Pse i the që të thashë? Paria në jaht prapavija në Lanë

Jul 16, 2012 | 11:22

Kam një lajm të mirë! Pashë përpara disa ditësh që e pastronin paksa Lanën, po hiqnin të gjitha ato pengesat që ndalojnë rrjedhjen e lirshme të aromave, tani qarkullon lirshëm dhe shpërndahet më mirë në ajër. Mos thoni që nuk u gëzuat të gjithë ju që u bie rruga andej përditë. Shëtitjet do t’i keni më të freskëta, për më tepër që ra edhe ca shi. E patë? Ylberi, ylber, flladi, fllad, të tëra të mirat. Jo po ik zvarritu plazheve. Jo vapa e jo uji ndotur e, ohu 500 të zeza. Ta besoni që s’shkohet! Bosh i keni plazhet këtë vit. Edhe ATA vetë nuk rrinë. Ata pra, të mëdhenjtë, për të cilët flasim gjithnjë këtu. U lodhën aq shumë nëpër punëra gjatë vitit, saqë kanë kohë që janë zhvendosur nga Tirana. E nisën si fillim me fundjava nëpër vilëzat që kanë buzë atij pisllëkut të detit (s’e kanë të gjithë fatin t’i kenë buzë Lane) po tani kanë ikur fare. S’duket më njeri gjëkundi. Ja provoni merrni ndonjë në telefon, s’jam aty do ju thotë, me kismet e zgjidhim këtë punë nga shtatori. Po ju nxitoi puna e vendosni të shkoni vetë deri në Durrës a “Ngjal”, mos u lodhni kot se kanë ikur, kot sa për kamuflim është ajo shtëpiza fare e vogël që kanë aty. Le që nuk i nxë njëherë, si të rrinë në gjithë këtë vapë, u merret fryma. Do njeriu ajër, hapësirë…
Ja prandaj, ju them. Zgjidhja optimale është tjetër. Jahtet! Jo se do kënaqesh kushedi se ç’ëë, se qejf bëjmë vetë ne, po ju duhen edhe për çështje teknike. Dimri që sapo lamë pas ishte i rrezikshëm me të gjithë ata mikroçipa që kishte në qarkullim. Të del boja kot së koti për hiçmosgjë. Më mirë ik atje tej, në mes të detit, e bëj muhabet rehat, si njeri. Kështu bëjnë hallembajtësit tanë. E pra këta, politikanët, ia hipin jahtit atje te porti i Orikumit në Vlorë, e gjezdisin brigjet. Jo se u shërben për vete. Ata përfitojnë nga bisedimet që kanë për të zhvilluar për t’u çlodhur edhe ca për vete. Siç dihet, “peshat” e dimrit mund të kenë qenë të rënda, ku ta heqin lodhjen. Paratë e kursyera për të përvetësuar një jaht po shtohen gjithnjë e më tepër. Po pse të mos shtohen, jemi gjë në krizë ne, s’jemi! Ata që kanë halle t’i zgjidhin, mos të merren me ne. E për pasojë, porti i vetëm i jahteve në Shqipëri po shtohet dita-ditës nga shtëpitë ujore të hallexhinjve. Po çfarë t’ju themi kot, se ndofta i shikoni edhe vetë. Ndodh që të lodhen nga planthurrjet se kush do ta mbajë hallin më të madh, dhe ankorojnë në gjirze të vogla, ku ka ndopak njerëz. Që të ndihen edhe më të socializuar. Se ja të humbet mendja atje në mes të detit! Prandaj ju, që të vazhdoni të jeni të qetë, mos iu ndani këtyre shëtitjeve buzë Lane a buzë cilitdo pellgu që ju ndodhet në qytet, se s’keni pse të merakoseni. Të paktën jo për sa kohë që keni njerëz mbi krye që mendojnë për ju, madje aq sa sakrifikojnë edhe pushimet e veta.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura