
Forcat speciale RENEA arrestuan dje një 24-vjeçar të kërkuar për vrasjen e një adoleshenti në Tiranë, krim që dyshohet ta ketë kryer në bashkëpunim me të vëllanë. Gjatë një operacioni të koduar “X Club”, që forcat speciale RENEA realizuan në rrethin e Pukës, u arrit arrestimi i Ervin Metës, i dënuar me 15 vjet burg në mungesë për një vrasje të kryer në vitin 2010 në Laprakë të Tiranës. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se 24-vjeçari akuzohet se ka vrarë me thikë, në bashkëpunim me vëllanë e tij Elvis Meta, 18-vjeçarin Jetmir Ferhati. Ndërkohë që policia arriti të arrestonte në flagrancë njërin prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, Elvis Metën, vëllai i tij u arrestua gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme nga forcat RENEA. Ngjarja për të cilën akuzohen vëllezërit Meta ka ndodhur më 10 qershor të vitit 2010, pranë lokalit “X Club”, ashtu siç u kodua edhe operacioni i policisë, afër kryqëzimit të Laprakës në Tiranë. Sipas dëshmive të personave që janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë, konflikti mes Ferhatit dhe dy vëllezërve që akuzohen të kenë kryer vrasjen ka nisur në ambientet e lokalit ku po zhvillohej një parti që ishte organizuar nga disa gjimnazistë. Në një kohë kur festa sapo kishte filluar, një adoleshent tjetër e ka thirrur Jeton Ferhatin që të dilte nga lokali sepse e kërkonte dikush. Viktima ka dalë dhe vetëm disa metra larg lokalit ka filluar debatin me tre djem të tjerë. Pas debatit, vëllezërit Elvis dhe Ervin Meta, që po ziheshin me 18-vjeçarin, e kanë qëlluar dy herë me thikë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.











