Pukë, zbulohen në bjeshkë eshtrat e 2 të pushkatuarve

Oct 8, 2011 | 12:13
Gjetja e eshtrave të viktimave në fshatin Kuç

Eshtrat e dy personave të pushkatuar në kohën e komunizmit u zbuluan në bjeshkët e Tërbunit në rrethin e Pukës. Sipas dëshmive të para mendohet se eshtrat i përkasin shtetasve Mhill Frani dhe Mark Rrozhanit, të cilët ishin dënuar me vdekje në vitin 1976, me akuzat “sabotim ekonomik” dhe “agjitacion e propagandë”. Pas rreth 25 vitesh kërkime të familjarëve të të pushkatuarve, mbrëmjen e së enjtes në malin e Tërbunit, pikërisht në vendin e quajtur “Livadhet e Kabashit”, janë gjetur eshtrat e dy personave që mendohet se i përkasin Mhill Franit dhe Mark Rozhanit. Kanë qenë familjarët e tyre të cilët pasi kishin marrë informacion nga persona që kishin dijeni për vendin e ekzekutimit të tyre në malin e Tërbunit, kanë shkuar në të njëjtën zonë, duke kontrolluar. Pasi kanë gërmuar në thellësi, është bërë e mundur që në gropën e hapur të shfaqen eshtrat e dy personave të pushkatuar nga regjimi komunist. Skuadra e pushkatimit, pas vrasjes së tyre, i groposi ata në një varr të përbashkët. Të afërmit e viktimave tregojnë se ata kanë rreth 25 vite që i kërkojnë eshtrat nëpër rrethin e Pukës. Vetëm mbrëmjen e ditës së enjte, pasi kishin gërmuar gjatë gjithë ditës, ata kanë arritur të zbulojnë eshtrat e trupave të dy personave. Sipas familjarëve, eshtrat e zbuluara mbrëmjen e së enjtes janë gjetur pranë njëri-tjetris, ndërsa në saktësimin e identitetit pritet të ndihmojnë edhe rrobat e këpucët që ishin ende të padëmtuara. Eshtrat e gjetura do t’i nënshtrohen një ekspertize të specializuar në lidhje me përcaktimin e identitetit të dy viktimave të diktaturës të gjetur në malin e Tërbunit të rrethit të Pukës. “Nga këqyrja e parë e rrobave me të cilat janë varrosur dy të pushkatuarit, (këpucët dhe mbetjet e rrobave të trupit) mendohet me një saktësi prej 90 % se eshtrat i përkasin Mhill Franit dhe Mark Rrozhanit”, pohojnë të afërmit e tyre. Mhill Frani dhe Mark Rrozhani, sipas familjarëve të tyre, janë dënuar në vitin 1976 me pushkatim dhe ekzekutimi i tyre është bërë në të njëjtin vit. Ata ishin arrestuar dhe akuzuar nga sistemi komunist për veprat penale të sabotimit ekonomik dhe agjitacionit e propagandës. Në malin e Tërbunit dyshohet të ketë edhe shumë varre të tjera, që iu përkasin viktimave të ish-regjimit komunist. Që nga muaji qershor e deri tani, janë gjetur në qarkun e Shkodrës eshtrat e gjashtë personave të pushkatuar nga regjimi i mëparshëm. Sipas ish-të përndjekurve politikë, në qarkun e Shkodrës janë ekzekutuar gjatë kohës së komunizmit 601 persona.

28 maj 2011
Në fshatin Kuç, në komunën Guri i Zi, rreth 5 km larg qytetit të Shkodrës, u zbuluan pas 27 vitesh kalvari të mundimshëm kërkimesh nga familjarët, eshtrat e dy ish-të burgosurve politikë. Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli ishin ekzekutuar nga regjimi komunist pas revoltës së 20 majit të vitit 1984, në burgun famëkeq të Qafë-Barit.

24 qershor 2011
Përsëri në fshatin Kuç, fare pranë vendit të zbulimit të eshtrave të mëparshme është bërë e mundur gjetja e eshtrave të Zef Martinit, i cili u ekzekutua pa gjyq në vitin 1983. Gjetja e këtyre eshtrave është bërë pas 28 vitesh kërkimi nga familjarët e Zef Martinit, në bazë të skicës së sjellë nga instituti i të përndjekurve politikë në Tiranë.

FIER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura