“Qytetar Nderi” Presidentit Topi, përçahet e djathta

Oct 11, 2011 | 11:38

Shpallja “Qytetar Nderi” i Presidentit Bamir Topi “përçan” të djathtën në Këshillin Bashkiak të Burrelit. “Zotit Bamir Topi i jepet titulli ‘Qytetar Nderi’ i Bashkisë Burrel si intelektual i shquar, mbartës i vlerave intelektuale e qytetare të trevës që e lindi, shtetar i ekuilibruar, korrekt dhe i paanshëm, si dhe për dashamirësinë e miqësinë e treguar për Matin dhe matjanët”. Me këtë motivacion, 11 këshilltarë të Këshillit Bashkiak votuan dje pro, ndërsa gjashtë të tjerë, pesë prej të cilëve të koalicionit të djathtë, nuk ishin pjesëmarrës në mbledhje. Nisma për dhënien e këtij titulli ishte e këshilltares së pavarur, Lindita Pali, e cila kaloi në koalicionin e majtë. Tetë nga 17 këshilltarët që kërkuan zhvillimin e një mbledhje jashtë radhe ishin: Lindita Pali, Vlash Marku, Myslim Zeneli, Murat Koliqi, Halit Palamani, Nezir Sinani, Suzana Hoti e Nezir Kolaveri (të gjithë të koalicionit të majtë), të cilët hartuan projekt-vendimin për shpalljen “Qytetar Nderi” të Presidentit të Republikës. Në mbledhjen e djeshme merrnin pjesë 11 nga 17 këshilltarët e kësaj Bashkie. Kreu i Këshillit Bashkiak, Lefter Ballabani, kryetar i PD-së për Burrelin, nuk ishte i pranishëm, duke deklaruar se forca politike që përfaqëson nuk është dakord me dhënien e këtij titulli. Këshilltari i PD-së, Hajdar Kurti, nënkryetar i PD-së për Matin, ka theksuar se nuk ishte kthyer ende nga Franca, ku ishte për të parë ndeshjen e Kombëtares. Këshilltarët e LSI-së, Agim Hysa e Bujar Dedja, si dhe Roland Hysenlika i PDIU-së, e bojkotuan mbledhjen, për shkak të angazhime të tjera. Në mbledhje mungoi edhe një këshilltar i PS-së, për shkak të një fatkeqësie familjare. Ndërkaq, këshilltari Hysen Kuka, themelues i degës lokale të PD-së në Mat, e konsideroi privilegj dhënien e titullit për Presidentin Bamir Topi. Këshilltarë të tjerë të së djathtës, të cilët nuk pranuan të identifikohen, theksuan se prej dy ditësh, deputetet e kësaj force politike iu kishin kërkuar të bojkotonin mbledhjen dhe të mos e jepnin votën e tyre “pro” për dhënien e këtij titulli. Këshilltari Kuka tha se “i gjithë qarku i Dibrës ta ketë për nder që Presidenti i Shqipërisë të jetë ‘Qytetar Nderi’. Ai është nderi dhe morali i këtij vendi. Është kënaqësi të votoj sot që ky intelektual me vlera të jashtëzakonshme për Shqipërinë të marrë këtë titull”.

BURREL/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura