Pudra për bebe i shkaktoi kancer, një grua në SHBA përfiton 1.56 miliardë dollarë dëmshpërblim nga Johnson & Johnson

Dec 23, 2025 | 10:23

Kompania Johnson & Johnson u dënua të paguajë rreth 1,56 miliardë dollarë dëmshpërblim ndaj një gruaje nga Merilendi, e cila e akuzoi kompaninë se pudra e saj për bebe i shkaktoi një formë kanceri të lidhur me asbestin.

johnson baby

Kjo është shuma më e madhe e dëmshpërblimit që i është akorduar ndonjëherë një individi gjatë 15 viteve të proceseve gjyqësore të lidhura me këtë çështje.

Konkretisht, juria në një gjykatë të Baltimores vendosi vonë të hënën se Johnson & Johnson, dy nga degët e saj dhe kompania e shkëputur Kenvue, janë përgjegjëse për mosparalajmërimin e Cherry Craft se pudra për bebe përmbante asbest, substancë që studiuesit e kanë lidhur me mezoteliomën, një formë agresive kanceri.

Vendimi vjen në një periudhë kur Johnson & Johnson ka përballur një sërë humbjesh gjyqësore lidhur me pudrën për bebe, pasi këtë vit dështoi në përpjekjen për të përdorur gjykatën e falimentimit për të imponuar një marrëveshje zgjidhjeje për më shumë se 70 mijë padi që lidhen me këtë produkt.

Vendimi në Merilend tejkalon edhe dëmshpërblimin prej 966 milionë dollarësh që u akordua në tetor familjes së një gruaje nga Kalifornia, e cila humbi jetën nga mezotelioma pasi kishte përdorur për pjesën më të madhe të jetës pudrën për bebe me bazë talku të J&J-së.

Johnson & Johnson këmbëngul se talku nuk shkakton kancer dhe se në produktet e saj nuk ka pasur kurrë asbest. Kompania gjithashtu thekson se për më shumë se 100 vjet e ka tregtuar pudrën për bebe në mënyrë të sigurt dhe të përshtatshme.

“Ne do të paraqesim menjëherë apel ndaj këtij vendimi skandaloz dhe qartësisht antikushtetues, i cili është rezultat i drejtpërdrejtë i gabimeve serioze të bëra nga gjykata e shkallës së parë, e cila i lejoi avokatit të paditëses të mbushte dosjen me deklarata dhe pretendime të papërshtatshme dhe paragjykuese”, deklaroi Eric Haas, drejtues i departamentit të çështjeve gjyqësore në Johnson & Johnson.

© Panorama.al

Te lidhura