Sarri ka dilema për Gjimshitin, Atalanta kërkon mbrojtës

Jun 28, 2026 | 16:59

E ardhmja e Berat Gjimshiti te Atalanta vazhdon të jetë pjesë e diskutimeve në mediat italiane, ndërsa klubi bergamask po vlerëson opsionet për përforcimin e repartit defensiv. I ftuar në Radio Napoli Centrale, gazetari Patrik Ianareli u ndal te planet e Atalantës për merkaton, duke theksuar se klubi po ndjek me interes mbrojtësin Mario Gila.

GJIMSHITI

Sipas Ianarelit, një nga çështjet kryesore që duhet të zgjidhet është përshtatja e Gjimshitit në një skemë me katër mbrojtës. “Duhet parë nëse Gjimshiti mund të luajë në një mbrojtje me katër. Xhorxho Skalvini mbetet një pikëpyetje pas dëmtimit, ndërsa Odilon Kosunou nuk ka bindur plotësisht. Ndërkohë, Ahnor është më tepër një lojtar krahu. Afrimi i Gilas mund të jetë një lëvizje e zgjuar, pasi do të kompletonte repartin defensiv”, shprehet gazetari italian.

Tashmë, mbetet të shihet se si do të ndryshojë situata në kampin bergamask dhe nëse Gjimshiti do të largohet në këtë merkato vere, apo do të arrijë të marrë besimin e Mauricio Sarrit, trajner që preferon të luajë në mbrojtjen me katër, ashtu si edhe trajneri i Kombëtares, Maran.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura