
Anëtarësia socialiste votoi dje përmes parimit “Një anëtar, një votë”, për 880 delegatët e Kongresit të 5 nëntorit. Procesi nisi dje në mëngjes në orën 08:00 dhe u mbyll vetëm kur mbaruan të gjithë anëtarët e PS që kishin dëshirë të votonin. Ishte parashikuar që procesi i votimit të anëtarëve të PS për të zgjedhur delegatët e Kongresit të mbyllej në orën 16:00. Por, duke parë që në këto orë të fundit ka pasur fluks të madh nga anëtarë të PS për të votuar, ky proces u shty përtej kësaj ore. Menjëherë pas përfundimit të votimit, grupet e votimit që u morën me këtë proces nisën të numërojnë votat. Në bazë të udhëzimit që miratoi Asambleja Kombëtare, numri i delegatëve përcaktohet në bazë të numrit të anëtarësisë së partisë në rang bashkie apo komune, regjistruar deri më 30 qershor 2011. Dhe në bazë të kësaj, në të gjitha degët brenda vendit do të zgjidhet 1 delegat për 100 anëtarë partie.
Rama
Kryesocialisti Edi Rama votoi dje në qendrën e votimit pranë Njësisë Nr.2 në Tiranë rreth orës 10:00 të paradites. Pas votimit, Rama u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e socialistëve në votim. “Përshëndes të gjithë anëtaret dhe të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë që sot, ashtu si

dhe një pjesë në emigracion, po votojnë për konstituimin e Kongresit të ri të Partisë Socialiste. Jam shumë i kënaqur nga të dhënat që kemi deri tani për pjesëmarrjen. Ashtu sikundër jam shumë i kënaqur për konsolidimin e një tradite të promovimit të barazisë gjinore në forumet e Partisë Socialiste të Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Dukej se e gjithë vëmendja e selisë rozë dje ishte pjesëmarrja e anëtarëve të PS në zgjedhje, të cilat u zhvilluan përmes parimit “Një anëtar, një votë”. Në mesditë, juristi Genc Gjonçaj, kryetar i komisionit zgjedhor në Partinë Socialiste, deklaroi se deri në orën 12:00 pjesëmarrja në votim në rang kombëtar ka qenë 55%. “Procesi ecën mirë dhe ka një interes të anëtarësisë për të votuar. Ka komuna e bashki ku votimi shkon në 70-80%. Një mesatare shumë e kënaqshme, kjo tregon një interes për t’u shprehur për ata që do përfaqësojnë strukturat e partisë në Kongres”, u shpreh Gjonçaj. Në bazë të Statutit të PS-së, pjesë automatike e Kongresit janë edhe ish-kreu i PS-së dhe njëherësh ish-kryeministri Fatos Nano, ish-presidenti socialist, Rexhep Meidani, ish-kreu i Kuvendit, që është njëherësh edhe anëtar i Asamblesë Kombëtare, Servet Pëllumbi, ish-kryeministri Ylli Bufi, deputetët dhe anëtarët aktualë të Asamblesë Kombëtare.
880 delegate
të Kongresit të PS janë zgjedhur dje përmes parimit “Një anëtar, një votë” në të gjithë vendin. Numri total i delegatëve është 1500 për shkak se pjesa tjetër kalon automatikisht si të zgjedhur në PS
80 mije
anëtarë kishin dje të drejtë për të votuar në zgjedhjen e delegatëve të Kongresit të PS. Ata iu drejtuan kutive të votimit që ishin ngritur në çdo njësi bashkiake apo komunë
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











