Ka nisur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e radhës e gjykimit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe personave të tjerë të pandehur në këtë proces.
Erion Veliaj nuk është i pranishëm në sallën e gjyqit, pasi ka refuzuar të marrë pjesë në seancat gjyqësore për sa kohë që, sipas qëndrimit të tij, i mohohet kërkesa për të mos qëndruar në kafaz gjatë zhvillimit të procesit.
Në sallën e gjyqit ndodhen dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado, ndërsa mungojnë të gjithë të pandehurit.
Mungon gjithashtu edhe avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, i cili ka depozituar një kërkesë për shtyrjen e seancës, duke argumentuar se ndodhet në pamundësi objektive për të marrë pjesë, pasi është i angazhuar në një tjetër çështje në Gjykatën Civile të Tiranës. Sipas mbrojtjes, kjo seancë lidhet me çështjen ndaj Arbjan Maznikut.
Gjate seancës prokurori Ols Dado eshte shprehur: “Pengesë për zhvillimin mosmarrja pjesë e avokatit të Erion Veliajt. Gjykata ta shtyjë seancën. Duhet të caktohet kryesisht. Pretendimi nuk është i ligjshëm e gjykata të caktojë gjobë për avokatin. Të pezullohen avokatët”.
Ajola Xoxa përfaqësohet në proces nga avokatët Gurali Brahimllari dhe Maksim Haxhia. Mbrojtja pretendon se, pas lindjes me operacion, Xoxa nuk është në gjendje të ushtrojë në mënyrë efektive të drejtat e saj në procesin gjyqësor.
“Zonja Xoxa ka bërë konsultën tek mjeku, i cili ka konstatuar se ajo vazhdon të jetë në të njëjtën gjendje, duke e pasur të pamundur të bëjë mbrojtjen në këtë proces”, deklaroi avokati i saj.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme ka kundërshtuar kërkesën për pezullimin e procesit, duke argumentuar se ligji parashikon vetëm shtyrjen e seancës dhe jo pezullimin e procesit. Prokuroria ka theksuar gjithashtu se Ajola Xoxa nuk është paraqitur asnjëherë personalisht në gjyq.
Po ashtu prokurori është shprehur: “Për shkresën e dërguar nga mjeku, edhe herën e kaluar gjykata i dha përgjigje. Këtu nuk thuhet se është e pamundur të marrë pjesë në seancë. Këtu thuhet se i është nënshtruar operacionit cezarian”.
Ndërkohë, GJKKO ka vendosur pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn, ndërsa procesi vijon mes mungesave të të pandehurve dhe kërkesave të mbrojtjes për shtyrjen e seancës.
© Panorama.al












