Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se operacionet ushtarake amerikane i kanë shkaktuar një goditje të rëndë forcave të armatosura iraniane, duke pretenduar se janë shkatërruar flota detare, aviacioni ushtarak, udhëheqja ushtarake dhe një pjesë e konsiderueshme e sistemeve të mbrojtjes ajrore të Iranit.
Gjatë një fjalimi në ambientet e General Motors në Miçigan, Trump u shpreh gjithashtu se SHBA-të kanë neutralizuar pjesën më të madhe të kapaciteteve të Iranit për prodhimin e dronëve dhe raketave.
“E kemi shkatërruar flotën e tyre detare, e kemi shkatërruar aviacionin e tyre, e kemi shkatërruar udhëheqjen e tyre ushtarake, e kemi shkatërruar mbrojtjen e tyre ajrore”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se “po e mposhtim bindshëm Republikën Islamike të Iranit”, duke pretenduar se veprimet amerikane kanë dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Teheranit.
Presidenti amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura që Irani të mos sigurojë kurrë armë bërthamore.
“Po sigurohemi që ata të mos kenë kurrë armë bërthamore”, tha Trump, duke përsëritur një nga qëndrimet e vazhdueshme të administratës amerikane ndaj programit bërthamor iranian. Trump pretendoi se kapaciteti prodhues i Iranit në sektorin e mjeteve ajrore pa pilot është reduktuar ndjeshëm.
“Sot dronët e tyre prodhohen vetëm në rreth 7% të kapacitetit”, u shpreh ai, duke argumentuar se goditjet amerikane kanë kufizuar rëndë aftësitë e industrisë ushtarake iraniane.
Presidenti amerikan i lidhi zhvillimet në fushën ushtarake me kontaktet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke pretenduar se presioni i ushtruar nga SHBA-të e ka detyruar Iranin të rikthehet në tryezën e negociatave.
“Në këtë moment ata po bisedojnë me ne për të arritur një marrëveshje. Nëse nuk do të kishim vepruar kaq ashpër, nuk do të kishte bisedime”, deklaroi ai.
Komentet e Trump vijnë në një kohë kur kontaktet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë, ndërsa deri tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi ecurinë e negociatave.
© Panorama.al












