të tjera na mbetet shumë punë për ta garantuar votën dhe do t’ja dalim.
Pse në publik kjo fitore mban shijen e humbjes, po perifrazoj shqetësimet e bashkëpunëtorit tuaj të ngushtë, Erion Braçe, apo nuk e keni më..?
Kjo as që mund të vihet në dyshim, por njerëzit ndjehen thellësisht të tronditur dhe të trishtuar, sepse në rast se pushteti do të kishte fituar Bashkinë e Tiranë me votë, nuk do të ishte kjo tronditje kaq e thellë në opinionin publik. Ajo që ka ndodhur, ka të bëjë me sinjalin e qartë se të gjithë qytetarët kanë marrë nga ajo që kanë parë, se në çfarë vendi jetojnë dhe kush është shteti që duhet t’u shërbejë atyre. Çdo qytetar sot ka të drejtë t’i ngrejë vetes pyetjen se si mund të jetoj unë i garantuar, kur i grabitet kryetarit të opozitës vota dhe i vuloset në gjykatë.
Zëra kritikë, si ai i zotit Malaj, thonë se ju e keni mbyllur partinë, nuk thërrisni Sekretariatin dhe nuk përfshini në grupet e punës sekretarë të PS. Të tjerë thonë se ju i lini në detyrë, por i lini pa punë?
Këto janë çështje partie. Unë nuk mendoj se janë çështje me interes publik.
Do t’ia dëgjoni zërin zotit Malaj?
Kjo e dëgjimit të zërit është një formulë e pushtetit të vjedhur, ne në PS dëgjojmë jo vetëm zërin, por dhe mendimin e çdokujt, ku të gjithë mund të japin mendim të lirë.
Kastriot Islami ka kërkuar që të mos i përgjigjeni pyetjes sime nëse do ta përjashtoni nga partia apo jo atë?
Pyetja a do ta përjashtojmë ne Kastriot Islamin nga partia nuk përbën sens. Pyetja më domethënëse do të ishte a do ta ripranonim në parti Kastriot Islamin, sepse praktikisht ai ka kohë që ka ikur me dëshirën e tij dhe është vendosur në një pozicion që është jashtë kampit opozitar. Ndërkohë që, sa i përket aspektit formal, PS ka forumet e saj që marrin vendimet e tyre në kohën e duhur, kur të gjithë së bashku e gjykojmë të arsyeshme, pra nuk bëhet fjalë për përjashtim.
Ka një pjesë radikale që ju sheh konfuzë në mungesën e një vendimmarrjeje brenda PS?
Ka në PS të tjerë që kanë një mendim ndryshe nga një pozicion tjetër dhe që shqetësohen apo ngrenë zërin për një nevojë disiplinimi në pjesëmarrjen e debatit publik apo parlamentar. Ajo që unë mendoj është se ne jemi një parti me një traditë të vyer dhe me një eksperiencë që shkon duke u pasuruar dhe duhet të kuptojmë se nuk bëhet fjalë për trajtim specifik të çdo mendimi apo kundërshtie individuale, por bëhet fjalë për një shpenzim sa më optimal në kushtet kur jemi, të detyruar të udhëheqim popullin shqiptar drejt alternativës europiane. Ne duhet të bëjmë të gjithë bashkë një reflektim për të racionalizuar të gjitha forcat, të gjitha kapacitetet, të gjitha energjitë dhe për të bërë që lirinë, që asnjëherë nuk është vënë në dyshim në PS, ta përdorim me sa më shuam efektshmëri. Më shumë se me lirinë, PS ka pasur probleme me shpërdorimin e lirisë.
Mendoni se ka një aksion për t’jua marrë shumë shpejt në vjeshtë karrigen e PS?
Karrigen? Lidershipi nuk është karrige. Nuk kam asnjë sekondë për t’u shqetësuar për një hipotezë të tillë, se jam i gjithi i fokusuar me mish e shpirt për të vënë përpara kursin tonë politik, që do të na çojë në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme dhe do të bëjë të mundur rrëzimin me votë të këtij fashizmi të egër.
