Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përmes një postimi në Facebook, ka denoncuar skemën e re fiskale të qeverisë, e cila, sipas saj, favorizon oligarkët dhe ndëshkon qytetarët e ndershëm.

“Ndërsa qytetarët e ndershëm dhe shtresa e mesme paguajnë deri në 23% tatim mbi punën e tyre, qeveria vendos të falë taksat për 10 vjet për oligarkët e ndërtimit të resorteve turistike. Ky nuk është shtet që mbështet qytetarët e ndershëm, por një regjim që ushqen një pakicë të privilegjuar,” – shprehet Tabaku.
Ajo gjithashtu paralajmëron se më 11 maj qytetarët do të japin mesazhin e tyre të qartë kundër këtij sistemit ekonomik, që e cilëson të pandershëm.
“Mjaft më! Do të rikthejmë konkurrencën dhe meritokracinë. Do të ulim taksat për ata që punojnë dhe do të ndalim privilegjet për oligarkët!”, shkruan ajo.
Postimi i plotë:
Një sistem i pandershëm që favorizon oligarkët dhe ndëshkon qytetarët e ndershëm!
Katër muaj para zgjedhjeve, Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë ekonomike. Të ardhurat për frymë janë më të ulëtat në rajon. Pensionet janë më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor. Çmimet rriten çdo muaj, ndërsa faturat po bëhen të papërballueshme.
Por çfarë bën mazhoranca socialiste? A merr masa për të lehtësuar jetesën e qytetarëve? A ndihmon ata që punojnë me ndershmëri? Jo! Socialistët nuk merren me problemet e shumicës, por me pasurimin e pakicës.
Në këtë realitet të zymtë, qeveria sjell dy ligje që falin taksat për oligarkët! Në një kohë kur shtresa e mesme dhe qytetarët e ndershëm paguajnë 23% tatim mbi punën e tyre, qeveria vendos që investitorët në ndërtimin e resorteve turistike të mos paguajnë taksa për 10 vjet!
Ky nuk është një shtet që mbështet qytetarët e ndershëm, por një regjim që ushqen një pakicë oligarkësh!
Ndërsa shqiptarët largohen nga vendi sepse nuk shohin të ardhme, një grusht biznesmenësh të oborrit të Partisë Socialiste marrin toka falas, taksa falas dhe leje ndërtimi të personalizuara. Ata që kanë miq në qeveri, pasurohen pa punuar. Ata që punojnë ndershmërisht, paguajnë më shumë dhe marrin më pak. Në këtë sistem, nëse je i lidhur me qeverinë, pasurohesh. Nëse je i ndershëm, ndëshkohesh!
Ky nuk është socializëm, ky është klientelizëm! Ky nuk është një shtet, ky është një klub i të privilegjuarve!
Kjo nuk është një paketë për zhvillimin e Shqipërisë.
Kjo është një paketë anti-Shqipëri!
Një paketë që favorizon oligarkët dhe e lë shumicën e shqiptarëve në varfëri. Një paketë që forcon monopolin e një pakice, ndërsa shumica lufton për mbijetesë. Një paketë që shkatërron konkurrencën dhe pengon shqiptarët e ndershëm të ecin përpara.
Prandaj, më 11 maj, mesazhi është i qartë: Mjaft më!
- Ky sistem i pandershëm duhet të marrë fund.
- Do të rikthejmë konkurrencën dhe meritokracinë. Do të ulim taksat për ata që punojnë dhe do të ndalim privilegjet për oligarkët!
Shqiptarët janë lodhur nga një qeveri që punon vetëm për një grusht njerëzish. Janë lodhur edhe socialistët e ndershëm që shohin sesi një grup i vogël pasurohet përditë, pa talent, pa aftësi, pa meritë.
Dy ligjet e kësaj pakete tregojnë qartë se çfarë e mban Shqipërinë peng dhe pse vendi po boshatiset. Por më 11 maj, shqiptarët do të flasin. Dhe mesazhi do të jetë i qartë: Koha e padrejtësisë po mbaron!
© Panorama.al











