Gazmend Bërlajolli
Nji libër me mëtesa t’analizave parametrash psikolinguistikë të standardit të shqipes, siç i thotë titulli, përzgjedhja grafike e të cilit imponon me e lexue fjalën kyç si emën para se si mbiemën. Megjithatë, përbamësi psikogjuhësor i vëllimit nuk asht mbizotnuesi, ngase dominohet prej atij shoqnogjuhësor. Të dy përbamësit vijnë në shërbim të nji fushe të tretë, asaj të planifikimit gjuhësor. Shembujt e diskutuem në libër ilustrojnë, zene se…papërjatshtimisht, raste të stërkorrigjimeve në nivele të njisive të ndryshme gjuhësore, siç asht p.sh. stërkorrigjimi i pjesoreve mbjellë e sjellë me mbjellur e sjellur. Interesantja asht se subjektet e hetueme që dëshmojnë këso stërkorrigjimesh, kur janë figura publike, gjykohen nga autori, kjo sepse toni i tij luhatet ndërmjet atij të studiuesit të realiteteve gjuhësore tek ai i qortuesit të shmangieve nga standardi.
Përmenden mjaft ngecjet e hezitimet që hetohen te folësit e shqipes kosovare në ligjërimin publik, nga fakti se këta priren me artikulue elemente gjuhësore të variantit lokal, por në udhë e sipër detyrohen me i zavendësue ato me elemente të standardit. Sado që ky lloj hezitimi asht vërtet evident, autori atë ndonjiherë vendos me e emnue edhe afazi, ose edhe disleksi. Ndërkohë, ‘afazia’ i emnon veç patologjitë që lidhen me damtimet e atyne moduleve të trunit që ruejnë dhe procesojnë të dhana gjuhësore, kurse ‘disleksia’ asht term që u referohet problemeve me të lexuemit, e nuk lidhet me aktin e të folunit si prodhim gjuhësor.
Vetë analiza psikogjuhësore në libër del me mangësi nga themeloret. Qe nji shembull nga ata që i heton autori: “Fëmija në vend që të thotë ‘i hapi krahët’, thotë ‘i hapu krahët’”. Autori konstaton se ilustrimi dëshmon që fëmija “…nuk e ka të qartë dallimin ndërmjet emrit dhe foljes, si dhe funksioneve të tyre gramatikore”. Por fëmija nuk ngatërron foljen me emnin, ai thjesht modelon foljen [ai/ajo] hap-i (koha e kryeme e thjeshtë, veta e tretë), sipas foljeve [ai/ajo] prek-u, lag-u, kreh-u. Edhe këto fëmija në përditshmëni i ndien e i shqipton me -i (preki, lagi, krehi) por edukuesit e tij të rritun rëndom ia korrigjojnë me -u (prek-u, lag-u, kreh-u), me çka fëmija e heton ekzistimin e nji prestigji që shoqnon shqiptimin me mbaresë -u. Por, pa e pasë të qartë se kjo mbaresë kushtëzohet kontekstualisht nga bashkëtinglloret e mbrapme (-k, -g, -h; prek-u, lag-u, kreh-u), ai stërkorrigjon dhe zgjedh trajtën e gabueme hap-u, pikërisht pse i vetëdijshëm për statusin e privilegjuem të kësaj mbarese. Shembulli nuk përban kurrfarë dëshmie se fëmija nuk i njeh konceptin e emnit a të foljes, a të “funksioneve të tyne gramatikore”. Nji konkluzë e tillë madje bie ndesh me njohunitë ma themelore psikogjuhësore: diferencimin e pjesëve të ligjëratës (si folja e emni) dhe të funksioneve të tyne në përmasën kognitive, pa të cilat akti i të folunit si prodhim gjuhësor as nuk do të mund të realizohej.
Të njejtat mangësi hetohen edhe n’analizën shoqnogjuhësore. Në libër përvijohet anketa me 100 respondentë moshash 16-64 vjeç nga katër qytete kosovare lidhun me përceptimet rreth standardit. Prej tyne 72 përgjigjen që në Shqipni flitet “më bukur dhe më rrjedhshëm”, 15 thonë se shqipja flitet ma bukur në Kosovë, ndërsa 13 nuk përcaktohen. Në fusnotë jepet sqarimi se “15 vetat që kanë shkruar që shqipja letrare flitet më bukur në Kosovë, janë të gjinisë mashkullore dhe të moshës ndërmjet 18 e 25 vjeç”. Këtu ngel shqyrtimi i të dhanave anketës në libër, ani që ato duken të vlefshme për mjaft hetime shoqnogjuhësore nën dritën e pozicionimeve që dikotomia “kosovar/shqiptar” vijon me i gjenerue në botën shqiptare, me gjithë spektrin e temave që ngjall rreth identitetit, flamurit, shtetsisë, përkatësisë kombtare, etnike, mandej vetë nocioneve ‘komb’, ‘shtetas’, ‘etni’, ‘popull’, po edhe komplekseve t’inferioritetit a superioritetit të njanit o të tjetrit krah të trungut shqiptar, mbasandej gegnishtes, tosknishtes, rishqyrtimit ose jo të standardit etj.