Bashkinë do t’ia dorëzoni Lul Bashës?
Unë nuk di të ekzistojë ndonjë njeri i arsyeshëm që të mund të pohojë se gjeja e vjedhur mund të dorëzohet me procesverbal. Për ne dhe për të gjithë shqiptarët rezultati është i grabitur në tavolinë dhe i vulosur nën tavolinë. Nuk është rezultati i zgjedhjeve të Tiranës, por është rezultati i vjedhjes së zgjedhjeve të Tiranës. Për ne, ky rezultat ka vlerën juridike si çdo fashizëm oriental që çon kanakarin e Saliut në bashki, por për sa na takon neve, as na shkon në mend ta pranojmë.
Cila do të jetë strategjia e re e opozitës?
Ne e kemi piketuar këtë strategji, sigurisht ka një punë intensive për të bërë dhe jemi organizuar me dy grupe pune. Ky piketim është i qartë, sytë tanë janë nga Europa dhe ky model është modeli ynë. Në këtë aspekt, ne do të ndërtojmë një strategji që do të ketë disa plane, që do të synojë maksimizimin e të gjitha energjive dhe forcave opozitare të vendit në të gjitha frontet. Thënë më shkoqur, sot e shohim të gjithë qartë, se aspirata europiane e shqiptarëve është tërësisht e tradhtuar.
Modeli i Saliut po afron çdo ditë e më shumë ngrehinën e tij, modeli i Saliut është i dënuar, sepse nuk pranohet nga BE, gjë që duket de facto nga refuzimi i dytë i statusit, për shkak të asaj që të gjithë panë me votat, është izolim de facto i Shqipërisë nga perspektiva europiane.
Të gjithë pyesin se çfarë do të bëni ju për këtë, do të bëni protesta, do të hyni në Parlament..
Ky është detaj, në shtator do të hyjmë në Parlament, do të nisim protestat, të gjitha mjetet demokratike me radhë. Më e rëndësishmja është ndërtimi dhe komunikimi i një kursi të ri politik. Ne i fituam zgjedhjet e 8 majit si rezistencë opozitare, por do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme si alternativë qeverisëse, si një model europian i shtetit.
Zoti Rama, ka kërkesa të përsëritura të ndërkombëtarëve për nisjen e dialogut. Do të bëni çunin e mirë, do t’i dëgjoni kësaj radhe?
Çun i mirë nuk është ai që ul kokën, çun i mirë është ai që të thotë të drejtën në sy dhe që bën atë që thotë.
Do t’i votoni ligjet me 84 vota?
Në kursin tonë të ri kemi në konsideratë si prioritet domosdoshmërinë për të kthyer Shqipërinë në binaret e Europës. Ka 12 prioritete që, për shkak se mbeten të pa adresuara, po e çojnë Shqipërinë drejt refuzimit të dytë për statusin e vendit kandidat dhe kjo është me pasoja katastrofave për Shqipërinë. Këto do të jenë pikat tona të referimit dhe për të gjitha ato vlera dhe parime të euroatlantizmit që lidhen me demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Si i keni raportet me ndërkombëtarët, disa prej tyre thonë në biseda informale se nuk jeni ndryshe nga Sali Berisha në politikbërje. Madje ato kanë bërë thirrje për njohjen e vendimeve të Kolegjit dhe interesat kombëtare të jenë mbi ato partiake?
Gjuha e përdorur nga diplomacia ndërkombëtare s’është gjuha që përdorim ne për të komunikuar të vërtetat tona. Për të hapur çfarëdo hullie për një dialog të mundshëm, duhet të pranohet publikisht se ajo që ndodhi me zgjedhjet e Tiranës, është e papranueshme dhe nuk ka ndodhur gjëkundi.
Po nëse kjo nuk ndodh, pra nëse ndërkombëtarët nuk kanë asnjë reagim tjetër përveç apelit për bashkëpunim?
Këtë do ta shohim. Kjo është e para. S’mund të ketë asnjë dialog me Saliun, nëse nuk ka një angazhim të komunitetit ndërkombëtar për të gjitha ato ndryshime që sot kanë dalë si jetike për të shpëtuar aspiratën e demokracisë së Shqipërisë. Ashtu sikundër ka një angazhim publik të sekretarit të Përgjithshëm të KiE, që flet si zëdhënës i gjithë këtij komuniteti ndërkombëtar për t’iu adresuar Venecias, do të thotë se ka një hapje të mirë, por që ka nevojë për zgjerim. Kërkohen garanci kushtetuese ligjore dhe institucionale. Folëm për Parlamentin, por ndërkohë në Parlament vidhet hapur vota me konsensusin e plotë të deputetit që mungonte, siç e pamë të gjithë një javë më parë.
A jeni penduar për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës?
Të pendohesh do të thotë të kesh bërë një mëkat, të reflektosh do të thotë se ke bërë një gabim. Nuk është përgjigje e lehtë, por mendoj se sa më shumë reflektojmë pasojat që ka sjellë gjithë procesi i pasvjedhjes së zgjedhjeve të 2009, aq më shumë mund të pranoj përfundimin se në ndryshimet kushtetuese jo gjithçka është bërë ashtu siç do duhej bërë, duke konsideruar se sa larg është pala tjetër, për shkak të Saliut në radhë të parë, nga çdo parim dhe nga çdo vlerë etike dhe kësisoj sa larg jemi dhe ne të gjithë si shtet, si vend nga aftësia për t’u vetëkontrolluar në raport me balancat mes pushteteve.
Çfarë mendoni se është bërë gabim me ndryshimet kushtetuese?
Kjo është një çështje që i përket një analize të hapur dhe serioze që kemi planifikuar të bëjmë, jo thjesht me njëri-tjetrin, por me një grup të konsiderueshëm kostitucionalistësh dhe ekspertësh, që do t’i dëgjojë me shumë vëmendje dhe me shumë gatishmëri për të pranuar edhe gabimin që në rastin konkret mund të konstatohet si i tillë. Por, e thënë, mbetet për t’u parë ajo që vjen pas, sepse ne na duhet të shkojmë përpara, jo në një tjetër fazë të stërzgjatur me thirrjet e radhës “për dialog konstruktiv për interesin kombëtar”, sepse këto nuk kanë më asnjë impakt apo vlerë, por me një program konkret që do afrojnë Shqipërinë me BE-në, një shtet funksional dhe demokraci funksionale dhe institucione që funksionojnë.
Ambasadori amerikan ka shprehur interesin se një dialog mund të nisë me një President konsensual. A do të keni ju një ofertë në këtë drejtim? Do të merrni në konsideratë që President i Republikës do të jetë Fatos Nano, Jozefina Topalli..?
Fatos Nanon mund ta marrë në konsideratë si kandidat Saliu të tijin, sepse jua thashë se kampet janë të ndara, opozitë dhe regjim, nuk ka këtu asnjë tjetër përtej këtyre dy pozicionimeve.
Në Shqipëri nuk ka vend për neutralitete.
Emri i Bamir Topit për President të Republikës?
Bamir Topi është President i vendit.
Për një mandat të dytë?
Sot nuk jemi në ditën për të diskuar se kush mund të jetë Presidenti sipas nesh. Sot, ne duhet të diskutojmë që të bëjmë gjithçka na takon që Saliu të mos zaptojë edhe atë ishull që ka mbetur jashtë kontrollit të plotë të regjimit të tij, të këtij fashizmi oriental, duke marrë në dorë edhe Shërbimin Informativ, edhe Prokurorinë e duke u bërë edhe de jure kontrollori i gjithë Sistemit Gjyqësor. Përfytyroni Arben Ristanin kryeprokuror dhe Sashenka Ndrecën drejtore të SHISH..
SOKOL BALLA
© Panorama.al











