Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka gjobitur me 50 mijë lekë avokatin e Erion Veliajt, Plarent Ndrecën pasi ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme të gjyqit.
Sipas gjykatës, mbrojtësi i kryebashkiakut nuk kishte paraqitur asnjë pretendim në seancën e kaluar për datën e sotme. Gjykata e Posaçme vlerësoi se sjellja e Ndrecës është bërë shkak për shtyrjen e seancës së sotme.
Sakaq, Gjykata caktoi Valentina Teodoreskun si avokate kryesisht për Velian, ndërsa seanca e radhës pritet që të mbahet më 15 shtator.
Ishte prokurori i çështjes Ols Dado që i kërkoi gjykatës gjobitjen e avokatit, teksa tha: “Pengesë për zhvillimin mosmarrja pjesë e avokatit të Erion Veliajt. Gjykata ta shtyjë seancën. Duhet të caktohet kryesisht. Pretendimi nuk është i ligjshëm e gjykata të caktojë gjobë për avokatin. Të pezullohen avokatët”.
Në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm as Veliaj dhe as bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Kryebashkiaku refuzoi të marrë pjesë në sallë në seancat gjyqësore për sa kohë i mohohet kërkesa për të mos qëndruar në kafaz.
Ndërsa Ndreca kishte depozituar një kërkesë për shtyrjen e seancës, duke argumentuar se ndodhej në pamundësi objektive për të marrë pjesë, pasi është i angazhuar në një tjetër çështje në Gjykatën Civile të Tiranës.
© Panorama.al












