
Kreu i PS akuzon ministrin e Mbrojtjes për përgjime të paligjshme të deputetëve e diplomatëve.
“Bleu 1.6 milionë euro pajisjen që kushton 400 mijë”
Kreu socialist, Edi Rama, e akuzoi dje ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, për veprimtari kriminale. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist, Rama tha se në këtë ministri po përgjohet opozita dhe diplomatët e huaj në mënyrë të paligjshme nga Shërbimi Informativ Ushtarak. “Ministria e Mbrojtjes duhet të hapë dyert e mbyllura arbitrarisht për kontrollin parlamentar të kërkuar nga deputetët e opozitës. Duhet të vërë në dispozicion jo vetëm të deputetëve të opozitës, por dhe të gjithë publikut, dokumentacionin e blerjes së njësisë së përgjimit. Duhet të lejojë inspektimin e kësaj njësie nga ana e deputetëve të opozitës dhe duhet të japë të gjitha sqarimet e nevojshme për të arritur në përfundime të plota dhe të qarta lidhur me këtë veprimtari, e cila për momentin, me aq sa jemi të informuar, ka vetëm një emër: veprimtari kriminale”, tha Rama. Sipas tij, ka qenë vetë Imami që ka urdhëruar blerjen e pajisjeve me vlera të fryra financiare, duke shkaktuar një tjetër skandal në këtë ministri. “Është personalisht ministri i Mbrojtjes që ka urdhëruar në shkurt të vitit 2011 blerjen e një pajisjeje me vlerë 1 586 000 euro për të përgjuar kundërshtarët e qeverisë.
Kjo pajisje, në fakt, kushton vetëm 400 000 euro dhe blerja e përdorimi i saj nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë është në kundërshtim të plotë me ligjin shqiptar për përgjimet. Përtej abuzimit me vlerën si abuzim me Kushtetutën dhe me ligjin, është përsëri vepër e mirëfilltë penale”, u shpreh Rama. Por, për kryesocialistin, nuk është përgjuar vetëm opozita, por dhe diplomatët e huaj në Tiranë. “Në botën demokratike, kjo as që mund të parafytyrohet. Në Shqipëri kjo është absolutisht e ndaluar me ligj. Por, faktikisht është bërë dhe bëhet përditë, madje duke futur në përgjim edhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve aleate të Shqipërisë në NATO nëpërmjet një njësie përgjimi në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Rama. Duke folur për qëndrimin e PS-së për imunitetet e zyrtarëve të lartë, Rama i kërkoi Kryeministrit t’i hapë rrugë transparencës. “Përpara se sa të kërkojë nga opozita votën për ndryshimin e Kushtetutës mbi imunitetin, Kryeministri duhet të bëjë transparencë të plotë për cenimin e imunitetit të kundërshtarëve politikë përmes përgjimit të paligjshëm nga njësia e ngritur në Ministrinë e Mbrojtjes mbi një shkelje flagrante, që përbën një vepër antikushtetuese dhe penale”, tha Rama.
Për heqjen e imuniteteve, Rama kërkoi një proces diskutimi dhe debati të gjerë me grupet e interesit. “Qëndrimi ynë është i qartë dhe i palëkundur: jemi dakord me nevojën për kufizimin e imunitetit dhe do ta votojmë kufizimin e imunitetit pasi të jetë realizuar një proces publik, transparent, gjithëpërfshirës për ndryshimin e Kushtetutës. Nga ana tjetër, ne nuk do të bëhemi pjesë e asnjë goditjeje të përqendruar për një arnim të ngutur kushtetues dhe as do të lejojmë që kufizimi i imunitetit të bëhet shtysë për hapjen e një sezoni të ri gjuetie shtrigash në prag të zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Rama.
Rama: S’ka korrektim të sistemit, duhet koalicion i plotë antiregjim
Kreu socialist tha dje gjatë fjalës së tij në Grupin Parlamentar se aleatët tradicionalë dhe ata potencialë duhet të shohin përpara për një bashkëpunim kundër regjimit, ndërsa sistemi zgjedhor nuk mundet të korrektohet. “Mbeti e paadresuar për momentin çështja e sistemit zgjedhor. Ne kemi pasur qëndrimin tonë shumë të qartë qysh në krye të herës. Kemi qenë dhe jemi për rishikim të sistemit, por e kemi thënë dhe i kemi qëndruar deri në fund asaj që e kemi thënë qysh në fillim, se nuk do ta kushtëzojmë procesin e rishikimit të Kodit me sistemin. Tani, sigurisht, është koha për të arsyetuar së bashku me aleatët tanë dhe të gjithë aleatët e tjerë potencialë, një proces bashkëpunimi dhe bashkërendimi të energjive dhe për të dalë në fushën e betejës me një koalicion të plotë, antiregjim dhe, mbi të gjitha, me një koalicion i cili të përçojë në të gjithë Shqipërinë vizionin dhe idetë e programit tonë ‘Për një Rilindje Shqiptare’”, tha Rama para deputetëve socialistë. Rama u bëri thirrje të gjitha forcave antiqeveritare të bashkohen me PS, veçanërisht tani që sistemi zgjedhor nuk ndryshoi. “Besoj se dyert janë të hapura për të gjithë aleatët e sotëm dhe aleatët potencialë, dhe se mundësitë e bashkëpunimit janë aty, pavarësisht se sistemi zgjedhor ka mbetur i pandryshuar. Ashtu sikundër Partia Socialiste është e vetëdijshme për të gjithë kontributin e aleatëve të saj në këtë periudhë shumë të vështirë për vendin dhe në këtë proces opozitarizmi jashtëzakonisht të kushtëzuar nga presioni politik dhe deri edhe policor i pushtetit. E, për këtë arsye, jemi plotësisht të hapur t’i dëgjojmë dhe të gjejmë me të gjithë aleatët tanë rrugët e një bashkëpunimi që i vendos të gjithë në pozita sa më të favorshme për të bërë betejën e tyre”, tha Rama.
Imami, sot në Kuvend
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do të raportojë sot në orën 11:00 para Komisionit të Sigurisë për akuzuat e bëra nga opozita për përgjim të jashtëligjshëm të deputetëve të PS-së dhe diplomatëve, gjithashtu dhe për akuzat për trafik armësh. Prania e Imamit është konfirmuar zyrtarisht dhe nga Kuvendi, që ka nxjerrë njoftimin përkatës. “Seanca dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, z. Arben Imami, për çështjen ‘Plani i përhapjes së FA-së, si dhe ndryshimet strukturore që i janë bërë këtij plani’”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Berisha: “Rama po pengon marrjen e statusit”
Kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama, se me qëndrimin e tij kundërshtues ndaj heqjes së imunitetit brenda 6 gushtit synon të pengojë marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin tetor. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e kreut të qeverisë, Erla Mëhilli, tha se “Zoti Rama e bën këtë vetëm e vetëm që të bllokojë për të tretën herë marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat dhe të dënojë ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, ëndrrën europiane. Zoti Rama, pra, kërkon pazare dhe bllokime për interesa të ngushta personale politike dhe nuk pyet për interesat jetike të integrimit europian të të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi. Ai nuk dëgjon zërin e qytetarëve, por diktatin e këshillit të miliarderëve me imunitet që e rrethojnë”.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











