Dy punonjës të Diamma Resort në Golem u arrestuan, kurse 2 të tjerë u proceduan nga Policia e Durrësit, pasi dhunuan fizikisht 5 pushues turq.

Sherri ndodhi në një lokal në plazhin e Golemit, ku menaxheri dhe një punonjës në hapësirën e plazhit të administruar nga Diamma Resort, dhunuan me sende të forta 5 turistët turq.
Burime bëjnë me dije se në pranga përfunduar 33-vjeçari David Kondo dhe 37-vjeçari Eluert Qose, pasi plagosën rëndë 2 nga turistët dhe për pasojë do të përballen me drejtësinë për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Po ashtu mësohet se, nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Kanosja”, për banakierin dhe një rojë sigurie, pasi goditën me grushte dhe kanosën 3 pushuesit e tjerë turq.
Diamma Resort në Golem administrohet nga Asemina Çokani.
DEKLARATA E POLICISE E DURRESIT
Durrës- U konfliktuan fizikisht dhe me sende të forta, me 5 pushues turq, arrestohen 2 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë (punonjës në subjektin ku ndodhi konflikti).
Menjëherë pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në një lokal në plazh, në Golem, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve përgjegjës. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit D. K., 33 vjeç dhe E. Q., 37 vjeç, të dy banues në Durrës, përkatësisht menaxher dhe punonjës në hapësirën e plazhit në këtë subjekt, për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetesisë publike”, pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, 2 pushues turq;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Kanosja”, për shtetasit I. Sh., 48 vjeç dhe T. D., 49 vjeç, përkatësisht banakier dhe punonjës sigurie në këtë subjekt, pas dyshohet se kanë goditur dhe kanosur 3 shtetas turq.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
© Panorama.al











