Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë thirrje që deputetët e opozitës të bëjnë publike dosjen me 16 mijë faqe që përmban fakte dhe prova për korrupsion të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Shehaj deklaron se pesë anëtarët e Këshillit të Mandateve kanë dosjen për të paktën dy javë dhe duhet ta publikojnë edhe nëse kjo është në shkelje të ligji.
“Ka ardhur momenti që deputetët e opozitës të shkelin ligjin dhe të bëjnë publike dosjen me 16 mijë faqe me fakte dhe prova që tregojnë se Belinda Balluku është e korruptuar”, shprehet ai, ndërsa thekson se kjo do të bëhet në interes të qytetarëve.
Më tej ai shton se nëse deputetët nuk e publikojnë vetë, t’ua dërgojnë mediave.
“Nëse nuk duan ta bëjnë ata, le t’ja kalojnë dosjen me 16 mijë faqe mediave dhe merren mediat. Nuk mund të presim që Edi Rama të lejojë arrestimin e Belinda Ballukut, nuk ka për ta bërë kurrë, sepse e di shumë mirë qe pas Belinda Ballukut radhën e ka ai” tha Shehaj.
Kujtojmë se deputetët e PD-së, anëtarë të Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, kanë dosjen e Ballukut pasi SPAK depozitoi në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj.
Agron Shehaj: Ka ardhur momenti që deputetët e opozitës të shkelin ligjin dhe të bëjnë publike dosjen me 16 mijë faqe me fakte dhe prova që tregojnë se Belinda Balluku është e korruptuar. 5 anëtarët e këshillit të mandateve kanë të paktën dy javë që e kanë këtë dosje dhe duhet ta bëjnë publike, sepse është e vërtetë që shkelin ligjin, por në fund të fundit, edhe një protestues kur përplaset me policinë, shkel ligjin.
Të mos harrojmë që edhe Edi Rama po shkel ligjin duke mos arrestuar Belinda Ballukun. Nuk ka asgjë të keqe që përfaqësuesit e opozitës të shkelin ligjin në interes të qytetarëve shqiptarë.
Nëse nuk duan ta bëjnë ata, le t’ja kalojnë dosjen me 16 mijë faqe mediave dhe merren mediat. Nuk mund të presim që Edi Rama të lejojë arrestimin e Belinda Ballukut, nuk ka për ta bërë kurrë, sepse e di shumë mirë qe pas Belinda Ballukut radhën e ka ai.
© Panorama.al












