Në kohën kur makinat në kryeqytet vetëm sa rriten në numër dhe rrugët janë po ato, duket se çështja ka kaluar në kahun e kërkimit të alternativave emergjente për të ulur trafikun dhe ndotjen. Një ide që duket se është diskutuar e që me shumë mundësi mund të fillojë të zbatohet në Tiranë, është ajo e lëvizjes së makinave me ditë të caktuara, sipas targave, nëse numri i tyre është tek apo çift. Deklaratën e bëri dje Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë, e cila, në pjesën më të madhe, lidhej me masat dhe kujdesin që duhet të ndërmerret për të pasur një mjedis sa më të pastër. Sakaq, në fjalën e tij ai vlerësoi zbatimin e vendimit për të larguar nga akset kryesore vendgrumbullimet e makinave të vjetra dhe, sipas tij, deri tani rezulton që se janë larguar plotësisht nga vendndodhjet e tyre 317 varreza makinash dhe janë në procesin e largimit 77 të tjera.
Kreu i qeverisë vlerësoi dje se Tirana ka një qarkullim të lartë të automjeteve, që jep një efekt direkt në ndotjen e lartë të mjedisit dhe sidomos të ajrit. Lidhur me këtë, ai propozoi edhe një mënyrë që zbatohet edhe në vendet të tjera. “Edhe në kryeqytet duhet të bëhen matje. Në rast se ka tejkalime, duhet të bisedohet me autoritetet vendore, në mënyrë që të lëvizin me targa çifte e targa teke, dhe këtë po e bëjnë metropolet e të gjithë Europës, sepse nuk mund kurrsesi t’i helmojmë njerëzit. Tirana ka nevojë për punë të mëdha për të krijuar një trafik tjetër dhe Bashkia po merret me këtë, por emergjencës i përgjigjemi me emergjencë”, u shpreh Berisha. Ai theksoi se makinat emetojnë gazra të dëmshme që dëmtojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve. Përpara këtij propozimi, i cili konsiderohet si një zgjidhje emergjente e dy problemeve që ka Tirana, trafiku dhe ndotja, qytetarët do të duhet që të lëvizin një ditë po dhe një ditë jo me makinën e tyre. Aktualisht qeveria merr nga automjetet një taksë që njihet si taksa e karbonit, e cila paguhet për shkak të ndotjes që shkaktojnë mjetet kur qarkullojnë. Kështu, për mjetet që qarkullojnë me naftë, taksa e karbonit është 3 lekë për litër, kurse për ato me benzinë kjo taksë është 1.5 lekë për litër.











