Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur sot në SPAK për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Karçanaj është nën hetim për dosjen e AKSHI-t, ku bashkë me persona të tjerë, mes tyre Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndaj tyre janë ngritur akuza për veprat penale “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “heqje e paligjshme e lirisë”, “shkelje e barazisë në tendera”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “pastrim parash”.
Kujtojmë se më herët, Mirlinda Karçanaj ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, por Gjykata e Lartë vendosi lehtësimin e masës, duke e zëvendësuar atë me “detyrim paraqitje”.
DOSJA AKSHI
Sipas SPAK, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri konsiderohen si dy nga personat kryesorë të skemës kriminale. Ata akuzohen për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Sipas hetimeve, ata kanë ushtruar presion dhe intimidim ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera për t’i detyruar të hiqnin dorë nga ankimimet, me qëllim që kompanitë e favorizuara të shpalleshin fituese. Të dy mbeten ende në kërkim.
Ish drejtuesja e AKSH-t Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe grup i strukturuar kriminal. Sipas SPAK, ato dyshohet se kanë pasur rol në procedurat e manipuluara të tenderimit dhe në favorizimin e kompanive të caktuara përmes kritereve të vendosura në mënyrë të paligjshme.
PASURITE E SEKUESTRUARA
SPAK sekuestroi pasuri me vlerë me 40 milionë euro në Mirlinda Karçanajt, Ergys Agasit, Ermal Beqirit, Andis Papës dhe Erion Ismailit. Karçanajt iu sekuestrua një apartament dhe një pronë në Tiranë, një pasuri në Qerret, një ullishte në Sauk, një makinë Volkswagen Tiguan dhe disa llogari bankare.
Ergys Agasit iu sekuestruan dhjetëra pasuri, përfshirë vila dhe prona në Petrelë, Lundër, Durrës dhe Vlorë, apartamente, garazhe, troje, tokë arë dhe pyje me mijëra metra katrorë. Po ashtu iu bllokua një automjet Land Rover Defender 2023, kompania “E.A.S” dhe disa llogari bankare në banka të ndryshme.
Ermal Beqirit SPAK i sekuestroi troje dhe vila në Tiranë, apartament në Golem, një jaht me emrin “Skyfall”, dy kompani private, automjete dhe llogari bankare në emër të tij dhe subjekteve të lidhura.
Ndërkohë, ndaj Andis Papës janë sekuestruar mbi 505 milionë lekë në dy kompani të ndryshme, ndërsa ndaj Erion Ismailit është sekuestruar një shumë prej rreth 100 milionë lekësh në subjektin “A”.
© Panorama.al











