Putin paralajmëron: Rusia po përballet me presion të paprecedentë nga Perëndimi

Jun 28, 2026 | 18:04

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia po përballet me një presion të paprecedentë nga vendet perëndimore, por theksoi se këto përpjekje nuk kanë arritur t’i shkaktojnë një disfatë strategjike apo të destabilizojnë sistemin politik të vendit.

putin

Duke folur në seancën plenare të Kongresit të parë të partisë “Rusia e Bashkuar”, Putin u shpreh se elitat perëndimore kanë intensifikuar presionin ndaj Moskës, por pa arritur objektivat e tyre.

“Ata nuk mund të na shkaktojnë një disfatë strategjike dhe nuk mund të fitojnë në fushën e betejës. Për këtë arsye po përpiqen të destabilizojnë situatën politike dhe të nxisin trazira të brendshme. Por edhe kjo përpjekje ka dështuar”, deklaroi presidenti rus.

Putin shtoi se autoritetet do të marrin të gjitha masat për të mbrojtur zgjedhjet e ardhshme nga çdo përpjekje për ndërhyrje apo manipulim nga jashtë.

Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te zhvillimet e 25 viteve të fundit, duke theksuar se arritja më e rëndësishme ka qenë forcimi i unitetit të shoqërisë ruse.

“Gjatë 25 viteve të fundit kanë ndodhur shumë ngjarje të rëndësishme dhe historike. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme është se është forcuar uniteti i popullit tonë, si edhe vullneti për të zhvilluar dhe fuqizuar vendin”, tha Putin.

Në përfundim të fjalës së tij, presidenti rus përsëriti se fuqia dhe pavarësia janë thelbësore për të ardhmen e vendit.

“Do ta përsëris: Rusia mund të jetë vetëm një fuqi e fortë dhe e pavarur. Përndryshe, nuk do të ketë fare Rusi”, u shpreh ai.

© Panorama.al

Te lidhura