Gjatë vizitës së tij në Indi, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi në një intervistë për “India Today” se Donald Trump “ka agjendën dhe objektivat e tij, ndërsa ne fokusohemi te tanët”. Ai theksoi se politika e Rusisë “nuk është kundër askujt”, por synon mbrojtjen e interesave kombëtare.
Putin u shpreh se presidenti amerikan “vepron me mirëbesim, siç mendoj”, ndërsa, i pyetur për vlerësimin e tij ndaj homologut amerikan, theksoi se nuk i gjykon kurrë kolegët e tij. “As ata me të cilët kam punuar më herët, as udhëheqësit aktualë. Këto vlerësime u takojnë qytetarëve që i zgjedhin nëpërmjet votës”, tha ai.
Sa i përket zhvillimeve në Ukrainë, presidenti rus theksoi se Kievi duhet të kuptojë se konflikti mund të përfundojë vetëm nëpërmjet negociatave. “Rusia nuk ia mohon Ukrainës të drejtën për të garantuar sigurinë e saj, por jo në kurriz të interesave tona”, u shpreh Putin.
Duke komentuar tarifat amerikane ndaj kompanive ruse të naftës, ai paralajmëroi se vendet që përpiqen të pengojnë marrëdhëniet ekonomike të Rusisë me shtete të tjera “në fund përballen me vështirësi dhe humbje”. Sipas tij, kur të bëhen të qarta këto pasoja, praktikat e presionit të jashtëm “do të zhduken”.
Në lidhje me energjinë, Putin theksoi se bashkëpunimi energjetik Rusi–Indi mbetet i pandikuar nga situata ndërkombëtare, ndryshimet e përkohshme politike apo edhe nga ngjarjet tragjike në Ukrainë.
© Panorama.al












