Kreu i PS-së, Edi Rama, përsëriti ftesën e tij ndaj Kryeministrit për debat publik për paktin e integrimit. Duke folur para deputetëve socialistë në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Rama i kërkoi kundërshtarit të tij politik të shprehet qartë “nëse ai e do integrimin e vendit apo jo”. “Ne këmbëngulim që të kemi publikisht një qëndrim zyrtar të qeverisë. Qeveria duhet të shprehë nëse e do apo jo paktin e opozitës. E do apo nuk e do, kjo qeveri paktin me opozitën për përshpejtimin e integrimit europian. Do apo s`do kjo shumicë parlamentare për të rimëkëmbur shtetin, duke garantuar një proces politik europian. Të na thonë qartë që çfarë duan të rishohin në këtë pakt. Të na thonë nëse duan të shtojmë diçka në këtë pakt”, ka theksuar me tej Rama. Sipas tij, publiku kërkon të dëgjojë qëndrimet e liderëve politikë për çështjet që e shqetësojnë përditë. “Dua t’ia kërkoj sot Saliut, me zë dhe me figurë, të vijë në një debat publik. Qytetarët meritojnë të dinë si do dalin nga ky udhëkryq, ku as Europa nuk na nxjerr dot, as shqiptarët nuk duan të rrinë. E ftoj në debat për atë çfarë kemi për t’i thënë njëri-tjetrit sy më sy. Debat të hapur se çfarë synojmë ne opozita pikë për pikë me këtë ofertë, me një pakt për Shqipërinë si gjithë Europa dhe si mund ta bëjë Saliu Shqipërinë si Europa pa këtë pakt me opozitën, nëse nuk e pranon”, theksoi Rama. Gjatë fjalës së tij para Grupit Parlamentar, Rama theksoi se socialistët dhe opozita në tërësi janë të gatshëm të studiojnë edhe një kundërofertë të Partisë Demokratike. “Integrimi nuk është si vallja e shpatave, që mund të hidhet edhe tek-pull, duke bërtitur, por është një simfoni ku Parlamenti duhet të funksionojë si orkestër. Me daulle mëngjes, drekë, darkë të qeverisë për arritjet historike nën udhëheqjen legjendare të Saliut dhe me fyerjet e shumicës parlamentare, as trokitet në derën e Bashkimit Europian dhe as mund të pritet që ajo derë të hapet menjëherë”, theksoi Rama. Duke komentuar situatën politike në vend, Rama tha se në vend të një përgjigjeje nga maxhoranca, Kryeministri zapton foltoren e Kuvendit, duke mos shprehur asnjë respekt për opozitën dhe votuesit e saj. “Berisha nuk iu përgjigj pyetjeve tona, por zaptoi foltoren dhe mbajti një fjalim me përralla e marrëzira, me synimin e vetëm: të ofendojë opozitën. Ndërkohë, ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga pala tjetër për ofertën tonë me 10 pika për paktin kombëtar. U kemi shtrirë dorën për të shmangur një shuplakë tjetër nga Europa dhe kemi marrë si përgjigje shpifje banale e personale, asgjë për paktin”, tha kryetari i PS. Në pamundësi të një përgjigjeje pozitive nga maxhoranca dhe Kryeministri i saj, kreu i PS lajmëroi se do të organizojë disa tryeza për t’u sqaruar shqiptarëve 10 pikat e paktit të propozuar prej tij. “Ndërkohë, ne do të organizojmë disa tryeza publike, ku do të shpalosim vizionin tonë për Paktin për Shqipërinë si gjithë Europa, e do hapim me transparencë e përgjegjësi kombëtare dialogun e domosdoshëm për problematikën e këtij pakti, me të gjithë aktorët dhe faktorët, drejtpërdrejt të lidhur ose të interesuar për këtë proces. Ta fillojmë me një tryezë publike, e cila të japë një vizion më të gjerë sesa paragrafët e 10 pikave të paktit. Të ndajmë me njerëzit sipas fushave dhe interesave vizionin tonë mbi çështjet dhe të dëgjojmë e të shënojmë çdo sugjerim bindës të tyre lidhur me çdo çështje në fjalë”, u shpreh Rama.
