Pse i the që të thashë?

Jan 15, 2012 | 12:57

Kuvendi i grave të kuvendit

Po pate ndonjë shoqe te Kuvendi, ia hodhe. Nuk ke pse ta vrasësh mendjen e të hapësh gjithë rubrikën me emra të telefonit për të gjetur se kë duhet të telefonosh për të marrë vesh ndonjë gjë. Se një çik do kërkosh tani se ç’bëhet vërdallë. Jo, që të mos ngelesh e fundit që e merr vesh, të mos hapësh sytë kur lajmi ka  marrë dhenë. Do thoni ju: Ku ta gjejmë ne një shoqe te Kuvendi? S’ka rëndësi të jetë shoqe prej vërteti. Mjafton edhe një shoqe që i kishte thënë një shoqeje se shoqja e saj që punon atje… Po nëse as kështu nuk arrini dot, keni ende shpresa. Jeni në vendin më të mirë, ku ju bëjnë punë edhe burrat (në këtë drejtim them). Madje, ata janë dora e parë e informacionit. Po jo burra që bëjnë ndonjë punë të vogël aty-këtu mo jo, ata të mëdhenjtë. Deputetët, pra! Dinë nga thashethemet më të vogla që ty as ta pret mendja, deri te gjërat e mëdha. Ça janë gjërat e mëdha? Po ndonjë ndarje a bashkëjetesë e beftë. Të voglat pastaj janë nga më banalet. Mund të vihen të tërë në lëvizje për shembull, se pse filanka kishte shkruar filan status në Facebook. Dhe e gjejnë. Me dy-tri telefonata, çështja është e zgjidhur. Aha, e paskësh pasur që t’ia shihte ajo tjetra. Po e miiiii, se po të bëje lidhjen me komentin që kishte bërë më vonë, përgjigjen që i kishte dhënë atij shokut të vet, e bëje direkt lidhjen! Pas këtij zbulimi, të gjithë qetësohen dhe nisin punën për shpërndarjen e llafit. Kjo punë mund të përkojë edhe me orarin e kafes. Në mos, do nxirret një listë me numra që mund t’u bjerë edhe tensioni po s’e morën vesh brenda një afati të caktuar kohor. Por që të punosh me ritme kaq të përshpejtuara, të përballosh një volum të tillë pune, duhet doemos të kërkosh punë apo qoftë të nisësh me honorare te Kuvendi i Shqipërisë. Natyrisht që të piketuar janë gjithmonë personazhe të njohur ëë! Të të gjitha fushave. Pastaj, rrethi zgjerohet, sepse ky njeriu i njohur me dikë do shoqërohet. Po pse nuk do merret një çik vesh, qysh, pse, me kë, e si këto?! Ai mund të shkelë në dërrasë të kalbur për shembull. Po pse e pranueshme është kjo?! Ç’i ngeli shokut të tij që ka ditur gjithçka dhe s’i ka treguar?! Prishen nesër-pasnesër për hiçmosgjë. Po nga ana tjetër, ky që di gjëra jo dinjitoze për shokun e atij, sikur i vjen edhe zor që t’ia plasë shokut në fytyrë. Kështu që përpara se t’i thyejë zemrën, konsultohet njëherë me kolegët, e rrahin mirë këtë çështje, dhe në fund, ia shtrojnë mikut të tyre. Tani ata mund të mbërrijnë me pak vonesë, po ç’rëndësi ka! Tek e fundit, gjatë kësaj kohe, mendjen po vrisnin. Prandaj, nëse e keni fiksim të zbuloni se mos ndonjë nga këta të mëdhenjtë ka ndonjë hall, shkoni një herë nga Kuvendi, se nuk ju gjen gjë. Tek e fundit edhe me atë shoqen e fakultetit vajtët kohë që nuk jeni bërë mbarë për ta pirë një kafe. Se mos interesoheni dhe e jepni veten që në fillim! Po jo mo jo, se nuk ka nevojë. Pa ardhur porosia, ka nisur vetë ajo. Kanë kaluar aq minuta sa t’ju ketë pyetur shpejt e shpejt për shëndetin e ata të shtëpisë, e pastaj avazin. “Moj më thanë kshu-kshu…, di gjë ti?!”. Ti sigurisht që nuk di, se për atë punë ke vajtur. Por kjo është fjalia hapëse gjithnjë. Se dhe ajo s’ka se si të ta hapë bllokun me vrap. Duhet të të sqarojë një herë që edhe asaj vetë rastësisht i kanë thënë, nuk është se merret me nga këto gjëra. Po nëse kafet me të i shpeshton, duke i çuar të paktën një në javë, e kupton se si funksionon skema. Vetëm mos u rënç në gojë, thuaj! Sidomos burrave, se gratë vetëm sa i tjerrin!

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura