Partia Socialiste ka zbardhur takimin e zhvilluar ne mesdite mes kreut te saj dhe trojkes se ambasadoreve. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, Ambasadori i BE Etore Sekui e Ambasadori i OSBE Eugen Wollfarth kanë ndarë së bashku për më shumë se dy orë qendrimet e tyre me Kryetarin Rama lidhur me përshpejtimin e procesit integrues të vendit.
Sipas njoftimit te PS-se, publikuar edhe ne faqen e saj zyrtare, trojka e ambasadorëve ka vlerësuar Paktin me 10 pika si një mundësi shumë të mirë për nisjen e dialogut në mënyrë që të shkohet para me procesin përafrues me BE-në.
Pas takimit ndër të tjera Ambasadori i OSBE, Wollfarth shprehu mbështetjen për një dialog eficent mes palëve nisur nga Pakti i ofruar nga lideri i opozitës: “ Ishte një takim shumë rezultativ. Bëhet fjalë për procesin që tashmë është në rrugë e sipër këtë vjeshtë. Ky proces duhet të ecë përpara. Janë bërë ndërkohë propozime të rëndësishme. Z. Edi Rama na dha informacion shtesë lidhur me propozimet e tij. Kjo ishte një listë e hapur, filluar me mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe Kodit Zgjedhor në të ardhmen, edhe çështje të tjera. Një nga pikat e rëndësishme është që bëhet fjalë për një listë të hapur dhe që ka propozim për të patur dialog me qeverinë. Propozimi për të patur bisedime me shumicën është i rëndësishëm dhe duhet marrë parasysh nga të gjitha palët e interesuara. Nëse kjo merret parasysh në kohën e duhur deri pranverën e ardhshme duhet të sjellë rezultatet e veta. Ne jemi, gjithashtu këtu, për të mbështetur palët e ndryshme, për t’i ndihmuar ata që të bëjnë përpara dhe OSBE mbetet e gatshme për të identifikuar pikat e përbashkëta, rrugën që do të bëhet për progres dhe sidomos kur vjen puna tek çështja e integrimit në BE.”
Duke qenë në mbështetje të deklaratës së Ambasadorit të OSBE, Etore Sekui Ambasadori i BE iu referua vetëm një thënie të popullit tonë për të përkufizuar situatën politike dhe hapat integrues, pas takimit në zyrën e Kryetarit Rama: “Unë pajtohen plotësisht me deklaratën e ambasadorit Wollfarth. Kam vetëm diçka për të shtuar, “Gur, gur bëhet mur”.
Për të plotësuar interesin e medias Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu ka ritheksuar mbështetjen e pakursyer të vendit të tij për afrimin e plotë të Shqipërisë me BE: “Unë mbështes plotësisht atë që sapo thanë dy kolegët. SHBA mbështet me gjithë zemër rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE dhe ne do bëjmë gjithçka për ta mbështetur këtë.”
Kryetari Rama në këtë takim shoqërohej edhe nga dy deputetët socialistë, Ditmir Bushati dhe Damian Gjiknuri.
© Panorama.al











