Rama: Duhet të largojmë Saliun

Apr 6, 2011 | 12:09

“Zgjedhjet e 8 majit janë më shumë se rizgjedhja e  kryetarit të Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, i cili do të bëjë edhe më shumë në katër vitet e ardhshme për këtë qytet të mrekullueshëm”.Kështu u shpreh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin elektoral të çeljes së fushatës në Korçë, të zhvilluar në Pallatin e Sportit, ku u prezantuan edhe kandidatët e kësaj partie për kryetarë komunash dhe bashkish në shkallë rrethi. Rama shtoi se “të gjithë e dimë se çështja e këtyre zgjedhjeve është përtej interesit të komuniteteve vendore”, ndërsa tha se “ne jemi në këtë betejë për të ndalur rënien e frikshme që po rraskapit familjet e zakonshme shqiptare”. “Kjo rënie e tmerrshme ekonomike do të rrëzohet me votën e 8 majit”, tha kreu i PS-së. Nisur nga prania e mbështetësve të PS-së në këtë takim elektoral, kreu socialist u shpreh se ndihet krenar për opozitën. “Ky takim tregon se Korça dhe gjithë Shqipëria ka një forcë dhe energji për të çuar përpara një Shqipëri në të vetmen rrugë të qytetarisë, në rrugën e një të ardhmeje për çdo shqiptar që do të jetë i lirë në vendin e tij, pavarësisht bindjeve politike apo ngjyrës së pushtetit, për demokracinë dhe shpresën e çdo qytetari”, vijoi më tej fjalën Rama. Lidhur me bllokimin e projektit të Bashkisë për rikonstruksionin e qendrës kryesore të Korçës, Rama tha se shpreh revoltën ndaj atyre që erdhën në Korçë natën si kusarë, prishën bulevardin e ri dhe vodhën pemët e ikën duke lënë pas shkatërrimin që Korça të mos kishte kënaqësinë e përfundimit të projektit të këtij bulevardi. “Partia Demokratike e ka humbur Korçën për shkak të Saliut. Është rruga e PS-së që do ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ku e ka zhytur Saliu. Sot bulevardi që po ndërton Niko Peleshi është i bllokuar dhe rivali, kukulla e Saliut në Korçë, në vend të tij ofron vetëm kafe”, tha Rama. Ai shtoi se “refuzimi i transparencës për zgjedhjet ka folur po aq qartë sa vjedhja e votave, dhe vjedhja e votave dhe transparenca janë dy anë të së njëjtës medalje. “Këto janë zgjedhje të rrezikuara, por ne do të tregojmë se nuk do të pranojmë të varemi nga kusarët e votave. Askush nuk duhet të guxojë t’i vjedhë më votat e qytetarëve. Kjo qeveri nuk jep më asgjë. Këtë qeverisje po e heq zvarrë pamoralësia e një kryeministri”, u shpreh Rama. Sipas tij, “problemi i kandidatëve të Saliut është se janë të gjithë si Saliu dhe më keq se Saliu”. “Sot Shqipëria ka domosdoshmëri të largojë Saliun, Shqipëria duhet të tejkalojë Saliun dhe salillëkun me programin tonë të zhvillimit. Ne do ta nxjerrin vendin nga kriza duke u hapur luftë kusarëve”, – tha kreu i PS-së në takimin elektoral në Korçë.

“Votoni për vete, jo për mua; ku ka Sali, nuk ka lekë”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, takoi dje banorët e Njësisë Bashkiake Nr.3 dhe ka dëgjuar hallet e shqetësimet e tyre të përditshme, ndërsa i ka siguruar ata se vota për PS-në është vota për veten e tyre. PS është e vetmja alternativë, sipas Ramës, që do të mundë varfërinë dhe hallet e këtyre banorëve. “Nuk është puna të fitoj unë, puna është të fitojnë njerëzit që janë në hall dhe që kanë 110 probleme dhe nuk dalin dot nga varfëria e nga papunësia. Votën nuk do të ma jepni mua, do t’ia jepni vetes suaj. Vota për veten tuaj është vota për Partinë Socialiste, sepse është e vetmja rrugë për ju. S’ka rrugë tjetër për ju. Rruga tjetër është rruga e vrasjeve, e grabitjeve, e rrenave. Ku ka Sali, s’ka lekë. Lekët i merr të gjitha Saliu”, u shpreh Rama. Gjatë bisedave spontane në rrugë me qytetarët, Rama u tha qytetarëve se do të vijë dita kur ata do t’i kërkojnë llogari qeverisë dhe ajo ditë është 8 maji, dita ku, siç tha ai, qytetarët do të kërkojnë llogari me votë. “Më 8 maj duhet t’i kërkoni llogari me votë për ujin, për dritat, për pensionet, për ilaçet, për vrasjet, për vjedhjet, për rrenat. Programi ynë është i detajuar, transformimet vazhdojnë kudo”, u shpreh Rama. Duke ironizuar Lëvizjen Socialiste për Integrim, Rama përdori dhe fjalë të urta. “Na ka gjetur halli, se Iliri s’është as pozita, as opozita, është depozita”, ndërsa u tha qytetarëve se duhet mbyllur kjo depozitë, sepse vetë qytetarët e kanë në dorë.

PS, kallëzim penal lëvizjes “Zgjohu”

Partia Socialiste depozitoi dje një kallëzim penal ndaj lëvizjes “Zgjohu”, e cila kohët e fundit ka publikuar spote televizive kundër opozitës. Kallëzimi penal u depozitua në Prokurorinë e Tiranës nga deputeti socialist Taulant Balla, që deklaroi se kallëzimi bëhet për shumat e dyshimta që lëvizja “Zgjohu” ka përdorur për spotet televizive. Ndër të tjera Balla u shpreh se në reklamat e kësaj lëvizjeje përdoret një gjuhë urrejtjeje. “Jemi shumë të shqetësuar për atë që po ndodh prej muajsh me një organizatë të ashtuquajtur të shoqërisë civile, e cila ka shpenzuar dhe po shpenzon shuma të pallogaritshme parash në një fushatë publicitare me mashtrime e gjuhë urrejtjeje kundër opozitës, kundër PS-së, ndërsa vetë drejtuesit e kësaj organizate nuk dinë dhe nuk japin shpjegime se nga burojnë këto shuma të pallogaritshme parash. Vetëm në muajin shkurt kjo organizatë ka shpenzuar në këtë fushatë të paligjshme publicitare kundër opozitës 500 milionë lekë”, tha Balla.

Malaj dhe Harasani në SHBA

Deputetët, njëkohësisht anëtarë të Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj dhe Andis Harasani, u takuan dje me presidentin e Institutit Ndërkombëtar Republikan në SHBA, Lorne W. Cranern, i cili është edhe anëtar i bordit të Millenium Chalenge Coorporation, që mbështet luftën kundër korrupsionit dhe barrierave të tjera në ekonominë e vendit tonë. Në takim u diskutua për situatën politike në Shqipëri dhe rajon, si dhe sfidat e së ardhmes në promovimin e vlerave më të mira të demokracisë. Vizita e Malajt dhe Harasanit do të vazhdojë sot me një takim në Shtëpinë e Bardhë, të enjten me një takim në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një takim në Institutin Ndërkombëtar Demokrat.

 

Korçë/Gëzim Ashimi

© Panorama.al

Te lidhura