“Mbështes një takim privat Berisha-Rama”
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui, mbështeti dje propozimin e ambasadorit amerikan Arvizu për një takim privat Rama-Berisha. “Unë bie shpesh dakord me ambasadorin amerikan, zotin Arvizu. Ambasadori Arvizu është një burrë shumë i mençur dhe mendoj se propozimi i tij është i mirë. Unë bie dakord me të. Dialogu politik është mjaft i rëndësishëm, sepse përmes tij duhet të plotësohen 12 prioritetet e BE-së. Në mënyrë që të ecet përpara në integrimin europian, është e rëndësishme të nisë dialogu politik. Formën se si do të zhvillohet ky dialog, unë nuk e di. Për mua është e rëndësishme që ky dialog të nisë, për mua nuk ka shumë rëndësi forma e tryezës apo numri i karrigeve në të. Unë jam i interesuar që ky dialog të marrë rrugë dhe të fillojë. Dialogu konstruktiv duhet inkurajuar dhe duhet theksuar se vendi i dialogut është Parlamenti”, u shpreh ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui.
PD: Nuk është koha për debat, do ndikonte në Kongresin e PS-së
Partia Demokratike iu përgjigj dje ftesës së kreut socialist Edi Rama për një debat publik me Kryeministrin. Zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, u shpreh se tani nuk është koha për debate. “Gjatë fundjavës, zoti Rama e ftoi kryetarin e PD, zotin Berisha, në një debat publik. Zoti Berisha ka qenë i gatshëm për të debatuar me të në të shkuarën. Ai e ftoi zotin Rama për të debatuar për zgjedhjet e vitit 2009 dhe është i gatshëm për të debatuar me liderin e opozitës përpara zgjedhjeve të vitit 2013, por zoti Berisha beson se tani nuk është kohë për debate, veçanërisht për shkak se nuk do të ishte e përshtatshme për Partinë Demokratike të ndikonte në Kongresin e ardhshëm të Partisë së zotit Rama. Duke gjykuar nga gjuha e letrës së hapur të zotit Rama, ai mund të dojë që të bëjë luftë politike dhe të debatojë për të shkuarën, por tani nuk është koha që ne të fokusohemi mbi mosmarrëveshjet tona. Partia Demokratike beson se tani është koha për t’u fokusuar në ato çështje, ku ne mund të biem dakord dhe t’i realizojmë ato në të mirën e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Mustafaraj. Zëdhënësja e selisë blu i kërkoi në emër të PD deputetëve socialistë, të bashkëpunojnë në Parlament. “PD beson se qytetarët meritojnë integrimin në BE dhe jo bllokimin nga z. Rama të votimit në Parlament të ligjeve me 3/5 për qëllime personale dhe në dëm të çdo qytetari të këtij vendi”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike.
“WikiLeaks”, Rama: Jo për të hetuar ambasadorin
Kreu socialist tha dje se kërkesa e tij për të hetuar çdo njeri me imunitet, nisur nga informacionet që vijnë nga WikiLeaks, nuk ka lidhje me hetimin e diplomatëve amerikanë. “Madje, duke yshtur altoparlantët e vet në ekranet dhe gazetat që ushqehen në oborrin e pushtetit, që të shkojnë deri në çmendurinë që ta quajnë përfshirjen e kabllogrameve në këtë pakt, si një kërcënim të opozitës për Amerikën, apo të thonë se ne dashkemi të hetohen ambasadorët e vendit më të madh mik. Të jemi shumë të qartë! Kërkesa jonë s’ka lidhje gjëkundi me Amerikën apo me miqtë e çmuar amerikanë që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në Shqipëri në mbështetje të popullit shqiptar. Pikë!”, u shpreh Rama.
Kreu i PS përgëzon Braçen e Tahirin, harron Mimi Koledhin
Kryesocialisti gjatë mbledhjes së djeshme me deputetët socialistë, edhe publikisht por dhe pa praninë e mediave, ka përgëzuar punën e mirë të bërë nga Grupi Parlamentar e veçanërisht nga dy deputetë lidhur me interpelancat.
“Dua si fillim të përgëzoj Erjon Braçen për interpelancën e së enjtes së shkuar, ku bëri me fakte e prova konkrete një ekspoze ngjethëse të projektit të grabitjes dhe të shkatërrimit të pasurisë kombëtare”, u shpreh Rama. Pa praninë e mediave, Rama përgëzoi dhe Sajmir Tahirin për interpelancën me ministrin e Energjetikës dhe Ekonomisë, Nasip Naço, për problemin e minierave të Bulqizës, gjë që çoi dhe në padi penale të Genc Rulit ndaj Tahirit. Por, Rama harroi të përfshinte në këtë falënderim nënkryetaren e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, për interpelancën me ministrin e Ekonomisë, Ridvan Bode, për TVSH e ushqimeve bazë e po ashtu dhe deputetin e Vlorës, Eltar Dede me ministrin e Shëndetësisë, Vasili, për korrupsionin me ilaçet.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











