PS voton marrëveshjet për Bilishtin dhe Kosovën në Kuvend

Oct 21, 2011 | 10:39

Maxhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat për herë të parë pas një periudhe të gjatë teksa kanë votuar dy marrëveshje në Parlament. Në mbledhjen e djeshme, 128 deputetë të të dy krahëve politikë kanë miratuar marrëveshjen për financimin e ujësjellësit të Bilishtit, ndërkohë që e vetmja votë kundër ishte ajo e Sajmir Tahirit. Ai sqaroi më pas se votoi në këtë mënyrë vetëm për të marrë fjalën dhe për t’i kërkuar sqarime ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, për vdekjen e një minatori në Bulqizë. Fillimisht ishte deputeti i PS-së në Korçë, Arben Ahmetaj, i cili e vlerësoi marrëveshjen duke paralajmëruar votën pro. “Në komision ne votuam pro dhe vendosëm të vinim theksin në monitorimin e këtij projekti për të përfunduar me cilësi dhe në kohën e duhur. Në marrëveshje ka elemente, të cilat duhet të shikohen, por ajo që ne vumë re ishte procesi i tenderimit. Ngelet një pikëpyetje ky proces, pasi në fund të fundit kjo është një kredi dhe atë do ta paguajnë taksapaguesit shqiptarë. Ne e konsiderojmë tepër të rëndësishme këtë marrëveshje dhe veçanërisht projektin e furnizimit me ujë të qytetit të Bilishtit. Ne do ta votojmë pro”, u shpreh Ahmetaj. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Igli Cara, theksoi se “huaja prej 7 milionë euro është pjesë përbërëse e një pakete financuese të Austrisë, që i ka vënë në dispozicion Shqipërisë kredi të buta për zhvillimin e vendit në shëndetësi, infrastrukturë dhe informatizimin e qeverisjes. Realizimi i këtij projekti do të mundësojë rikonstruksionin tërësor të rrjetit të furnizimit të shpërndarjes, rezervuarëve dhe depove të ujësjellësit”. Gjatë seancës deputetët e opozitës dhanë votën e tyre pro edhe për një marrëveshje me Kosovën, për transportin rrugor.

Seanca: Replikat Topalli-Tahiri në Kuvend
Pas interpelancës me ministrin Pollo të kërkuar nga Taulant Balla, kryeparlamentarja Topalli i kujtoi opozitës edhe njëherë fletë thirrjet e gjykatave për dy deputetë të opozitës. “Në ato raste që është treguar tolerancë dhe nuk janë zbatuar, ka një shkallë më lartë dhe mua në Kuvend më kanë ardhur dy padi që kërkojnë dy deputetë, që do të paraqiten në gjyq si parafolësi edhe ai tjetri që unë e kam falur herën tjetër, të cilët do të përballen me shpifjen dhe përbaltjen që hedhin këtu në Parlament. Parlamenti ka një rregullore dhe ka një ligj, çdo gjë që ju duket se ju shton bursën e krediteve, në bursën e shpifjes i bën dëm Parlamentit, por ju bën dëm edhe juve. Megjithatë, ju keni gjetur rrugën tuaj, padinë e keni në gjykatë, do të jeni njëri më 31, njëri më 26. Edhe për njërin, edhe për tjetrin, fletë-padinë e kam në zyrën time”, u shpreh Topalli.
Në përgjigje, deputeti Tahiri theksoi: “Të falënderoj për zemërgjerësinë që ma fale atë mandatin që më dha këpucari i Parlamentit javën tjetër. Gjithsesi, e vlerësoj që ministri Olldashi u çua këtu për të bërë një njoftim lidhur me incidentin që ka ndodhur dje në ujërat territoriale të Shqipërisë. Po ju kujtoj që ka ndodhur një gjë tjetër po aq e rëndë dy ditë më parë, një vdekje e paralajmëruar i Gërdecit të heshtur në Bulqizë që ne ia kemi thënë këtu. Nuk është hakmarrja e minierës ajo që i mori jetën minatorit dhe plagosi 9 të tjerë, por është neglizhenca kriminale që u merr jetën minatorëve”.

© Panorama.al

Te lidhura