Rama, drekë me aleatët, mungojnë Dule dhe Milo

Oct 5, 2011 | 11:49

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi në një takim informal disa nga krerët e partive opozitare në një drekë pune.  Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi në një takim informal disa nga krerët e partive opozitare në një drekë pune.
Në drekën që u zhvillua në restorant “Austria”, ngjitur me selinë rozë, ishin të pranishëm: kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, kreu Partisë Ligj e Drejtësi, Spartak Ngjela, koordinatori i Opozitës, Preç Zogaj. Ra në sy mungesa e kreut të Demokracisë Sociale, Paskal Milo dhe e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, u shpreh se nuk ka marrë asnjë njoftim për këtë takim, ndërsa Dule nuk ka preferuar të komentojë mungesën e tij. Koordinatori i Opozitës së Bashkuar, Preç Zogaj, e justifikoi edhe kësaj radhe mungesën e Vangjel Dules dhe Paskal Milos si jo politike. “Kjo është bërë një praktikë, takimi çdo ditë të martë nuk është një gjë e re. Takimi u fokusua te grupi i punës së opozitës që u krijua para një jave për reformën zgjedhore, që është një proces jetik për procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. Nuk ka mungesa politike, kjo ishte një drekë pune. Ne e respektojmë shtypin, ju falënderojmë që jeni të vëmendshëm dhe të përkushtuar, por këto janë edhe takime miqësore, jo vetëm politike”, tha Zogaj në fund të drekës së organizuar nga Edi Rama.

Gjinushi për reformën
Preç Zogaj tha dje se kreu socialdemokrat, Gjinushi, po merret me propozimet e partive opozitare për reformën zgjedhore. “Jeni informuar në takimin e kaluar që tryeza e opozitës krijoi një grup pune që do të mbledhë dhe do të përpunojë të gjitha mendimet e partive opozitare për reformën zgjedhore. U ngarkua z. Gjinushi. Dreka i trajtoi këto probleme, por jo me sensin zyrtar”, u shpreh Zogaj.

© Panorama.al

Te lidhura