Pse na duhet mbikëqyrja elektronike

Oct 31, 2011 | 10:09

ARDIT HYSA

Në mendimin iluminist, burgimi i një subjekti që kishte kryer një vepër penale, konsiderohej si zgjidhja më optimale, pasi burgimi duke qenë i përllogaritshëm në bazë të ditëve, bënte të mundur proporcionimin e përgjigjes shtetërore ndaj një akti të paligjshëm, duke dënuar kështu më shumë ata që kishin kryer vepra më të rënda. Për më tepër, gjithmonë sipas mendimit iluminist, izolimi u jep mundësi individëve të reflektojnë dhe, si rrjedhim, të pendohen për veprimet e tyre dhe kështu burgimi luan një funksion të mirëfilltë riedukues. Teoria e të drejtës penale shqiptare na mëson se burgimi luan dy funksione specifike, parandalimin e përgjithshëm dhe atë të posaçëm; Sepse nga njëra anë, duke i dhënë një dënim me burgim shkelësit të ligjit, ky i fundit riedukohet dhe, nga ana tjetër, shoqëria në përgjithësi edukohet nga frika e një sanksioni penal.
Këto teori kanë qenë burim kritikash të ashpra si nga doktrina, ashtu edhe nga profesionistët e fushës të së drejtës për gjithë periudhën e pasluftës së dytë botërore, në të gjithë Europën Perëndimore. Tashmë, në ditët tona, jo vetëm që vihet gjerësisht në dyshim se burgimi luan një rol riedukues, por nga doktrina italiane lindi termi “Universitet i krimit” dhe nuk po shqyrtojmë këtu kostot që ka për shtetin një i burgosur.
Problem tjetër serioz në këtë aspekt ishte dhe fakti se paraburgosja, me gjithë traumën që shoqëron burgimin, i aplikohej një subjekti të pafajshëm.
Në këto kushte, Europa i ktheu sytë nga një zgjidhje amerikane dhe kjo zgjidhje ishte Mbikëqyrja Elektronike (Electronic Monitoring). Teknikisht, ME funksionon nëpërmjet një pajisjeje elektronike, e cila është e lidhur me një sallë operative. Nëse ka një vendim gjykate i cili detyron personin të qëndrojë në shtëpi ose në një territor të caktuar, pajisja elektronike mundëson përcaktimin e vendndodhjes së subjektit në kohë reale dhe bën të mundur monitorimin e respektimit të urdhrave të gjykatës, pasi sapo personi del nga zona e lejuar, një alarm fillon e bie në sallën operative dhe i tregon kësaj të fundit se personi nuk ndodhet aty ku duhet të ndodhet. Në rast konstatimi të thyerjes së urdhrave të gjykatës, salla operative lajmëron menjëherë organet e Policisë.
Vendet që e aplikuan të parat këtë sistem ishin vende, si: Anglia, Holanda apo vende të Europës Veriore, por fakti që pas 20 vjetësh nga debutimi konferenca për Electronic Monitoring mbahet në Portugali, tregon se tashmë kjo zgjidhje ka një shtrirje paneuropiane. Arsyet se përse EM është kaq popullore sa të detyrojë edhe vende si Gjermania ta shqyrtojnë, do t’i parashtrojmë duke pasur parasysh përfituesit në Republikën e Shqipërisë, në rast se ky sistem do të aplikohej që ditën e nesërme.
Në radhë të parë, në vazhdimësi të politikave që bënë të mundur hartimin dhe miratimin e masave alternative ndaj dënimit me burgim, EM ka synimin që të shtojë përfituesit nga këto masa, si edhe të rrisë numrin e përfituesve të masave të sigurisë të ndryshme nga burgimi, pasi një mbikëqyrje më eficiente e të dy kategorive do të nxisë gjykatat të aplikojnë më shumë të dyja masat. Në radhë të dytë, përfitime do të ketë Policia e Shtetit, për arsye se mbikëqyrja elektronike do të lirojë efektivët e këtij institucioni nga detyrimi për të mbikëqyrur personat ndaj të cilëve aplikohen masat. Sot, Policia e Shtetit mbikëqyr me shërbime 24-orëshe një numër të madh shtetasish dhe kjo sjell që këta punonjës të mos kryejnë detyrat e tyre funksionale në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike. Përfitim do të ketë edhe buxheti i shtetit, pasi mbikëqyrja e subjekteve me punonjës policie rrit shpenzimet operative dhe një reduktim i vizitave si nga ana e punonjësve të Shërbimit të Provës, ashtu edhe nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, do të ulë shpenzimet që mbart angazhimi dhe udhëtimet e këtyre punonjësve.
Përfitues tjetër është sistemi i burgjeve, pasi mendohet se aplikimi i masave të ndryshme nga burgimi, për të gjitha kategoritë ndaj të cilave mund të përdoret mbikëqyrja elektronike, ul numrin e personave që janë nën kujdesin e sistemit penitenciar, duke ulur si barrën e punës për punonjësit e këtyre institucioneve, ashtu edhe shpenzimet që mbart çdo i burgosur apo i paraburgosur.
Më e rëndësishme është se nga nisma do të përfitojë publiku i gjerë, për faktin se jo vetëm do të rritet siguria publike nga mbikëqyrja më efikase e subjekteve të sipërpërmendura, por do të kenë zgjidhje disa probleme specifike, të cilat deri tani nuk kanë pasur mundësi të adresohen. Mjafton të mendojmë për personat që kryejnë vepra penale kundër të miturve, sistemi do të mundësonte evidentimin e rrezikut sa herë që një individ i tillë i afrohet një shkolle apo institucioni tjetër për të mitur. Aktualisht, problemet më serioze janë personat të cilët marrin si masë sigurie arrestin në shtëpi dhe arrijnë të largohen dhe personat që dhunojnë familjaret e tyre, pasi mundësia që realisht këta persona të kontrollohen është shumë e vogël dhe, si rrjedhim, gjykatat vendosin në paraburgim një numër shumë herë më të madh njerëzish sesa kolegët e tyre në Europë dhe rajon, duke shkaktuar kështu kritika të ashpra ndaj sistemit gjyqësor, nga organizatat e të drejtave të njeriut. Mbikëqyrja Elektronike do të garantojë gjithë publikun se një person që qëndron me arrest në shtëpi, është po aq i mbikëqyrur sa një person që ndodhet i burgosur dhe se këta persona nuk kanë mundësi të bredhin të qetë rrugëve të qytetit vetëm se kanë arritur të “miklojnë” policët që duhet t’i mbikëqyrin.
Për ata që kanë lexuar këto argumente dhe po “tmerrohen” nga ideja se shteti do të mbikëqyrë me pajisje hi-tech gjithë shtetasit e vet, i bëj me dije se ka një standard të pakalueshëm kur flitet për ME dhe ky standard është pëlqimi i individit që do të mbajë të lidhur në dorë ose në këmbë pajisjen, e cila ka përmasat e një ore të zakonshme dore.
*Këshilltar i Ministrit të Drejtësisë për Hartimin dhe Legjislacionin

© Panorama.al

Te lidhura