Rrëzohet helikopteri i kompanisë së naftës në Arabinë Saudite, 14 të vdekur

Jun 28, 2026 | 15:47

Një helikopter në pronësi të kompanisë saudite të naftës Aramco u rrëzua të dielën në zonën e Ras Tanura, në bregun lindor të Arabisë Saudite, pranë Gjirit Persik. Si pasojë e aksidentit humbën jetën 14 persona, njoftoi agjencia shtetërore saudite e lajmeve.

helikopter

Sipas autoriteteve, shkaqet e rrëzimit ende nuk janë të njohura, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes janë në vijim.

“Hetimet po zhvillohen me pjesëmarrjen e autoriteteve përkatëse për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit të helikopterit”, thuhet në njoftimin e agjencisë shtetërore.

Incidenti ndodhi rreth orës 06:00 sipas kohës lokale, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të tjera mbi viktimat apo misionin e helikopterit.

Kompania Aramco nuk ka reaguar ende ndaj kërkesave për koment.

Kujtojmë se Aramco rifilloi të premten ngarkimin e naftës bruto në terminalin e saj në Ras Tanura, pas një ndërprerjeje që zgjati gati katër muaj.

Deri më tani, autoritetet saudite nuk kanë bërë të ditur asnjë indikacion se rrëzimi i helikopterit lidhet me ndonjë veprim armiqësor, pavarësisht tensioneve të fundit dhe shkëmbimit të sulmeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në rajonin e Gjirit Persik.

© Panorama.al

Te lidhura