Kryetari i PS konsultohet me drejtuesin e PBDNJ-së për kreun e ri të shtetit: Kryeministri po bën shurdhin.
Dule: Nano është kandidaturë konsensuale, mocion ndaj Qeverisë.
Kreu socialist, Edi Rama, takoi dje aleatin e tij, Vangjel Dule, në vijim të konsultimeve me krerët e partive parlamentare për Presidentin e ri të Republikës. Në takimin e zhvilluar në hotel “Sheraton” në sallën VIP, i cili zgjati rreth një orë, Rama shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi. Në përfundim të këtij takimi, Rama përsëriti faktin që Kryeministri Berisha po kërkon të zgjedhë një President për veten e tij, ndryshe nga PS, që kërkon një President për vendin. “Jemi të shqetësuar, natyrisht. Koha ikën dhe ndërkohë kemi detyrimin e madh që t’u japim zgjidhje dy momenteve jashtëzakonisht të rëndësishme për fatin e Shqipërisë europiane në këtë vit të 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare. Jemi në kushtet kur Kryeministri bën shurdhin. Do një President për veten. Ndërkohë që ne duam një President për Republikën e Shqipërisë”, tha Rama pas takimit. Duke qëndruar në një linjë me kërkesën e faktorit ndërkombëtar, Rama tha se vendit i duhen reformat dhe një President që të shprehë unitetin kombëtar. “Na duhet një reformë zgjedhore e dakordësuar dhe e miratuar përpara 24 majit në unison me të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, që po bën çmos të na ndihmojë, por që kërkon të ndihmojmë veten. Ashtu sikundër na duhet një President që të jetë mishërim i unitetit të kombit në këtë periudhë historike kur shqiptarët si komb kanë nevojë të shkojnë së bashku përpara dhe njëkohësisht të jenë kontributorë të mëdhenj të gjithçkaje i duhet vetë rajonit”, u shpreh Rama. Ndërsa Vangjel Dule, në përfundim të takimit, tha se mbështet kandidaturën e Fatos Nanos si një kandidaturë që i plotëson kushtet e të qenit konsensual. “Ne jemi shprehur dhe vijojmë t’i qëndrojmë opinionit se Nano është një kandidaturë, i cili i plotëson kriteret për një proces konsensual dhe gjithëpërfshirës, sipas të cilit Presidenti të jetë mbrojtës i Kushtetutës dhe garantues i funksionimit të shtetit dhe përfaqësimin e shtetit në arenën ndërkombëtare. Ne besojmë se dhe në frymën e konsensusit, Nano do të ishte kandidaturë e mirë”, deklaroi Dule. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për një mocion të mundshëm ndaj qeverisë, Dule tha se partia e tij nuk bëhet pjesë e skenarëve të partive të treta në vend, por deklaroi se është pro mocioneve të mosbesimit si një tregues demokracie. “Përse në vendin tonë nuk është ushtruar mocioni i mosbesimit? Ai është fenomen i shpeshtë në të gjitha demokracitë dhe ne do t’i bashkëngjiteshim”, theksoi Dule. Kryetari socialist ka nisur takimet e tij konsultative me Ilir Metën për të vijuar më pas me Shpëtim Idrizin e PDIU-së. Rama është shprehur se do të vijojë takimet me të gjithë kryetarët e partive parlamentare për të ndërtuar një proces dialogu për presidentin e ri të republikës.
PD: Nuk pranojmë ultimatumet e Ramës
Zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi
Partia Demokratike denoncoi dje kreun e PS-së, Edi Rama, se po vendos ultimatum për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Nëpërmjet një deklarate për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi, bëri me dije se maxhoranca nuk do të pranojë kërcënimet për bojkot të Parlamentit nga kreu i opozitës. “Zoti Rama, në një seri deklaratash ultimative, shprehet se do të bojkotojë Parlamentin për të bllokuar sërish, siç bëri dy vjet me radhë, procesin e integrimit, pasi ai nuk pranon kandidaturë për President nga Partia Demokratike, nuk pranon rekomandimet e ODHIR-it për procesin e votimit dhe kërkon që kryetarin e KQZ-së ta përzgjedhë me Ombudsmenin e tij. PD nuk pranon asnjë ultimatum, dhe aq më tepër deklaratat e zotit Rama se ai nuk do të pranojë kandidat për President nga Partia Demokratike, sepse në logjikë dhe mendësinë e bllokmenëve të rinj, demokratët janë armiqtë të sojit të tyre”, thuhet në reagimin e PD. Partia Demokratike, duke nënvizuar se vlerëson angazhimin e opozitës në reformën zgjedhore dhe votimin në Parlament të kodeve dhe ligjeve që prej dy vitesh mbaheshin peng politik në Parlament për të bllokuar statusin, deklaron se “mbetet e vendosur dhe e hapur të bashkëpunojë në Parlament me opozitën për zbatimin e rekomandimeve të ODHIR-it për zgjedhjet, si dhe është e gatshme të nisë në afatin kushtetues negociatat për zgjedhjen e kreut të shtetit, në respekt të plotë të frymës dhe germës së ligjit themelor të vendit”.
Rama, darkë me çiftin Arvizu
Kryesocialisti në kulmin e debatit politik për zgjedhjen e presidentit, darkoi mbrëmë me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Në orën 19:30 çifti Rama dhe çifti Arvizu u takuan në një nga restorantet e njohura të Tiranës, pranë stadiumit “Dinamo”. Duke u konsideruar një darkë private në shoqërinë e bashkëshorteve, nuk ka pasur asnjë koment rreth saj, por takimi mes një politikani dhe një diplomati të rëndësishëm në Shqipëri nuk mundet të anashkalojë situatën politike në vend. Ambasadori Arvizu ka qenë mjaft aktiv javët e fundit përmes takimeve me politikanët. Pas takimit me Fatos Nanon, të cilin e cilësoi si kandidatin e duhur për president, Arvizu u takua me Ramën ku u shpreh se presidenti duhet të zgjidhet me konsensus që në raundin e parë.
Negociatat zyrtare pas Samitit të NATO
Negociatat për Presidentin e ri të Republikës do të nisin pas kthimit të Kryeministrit Berisha nga Çikagoja, ku do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s. Zyrtarisht data 24 maj është dita kur negociatat dhe konsultat për Presidentin e ri të Republikës duhet të fillojnë. Kryeministri Berisha është shprehur se do të diskutojë fillimisht në Kryesinë e Partisë Demokratike, nga ku do të mandatohet për të negociuar fillimisht me aleatët e koalicionit të tij e më pas me Edi Ramën. Neritan Ceka, ish- presidenti i PAD-së, është propozuar nga partia që ka krijuar dhe drejtuar si kandidat për President. Jozefina Topalli është një tjetër propozim i bërë nga demokristianët për postin e Presidentit të Republikës. Vetë Berisha është shprehur se Presidenti i ri do të zgjidhet nga radhët e PD.