Djemtë 18-25 vjeçarë t’anketës dëshmojnë për orientim të qartë t’identitetit të vet gjuhësor, tek vendosin me ia dhanë vlerësimin gjithqysh gjuhës së Kosovës. Me thellim hetimi te ky segment i respondentëve, do të mësonim në ç’masë dëshmohet favorizimi gjuhësor i Kosovës mbrenda kësaj grupmoshe, por edhe si rezultojnë parapëlqimet te gjinia femnore e saj. Nji hetim mandej i parapëlqimeve te moshat edhe ma të reja, krahas me ma të vjetrat, kish me e skicue qartë kurbën e këtij orientimi. Por, nuk jepen hollësi as për grupmoshat që i kapin 72 respondentët të cilët e favorizojnë gjuhësisht Shqipninë, e njilloj as për 13 vetat e pacaktuem. Nuk mësojmë cilat grupmosha përfaqësohen ma fort te këto dy grupe. Nuk mësojmë prandaj nëse ndër këta 85 respondentët e dy grupimeve të fundit, ende ka pjesëtarë nga grupmosha 18-25, e nëse po, sa ka gjithsej, e as sa prej tyne janë mashkuj/femna. Prandaj nuk mund ta dimë sa homogjenë janë në parapëlqimet e tyne djemtë 18-25 vjeçarë të mostrës e as nga priret ky orientim i këtij grupimi.
I vetmi konstatim i autorit lidhun me anketën asht se “…nuk duhen trajtuar shumë seriozisht rezultatet e anketave sociolinguistike për atitudën e folësve të shqipes ndaj të folurit që përjetohet si i folur standard… pasi jo gjithherë përgjigjet e tilla janë të mbështetura shkencërisht”. Arsyeja sqarohet ma tej me fusnotë: “Të anketuarit që kanë thënë se shqipja më bukur flitet në Shqipëri, në asnjë rast nuk kanë arritur të japin përgjigje të qarta për të arsyetuar qëndrimin e tyre”.
Lehtë e marrim me mend se as 15 djemtë që shprehin parapëlqim për gjuhën e Kosovës nuk do të dinin me i dhanë përgjegje të qartë a “shkencërisht të mbështetur” qëndrimit të vet. T’anketuemit thjesht shprehin parapëlqime, të mbështetuna këto prej bindjesh që kanë. Vetë bindja e djemve spjegohet me argument shoqnogjuhësor: ata nuk e kundrojnë varietetin kosovar si shoqnisht t’ulët, ndonëse ai vijon me u perceptue kështu gjanësisht, siç dëshmojnnë 72, nga gjithsej 100 respondentët.
Përshtypjet e autorit shpesh kumtohen si informata, si p.sh. se CNN e ka braktisë shqiptimin amerikan në emisionet e lajmeve, për ta përvetësue shqiptimin britanik të BBC-së. Ose, lidhores së shqipes (p.sh. të rrish) nuk i njihet funksioni gramatikor për shenjimin edhe të kategorisë së vetes së dytë (“veç këtu të rrish”!) edhe t’abstraksionit (të rrish gjatë pa ngranë s’asht e këshillueshme).
Diskutohet paskajorja si element i pashmangshëm i ligjërimit tek shqiptarët veriorë dhe rekomandohet integrimi i saj në shqipen standarde, ndonëse nga ana tjetër autori vetë konstaton se subjektet e hetueme kanë dëshmue zotsi të mirë me e shmangë atë prej ligjërimit publik. Ndërkohë, rasti i vetëm i shfaqjes së paskajoreve ndër rreshtat e vetë autorit asht ai kur ky i përgjigjet konstatimit të Emil Lafes, kundështarit të ndryshimeve në standard, lidhun me mundësinë e integrimit të paskajores në shqipe.
Te rekomandimet në fund të librit, i pari vjen rekomandimi për ta reduktue grafemën ë përmbrenda ortografisë standarde, ndonëse çashtja e drejtshkrimit të ë-së nuk trajtohet kurrkund në tekst, për me arsyetue së mbrami në rekomandim se në ç’pozita dhe pse ia vlen të reduktohet.
Përgjithësisht, landa e tekstit del e pasistemueme; diskutimet e njejta ndonjiherë paraqiten krejt identike, nga dy herë mbrenda librit [p.sh. shpjegimet e nxjerra prej enciklopedisë së internetit Ëikipedia lidhun me standardizimin e gjermanishtes a të finlandishtes jepen fillimisht në faqet 123 e 124, dhe mandej 182 e 183 respektivisht].
Ndryshe nga trajtimi psikogjuhësor, ai shoqnogjuhësor ma shpesh bahet drejt [përvijohet mjaft mirë nocioni i diglosisë në shqipen kosovare, fjala vjen], por lexuesi i paorientuem mund ta ketë të vështirë me e nda ç’asht e saktë prej landës nga ç’asht e gabueme. Diskutimi që shpeshherë mbetet i pailustruem me shembuj, mandej mungesa evidente e redaktimit të tekstit para publikimit, e hetueshme që nga tipografia e ortografia e fjalëve e te sintaksa dhe kuptimet e fjalive, e randojnë ma tej të lexuemit, tue e minimizue kësisoj numrin e lexuesve potencialë.
* Autor i shumë teksteve studimore gjuhësore











