Tryeza, PS, fton krerët e maxhorancës për reformën në Drejtësi

Oct 28, 2011 | 11:14
Fatmir Xhafaj

Partia Socialiste fton maxhorancën në një tryezë debati për reformën në Drejtësi. Gati dy muaj pas nisjes së punimeve të Parlamentit dhe replikave në distancë për miratimin e ligjeve që kërkojnë tre të pestat e votave, opozita ka marrë iniciativën për të organizuar një takim për të reflektuar, siç thuhet në tekstin e ftesës, për rekomandimet e progres-raportit të Bashkimit Europian. “Në tryezë janë ftuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të Çështjeve Ligjore, administratës publike dhe të drejtave të njeriut, përfaqësues të Trupit Diplomatik, akademikë, përfaqësues të grupeve të interesit si dhe projekteve dhe organizatave jofitimprurëse vendase dhe të huaja që veprojnë në Shqipëri në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë. Tryeza synon zhvillimin e një debati të hapur konsultues lidhur me përgjegjësitë që rrjedhin nga rekomandimet e progres-raportit të BE-së për sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe nevojën për reflektimin e tyre”, thuhet në ftesën që është shpërndarë nga Partia Socialiste dhe që mban firmën e nënkryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Selia rozë bëri të ditur dje se kjo ftesë ka shkuar edhe për Kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, kryetarin e Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur për gazetën se p7ërfaqësuesit e maxhorancës nuk do të jenë të pranishëm në këtë tryezë për shkak sepse e konsiderojnë si aktivitet partiak dhe të njëanshëm. Zyra e shtypit e Kryeministrit Sali Berisha bëri të ditur dje në mesditë se kreu i qeverisë do të jetë në vendlindjen e tij, në Tropojë, ku do të marrë pjesë në inaugurimet e dy akseve rrugore, ceremoni që nuk pritet të përfundojnë para orës 12:00, kohë në të cilën do të nisë edhe tryeza e thirrur nga opozita në Hotel Sheraton. Ndërkohë, përfaqësues të Partisë Socialiste konfirmuan mbrëmë për gazetën “Panorama” se gjatë ditës së djeshme kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre përfaqësues nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë, Komisioni Europian dhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane, ndërkohë që ka munguar konfirmimi nga Partia Demokratike.
Në fillim të tetorit, kreu i PS-së i kërkoi Kryeministrit të shprehet për 10 pikat e paktit të tij për integrimin, duke e nisur punën nga reforma në Drejtësi. “T’i japim Komisionit të Ligjeve një axhendë reformash. Po të doni e vendosim Gjykatën Administrative dhe reformën e sistemit të Drejtësisë në pikën e parë të axhendës. Dhe të mos harrojmë se ka një sërë ligjesh që duhen miratuar në këtë kuadër. Këshilli i Lartë i Drejtësisë do një ligj. Konferenca Gjyqësore do një ligj. E me radhë. Ne jemi gati. Jemi plotësisht të qartë çfarë duhet të bëjmë së bashku, siç jemi të bindur se kuadri i reformës në Drejtësi, ku hyn edhe Gjykata Administrative, kërkon harmonizim me Kushtetutën. Saliu duhet ta thotë publikisht, do apo nuk do që deri në maj të kemi mbyllur një proces që zvarritet pa asnjë justifikim të mëtejshëm?”, u shpreh Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist.

tryeza
Në ftesën dërguar Partisë Demokratike, Trupit Diplomatik, grupeve të interesit dhe akademikëve, thuhet se prezantimi i qëllimit të tryezës do të bëhet për 30 minuta dhe pastaj për 60 minuta do të ketë diskutime të lira nga të gjithë të pranishmit. Në fund, përpara mbylljes, do të ketë 15 minuta një përmbledhje të të gjitha konkluzioneve të data nga ky takim.

Teksti i ftesës
Ditën e premte, më datë 28 tetor 2011, ora 12:00, në Hotel Sheraton, salla “Iliria”, Grupi Parlamentar socialist – Komisioni i Ligjeve, do të zhvillojë tryezën me temë: “Drejtësia në sfidën e integrimit, reflektim mbi rekomandimet e raport progresit të BE-së”. Në tryezë janë ftuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të Çështjeve Ligjore, të administratës publike dhe të drejtave të njeriut, përfaqësues të Trupit Diplomatik, akademikë, përfaqësues të grupeve të interesit si dhe projekteve dhe organizatave jofitimprurëse vendase dhe të huaja që veprojnë në Shqipëri në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë. Tryeza synon zhvillimin e një debati të hapur konsultues lidhur me përgjegjësitë që rrjedhin nga rekomandimet e progres raportit të BE-së për sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe nevojën për reflektimin e tyre.
Në emër të Grupit të deputetëve socialistë në Komisionin e Ligjeve kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në këtë tryezë debati.

Gjiknuri: Gati për reformë. Sistemi, jo kusht për tryezën
I mandatari i PS-së për reformën zgjedhore, deputeti Damian Gjiknuri, shprehu dje gatishmërinë e kësaj force për t’u ulur sa më parë në tryezën e reformës zgjedhore. “Jemi të gatshëm të nisim sa më shpejt, që nesër, nëse plotësohen disa ndjeshmëri të Partisë Socialiste rreth disa problemeve kryesore. Duhet të merren parasysh disa pika që të arrijmë në konsensus të gjerë, pika që nuk i ngre vetëm PS, por që figurojnë edhe në raportin e ODIHR-it si problematike. Kështu, interesi do të jetë i përbashkët, ndërsa koha për veprim është kritike, reforma duhet të bëhet tani, për të pasur garanci që do të jetë e suksesshme. Për Partinë Socialiste çështja e sistemit zgjedhor nuk është kusht për të nisur punën për reformën zgjedhore”, u shpreh Gjiknuri. Sipas tij, pritet që faktori ndërkombëtar të thotë fjalën e fundit në nisjen nga puna të komisionit të reformës. “Ka komunikim mes palëve. Ka një interesim të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët. Ka gatishmëri nga Komisioni i Venecias për të ndihmuar komisionin dhe jo partitë politike. Çështjet e debatueshme duhet të kanalizohen te komisioni. Interesimi i partnerëve ndërkombëtare që të nisë sa më shpejt procesi është i madh”, u shpreh Gjiknuri.

Berisha: “Vullnet të bashkëpunojmë me PS-në”
Kryeministri Sali Berisha është shprehur sërish i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Këtë qëndrim, kreu i qeverisë e ka shprehur me Luka Volonten, anëtar në Parlamentin Italian si dhe president i Grupit Popullor Kristian–Demokrat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe anëtar i Komitetit Presidencial të kësaj asambleje. “Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend. Kryeministri rishprehu gatishmërinë për bashkëpunim vullnetmirë me opozitën dhe të gjithë faktorët e tjerë në çuarjen përpara të procesit të integrimit europian dhe reformave të nevojshme në këtë drejtim. Ai shprehu shpresën se i njëjti vullnet do të konkretizohet edhe nga opozita në mënyrë që vendi të përmbushë objektivat strategjike të integrimit europian”, thuhet në njoftimin për shtyp.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura