Dita e 29-të e protestës kundër qeverisë, qytetarët mblidhen sot sërish në Tiranë: Edi Rama jep dorëheqjen! Shqipëria kërkon revolucion!

Jun 28, 2026 | 7:42

Qytetarët pritet të mblidhen edhe këtë mbrëmje në Tiranë për protestën e 29-të radhazi kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

protesta e 28 qytetare (3)

Ashtu si në ditët e mëparshme, tubimi do të nisë në Sheshin “Skënderbej”, prej nga protestuesit do të marshojnë para godinës së Kryeministrisë.

Protesta, e cila prej katër javësh zhvillohet çdo mbrëmje, vijon të ketë si kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Edhe në protestat e fundit, qytetarët kanë përsëritur njëzëri thirrjet që tashmë janë kthyer në refrenin e përditshëm të marshimeve.

“Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “O Erion, o legen, prite Ramën se po vjen”, “O Ilir, o legen, prite Salën se po vjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Shqipëri e re” dhe “Poshtë patronazhistët”, kanë qenë disa nga sloganet e brohoritura nga protestuesit gjatë tubimeve dhe marshimeve në rrugët e Tiranës.

Edhe protesta e sotme pritet të shoqërohet me marshim në disa akse të kryeqytetit, ndërsa qytetarët kanë paralajmëruar se do të vijojnë rezistencën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

KËRKESAT E PROTESTUESVE:

Kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

© Panorama.al

Te lidhura