Në mes të krizën energjetike, kur KESH nuk ka mundësi të furnizojë me energji kompaninë e shpërndarjes “CEZ” dhe importon rreth 30 milionë euro me çmime marramendëse, qeveria ka vendosur që hidrocentrali i Lanabregasit t’i kalojë Ujësjellësit të Tiranës. Në vendimin e së mërkurës, “Për transferimin e 100% të aksioneve të shoqërisë ‘Hec Lanabregas’ sh.a, Tiranë, të zotëruara nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, shoqërisë ‘Ujë-sjellës-Kanalizimeve’ sh.a, nuk është vendosur çmimi i shitjes, por është bërë fakt i kryer që ky hidrocentral do të kalojë për Ujësjellësin. Transferim do të bëhet për të gjitha aksionet, pra do të kalojë 100 për qind në dorëzim të Ujësjellësit. “Transferimi i aksioneve do të bëhet me anën e kontratës së shitblerjes, sipas dispozitave të Kodit Civil. Vlera e transferimit e 100% të aksioneve të përcaktohet me ekspertë vlerësues dhe kontabël të autorizuar, të licencuar, dhe të miratohet nga Ministria i Financave dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Pagesa e kësaj pakete të aksioneve të bëhet me lekë”. Vendimi i djeshëm, i cili hyn në fuqi menjëherë, duket si një mënyrë financimi indirekt për buxhetin e shtetit. Pak kohë më parë, qeveria vendosi të ndajë, për efekt privatizimi, nga struktura e KESH-it hidrocentralet e “Ulëz-Shkopet”, “Lanabregas”, “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2”, si dhe t’i shndërrojë në sh.a. Kalimi i privatizimit të “Lanabregasit” te Ujësjellësi i ngjan shitjes së hotel “Dajtit”, për Bankën e Shqipërisë. Tani, Ujësjellësi do të marrë një kredi në bankë dhe do paguajë buxhetin për vlerën e “Lanabregasit”. Në këtë mënyrë, shtohen të ardhurat nga privatizimi. Para këto, që me krizën energjetike, pritet të shkojnë sërish për të financuar KESH-in për importin. Në fund të këtij transaksioni, kur kriza energjetike të ketë mbaruar, thjesht në asestet e qeverisë do mungojë HEC i Lanabregasit, i cili do jetë pjesë e Ujësjellësit. Vlera e katër HEC-ve që do të privatizohen varijon nga 150-200 milionë euro. Prodhimi i tyre është afërsisht 6 për qind e prodhimit total të energjisë së KESH-it.











