PS: Të përjashtohet Berisha

Oct 18, 2011 | 12:29
Sajmir Tahiri

Deputetët socialistë të Tiranës i kërkuan dje përmes një letre Byrosë së Kuvendit të ndëshkojë Kryeministrin Berisha për fyerje ndaj deputetit socialist, Sajmir Tahiri. Letra e firmosur nga nëntë deputetë kërkon thirrjen menjëherë të mbledhjes së Byrosë.
Sipas tyre, deputeti Sali Berisha duhet të përjashtohet nga seancat plenare për dy javë dhe t’i mbahet pagesa për këtë periudhë. “Kërkojmë mbledhjen e menjëhershme të Byrosë së Kuvendit për të marrë masën disiplinore të ndalimit 15 ditë të pjesëmarrjes në seance plenare ndaj deputetit Sali Berisha, si dhe me sanksionin financiar të mbajtjes së pagës për aq ditë sa zgjat masa disiplinore”, thuhet në letrën e

deputetëve socialistë. Sipas tyre, “Deputeti Sali Berisha është drejtuar me fjalë fyese ndaj deputetëve të opozitës, duke mos kursyer as kërcënimet ndaj deputetit Sajmir Tahiri, të cilit iu drejtua me shprehjen “Do të ta bëj fytyrën më të zezë se këpucën”. Për më tepër, kjo shprehje dhe ky fjalor është sjellje e përsëritur e të njëjtit deputet, edhe pse nuk është ndëshkuar kurrë siç parashikon Rregullorja e Kuvendit”. Letra është firmosur nga deputetët Ditmir Bushati, Ilir Gjoni, Dashamir Peza, Vasilika Hysi, Besnik Baraj, Eglantina Gjermeni, Eduard Shalsi, Fatmir Xhafaj, Enkelejda Shkreli.
Byroja
Byroja u mblodh dje pasdite për t’u njohur e diskutuar në lidhje me projektbuxhetin e Parlamentit për vitin e ardhshëm. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi që Sekretariati për buxhetin të shqyrtojë gjithashtu buxhetin para miratimit të tij në qeveri.
Sipas procesverbalit të mbledhjes së Byrosë, sa i përket kërkesës së 9 deputetëve të PS, Byroja e hodhi poshtë si të pabazuar. “Me dëshirën për një frymë bashkëpunimi për 12 prioritetet e BE, Kryetarja e Kuvendit nuk përjashtoi nga punët e Kuvendit deputetin e PS, Sajmir Tahiri, i cili në mënyrë të përsëritur, larg etikës parlamentare, në seancën e kaluar, ka shkelur nenin 64, 65 të Rregullores, duke tentuar të provokojë seancën plenare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Arta Dade
Deputetja socialiste, njëkohësisht sekretare për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade, kërkoi dje sqarime nga drejtuesi i Grupit, Ruçi, për mungesën e gjatë të deputetes Rudina Seseri në Kuvend. Sipas sekretares socialiste, elektorati dhe anëtarësia e PS pyesin vazhdimisht për mungesën e deputetes Seseri, ndërsa vetë ajo ka thënë se ndihet në vështirësi për të dhënë një përgjigje sa më korrekte dhe për të ruajtur imazhin e grupit parlamentar.
Si përgjigje, mësohet se Ruçi ka kërkuar që çdo deputet të kryejë angazhimet e tij partiake dhe parlamentare.

Gjykata
Gjykata e Tiranës ka lëshuar dje një fletëthirrje në adresë të deputetit socialist Sajmir Tahiri, për paraqitje pranë kësaj Gjykate në seancën gjyqësore më 31 tetor. Tahiri është paditur nga ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, për shpifje dhe kërkon prej tij dëmshpërblim financiar. Gjatë interpelancës në Parlament për çështjen e minierave të Bulqizës, Tahiri akuzoi ish-ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, për afera korruptive në dëm të shtetit. Padia civile do të gjykohet nga gjyqtari Ervin Pollozhani.

PS, Klosi: Në Kongres s’do ketë përjashtime
Sekretari organizativ në Partinë Socialiste, Blendi Klosi, hodhi poshtë dje zërat se në kongresin e 5 nëntorit do të ketë përjashtime apo ndryshime në statut. Sipas tij, selia rozë pranon mendimin ndryshe, por jo veprimin në kundërshtim me vendimet e organeve drejtuese. “Këto janë teori të cilat nuk i shkojnë mendimit ndryshe, Partia Socialiste ka dëshmuar në të gjithë jetëgjatësinë e saj, si një parti që ka pranuar debatin, mendimin ndryshe, por jo veprimin në kundërshtim me vendimet e organeve drejtuese. Në traditën tonë nuk është tradita agresive. Bën karrierë duke punuar pranë elektoratit dhe duke marrë votën nga ai”, u shpreh Klosi në një intervistë për NEWS24. Për sa i përket përzgjedhjes së delegatëve, sekretari organizativ i PS tha se ka përfunduar faza e parë e përzgjedhjes së emrave të delegatëve për në Kongres dhe votimi do mbahet më 22 tetor. Gjithashtu, ai sqaroi se procesi është transparent dhe jo i komanduar nga qendra.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura