Grupi Parlamentar i PD ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese mosmiratimin e ngritjes së Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë dhe administrimin e fondeve të programit IPARD II në bujqësi.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, grupi i PD argumenton se rrëzimi me votë politike të mazhorancës i një të drejte kushtetuese të opozitës, e bën rolin e deputetëve të saj në Kuvend, jo thjesht të papërfillshëm, por mbi të gjitha fasadë e një normaliteti të rremë që vret çdo ditë rregullat dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik.
Kjo, thekson PD, ka vënë seriozisht në pikëpyetje nevojën e prezencës së opozitës në Kuvend, por dëmton edhe interesin publik për shkak se deputetët nuk ushtrojnë dot përgjegjësitë dhe funksionet e tyre.
“Nëse opozita nuk diskuton dot në Kuvend cështje që kanë interes për qytetarët, nëse nuk ushtron dot kontroll ndaj qeverisjes, nëse nuk shtyn dot përpara miratimin e ligjeve/amendamenteve në interes të qytetarëve, nëse nuk përfillet në të drejtat e saj që ia njeh Kushtetuta e Shqipërisë, atëherë roli i saj në Kuvend është thjeshtë formal duke mos përmbushur përgjegjësitë e veta në një shoqëri demokratike dhe duke dëmtuar kështu sistemin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve, si garanci për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar.”, thotë PD.
Sipas PD, Kuvendi rrëzoi kërkesën për Komisionin pa dhënë asnjë argument kushtetues, dhe pa ofruar asnjë “formulim alternativ”.
PD thekson se “Kuvendi duke vendosur mospranimin e kërkesës për ngritjen e një Komisioni Hetimor ka cenuar pushtetin e pakicës parlamentare të sanksionuar në nenin 77, pika 2 të Kushtetutës. E drejta e pakicës për të kërkuar ngritjen e komisionit hetimor është e pakufizuar nga vullneti i shumicës dhe sipas parashikimit kushtetues, Kuvendi është i detyruar të caktojë komision hetimi.”
PD kërkon nga Kushtetuesja që të zgjidhë mosmarrëveshjen ndërmjet pakicës parlamentare dhe Kuvendit, duke përcaktuar detyrimin e këtij të fundit për ngritjen e komisionit. Po ashtu, kërkon që ky vendim për të mos lejuar ngritjen e Komisionit hetimor të shpallet si i papajtueshëm me Kushtetutën.
“Kerkojme:
Pranimin e kërkesës për shtimin e objektit të kërkesës nr. 11 (J), datë 12.11.2025 që po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, si më poshtë:
“Në pikën 1 të kërkimit, shtohet:
“1. Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit: “(iii) Për kontrollin e ligjshmërisë dhe administrimin e fondeve të programit IPARD II (Instrumenti i Paraanëtarësimit për Zhvillimin Rural).”.
Pas pikës 3, shtohet pika 4:
“4. Deklarimi i vendimit nr. 12/2026 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë dhe administrimin e fondeve të programit IPARD II (Instrumenti Paraanëtarësimit për Zhvillimin Rural)”, si i papajtueshëm me Kushtetutën е Republikës së Shqipërisë.
- Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit: “Për kontrollin e ligjshmërisë dhe administrimin e fondeve të programit IPARD II (Instrumenti i Paraanëtarësimit për Zhvillimin Rural).
- Deklarimi i vendimit nr. 12/2026 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë dhe administrimin e fondeve të programit IPARD II (Instrumenti i Paraanëtarësimit për Zhvillimin Rural)”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”, thuhet në kërkesën e PD.












