KQZ pranon kërkesat e Partisë Demokratike për të ndryshuar qendrat e votimit në dy njësi bashkiake, pas propozimeve të ardhura nga pushteti vendor.Në mbledhjen e djeshme, katër anëtarët e maxhorancës në KQZ votuan pro propozimit të PD-së për vendet ku do të votohet në njësitë 4 dhe 9, në datën 8 maj.
Qendra e votimit
Në Njësinë Nr. 9, sipas përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, 2 qendra votimi janë ndryshuar qëllimisht nga kryetari i Minibashkisë, i cili është edhe kandidat i PS-së në këto zgjedhje. “Në Minibashkinë Nr. 9, Qendra e Votimit Nr. 1959 ishte brenda territorit të zonës, e cila ishte në lokalin privat të Kalosh Matrazit. Në 2009-n u nda në dy qendra, që ishin brenda së njëjtës qendër banimi. Papritmas, dy qendrat kalojnë në territorin e një qendre tjetër votimi. Në këtë rast është shkelur Kodi Zgjedhor. Qëllimi ishte që qytetarët të mos dinë ku të shkojnë të votojnë. Ne kërkojmë që ato të kthehen aty ku kanë qenë”, tha Kosovrasti. Gjatë diskutimit në parim të kësaj çështjeje, përfaqësuesit ligjorë të PS-së dhe tre anëtarët e KQZ-së u shprehën se kërkesa nuk mund të shqyrtohet nga KQZ-ja pasi është jashtë kompetencës së saj. “Unë them që në thelb kjo është një kërkesë ankimore, sepse ankimon një vendim të pushtetit vendor. Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, nenit 124, që bën fjalë për ankimimet, ky kapitull i jep të drejtë KQZ-së që të shqyrtojë vetëm kërkesat ankimore që kanë lidhje me vendimmarrjen e KZAZ-ve. Kjo kërkesë, që në thelb është kërkesë ankimore, nuk është në kompetencë të KQZ-së për ta shqyrtuar”, tha Subashi. Përpara se të hidhej në votim kreu i KQZ-së, Arben Ristani u shpreh se në këtë rast ka një shkelje evidente të ligjit. Sipas tij qendrat e votimit janë shumë larg zonës ku është votuar në vitin 2009. Me katër vota pro dhe 2 kundër u pranua kërkesa e PD-së që dy qendrat e votimit të kthehen në vendin ku ishin në zgjedhjet e përgjithshme. Ndërkohë u vendos që kryetari i Njësisë Nr. 9, Armond Halebi, të gjobitet me 3 mijë lekë gjobë për vendimin e marrë lidhur me qendrat e votimit. Përsa i përket njësisë 4, Partia Demokratike kërkoi që 7 qendra votimi të cilave u ishte ndryshuar vendi, të ktheheshin në atë zonë ku ishin në 2009. pas diskutimeve u vendos që kërkesa e PD-së të pranohet vetëm për katër qendra votimi, ndërsa tre të tjera do të qëndrojnë në vendndodhjen e re, me argumentin se për lëvizjen e tyre qytetarët janë informuar në kohë.
PS: Spoti i KQZ për 8 majin, njësoj me të Bashës
Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, akuzoi dje KQZ-në se ka bërë një spot elektoral për të nxitur votuesit të marrin pjesë në zgjedhjet e 8 majit, të njëjtë për nga teksti me atë të kandidatit të PD-së, Lulzim Basha. “Në një media pashë spotin e KQZ-së që fillon me shprehjen: ‘Sa herë ke dëshiruar më tepër hapësira të gjelbra, rrugë të asfaltuara, shërbim më të mirë mjekësor, këtë herë, me votën tënde mund t’i realizosh më 8 maj’. KQZ duhet të bënte thirrje për votën e lirë, për mënyrën si votohet”, tha Gjonçaj.
PD çon në Kolegjin Zgjedhor fletën e votimit
Partia Demokratike ka dërguar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e fletës së votimit për kandidatët e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në kërkesën e PD-së, e cila do të shqyrtohet të premten, së bashku me dy kërkesat e PS-së, kërkohet që fleta e votimit për këshilltarët të jetë e njëjtë në të gjithë vendin dhe në të të regjistrohen të gjitha partitë që kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, pavarësisht faktit se në zona të caktuara ato mund të mos kenë kandidatë për këshilltarë në atë zonë.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











