Qeveria, 65 milionë lekë shtesë për Gërdecin

Apr 7, 2011 | 11:41

Qeveria jep mbi 65 milionë lekë për Gërdecin. Këshilli i Ministrave ka vendosur dje të shtojë fondin financiar shtesë për bashkinë Vorë, që do të shkojë për pagesë qiraje dhe zhdëmtim për mospërdorimin e tokave e kulturave bujqësore në zonën rreth kraterit. “Bashkisë Vorë, në buxhetin e vitit 2011, t’i akordohet fondi financiar shtesë prej 6 509 400 (gjashtë milionë e pesëqind e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15.3.2008, në fshatin Gërdec, për pagesën e qirave të banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore, që ndodhen brenda perimetrit 300 m rreth kraterit, zonë e shpallur si zonë e sigurisë së lartë”, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë, të cilin e lexoi kryeministri Berisha, ndërsa saktësoi se paratë do të merren nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Vendimi është marrë në mbështetje në nenit 100 të Kushtetutës, të Ligjit Nr. 8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, të Ligjit Nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të Ligjit Nr.10355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave.
Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar ministri i Financave, ministri i Brendshëm, prefekti i qarkut Tiranë, si dhe bashkia Vorë.

© Panorama.al

Te lidhura