Zelensky: Negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian sapo kanë nisur

Jun 28, 2026 | 16:46

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se procesi i negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian ka hyrë në një fazë të re, duke bërë të ditur se kapitujt e negociatave kanë nisur të hapen.

zelenky

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Kushtetutës, Zelensky theksoi se Ukraina ka bërë përparim të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian.

“Ukraina ka bërë tashmë një rrugë të gjatë drejt Bashkimit Evropian. Çdo hap i tillë na afron edhe më shumë me BE-në, duke forcuar lidhjen mes Ukrainës, popullit ukrainas dhe gjithë Evropës”, u shpreh presidenti ukrainas.

Zelensky vlerësoi gjithashtu rolin e forcave të armatosura ukrainase, duke theksuar se ato po mbrojnë jo vetëm vendin e tyre, por edhe “të ardhmen e të gjithë Evropës”. Sipas tij, Ukraina është tashmë një pjesë e pandashme e familjes evropiane.

Në të njëjtën kohë, kreu i shtetit njoftoi krijimin e Urdhrit të Evropës, një dekoratë e re shtetërore që do t’u akordohet “atyre që kanë qëndruar dhe vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Ukrainës gjatë kësaj lufte”.

© Panorama.al

Te lidhura