
Maxhoranca cakton të premten për votimin e fundit me 84 vota. Meta: Votojmë Zaganjorin me 71 vota. Rama: Na jepni disa emra.
Debate mes PD e PS në Konferencën e Kryetarëve për datën e raundit të tretë.
PS nuk jep emra, maxhoranca drejt raundit me 71 vota.
Raundi i tretë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të zhvillohet ditën e premte, më datë 8 qershor. Dje maxhoranca dhe opozita janë përfshirë në debate në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, për caktimin e datës së zhvillimit të raundit të tretë të votimit, për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Konferenca e Kryetarëve e cila u mblodh dje në orën 12:00, nuk ka mundur të dalë në një qëndrim të unifikuar midis palëve për caktimin e datës së votimit. Sipas burimeve, mësohet se kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka kërkuar më shumë kohë në dispozicion për caktimin e datës së raundit të tretë. Për këtë Ruçi ka propozuar dy variante, për të zhvilluar votimin e kreut e shtetit ditën e diel, më datë 10 qershor, ose ditën e hënë më 11 qershor, në orën 10:00. Por kërkesa e kreut të Grupit të PS-së nuk është pranuar nga kryetarja e Kuvendit, e cila në mbledhjen e djeshme ka propozuar që votimi i tretë të behët ditën e premte, më 8 qershor, një ditë pas seancës së zakonshme të Parlamentit. Propozimet e Grupit të opozitës janë cilësuar nga kryetarja e Kuvendit si tejkalim i afatit kushtetues prej 7 ditësh dhe, si e tillë, nuk mund të pranohej. Kryetari i Grupit të PS-së ka insistuar që votimi i ardhshëm të bëhej në një afat me të gjatë për shkak të dhënies më shumë kohë të tryezës së negociatave. Por duket se maxhoranca është e vendosur të shkojë sa më shpejt te raundi i katërt, kur Presidenti sipas Kushtetutës zgjidhet me 71 vota. Burime pranë maxhorancës bëjnë të ditur se gjatë kësaj jave mund të zhvillohet një takim i dytë midis Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarit të PS-së Edi Rama vetëm vetëm në rast se opozita do të pranojë të paraqesë në tryezë emra konkretë kandidatësh për postin e Presidentit.
Diskutimi
PS-ja ka kërkuar një javë kohë për zhvillimin e raundit të tretë, që sipas Kushtetutës është mundësia e fundit për të zgjedhur një Presidentin me një shumicë të cilësuar votash, minimalisht 84 kartonë jeshilë të ligjvënësve. Por, për demokratët katër ditë janë të mjaftueshme, për të zhvilluar negociata dhe për të realizuar raundin e tretë të votimit në Parlament, të një kandidature konsensuale. Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është ndarë në dy qëndrime dhe pa dakordësinë e palëve për procesin e votimit dhe, për pasojë, vendimi përfundimtar do t’i kalojë seancës plenare të ditës së enjte. Ashtu si në mbledhjen e shkuar, propozimi i Grupit të PD-së do të hidhet i pari në votim dhe sipas gjasave do të miratohet me shumicë votash. Në mbledhjen e shkuar, maxhoranca arriti të merrte 74 vota pro për propozimin e saj, që raundi i dytë të konsumohej një ditë më parë.
Dështon raundi i dytë i votimit për Presidentin
Seanca rekord zgjat vetëm dy minuta, nuk ka kandidat
Dështoi dje raundi i dytë i votimit në Parlament për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Seanca plenare ka përfunduar si rrallë ndonjëherë dhe mbledhja e ligjvënësve ka zgjatur vetëm dy minuta, pasi nuk u paraqit asnjë kandidaturë që t’iu nënshtruar procesit të votimit. Parlamenti e ka çelur mbledhjen në orën 10:47 minuta dhe përfundoi në orën 11:49 minuta. Ndryshe nga seanca e shkuar, krerët e grupeve parlamentare nuk kanë debatuar për mungesën e një kandidature për postin e kreut të shtetit. Duket se takimi i dy ditëve më parë midis kryetarit të maxhorancës Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka zbutur tonet, edhe pse nuk dolën me një emër të përbashkët. Maxhoranca edhe në raundin e dytë të votimit nuk ka preferuar të hedhë zyrtarisht në garë kandidatin e saj, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Xhezair Zaganjori, për shkak të mungesës së konsensusit me opozitën. Kandidatura e Zaganjorit vazhdon të mbetet emri i shumicës parlamentare, pasi ai u përzgjodh nga tryeza e negociatave midis PD-së, LSI-së, PDIU-së dhe PR-së. Ndërkaq, në fillim të mbledhjes, kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi në përputhje me Kushtetutën edhe Rregulloren e Kuvendit, raundi i votimit quhet i përfunduar edhe pa kandidatë të regjistruar në Kuvend. “Raundi i dytë mbahet bazuar në nenin 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës, në nenin 109 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe në vendimin e Konferencës së Kryetarëve të datës 30.5.2012, miratuar më datë 31.5.2012. Në raundin e dytë nuk ka një kandidat formal për të zhvilluar votimin. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, votimi quhet i kryer”, theksoi Topalli.
Raundi i III
Sipas Kushtetutës, raundi i tretë i votimit është deciziv për zgjedhjen e kreut të shtetit me konsensus midis maxhorancës dhe opozitës. Raundi i tretë, ashtu si dy raundet e ezauruara, kërkon që kandidati për President që do të regjistrohet në Kuvend me 20 firmat e deputetëve, duhet të marrë jo më pak se 84 vota, pra një shumicë të cilësuar votash. Ndërkohë, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nëse kandidati për President në raundin e katërt nuk merr tre të pestat e votave, atëherë ai mund të miratohet me një shumicë të thjeshtë votash, pra 71 votat e shumicës në Parlament.
Kandidatët
Me çeljen zyrtare të garës për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, maxhoranca dhe opozita nuk kanë zyrtarizuar asnjë kandidaturë në Kuvend. Shumica parlamentare ka zgjedhur si kandidat gjyqtarin e Kushtetueses, Xhezar Zaganjorin, por ai nuk është ende zyrtar, pasi sipas Kushtetutës duhet të mbledhë firmat e 20 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk ka propozuar asnjë emër si kandidat për President. Ndërkaq, kandidatura e vetëshpallur e Fatos Nanos nuk mund të përfshihet në votim, për shkak të mungesës së firmave të deputetëve të PS-së.
Ambasadorët monitorojnë raundet e Presidentit
Raundi i dytë i votimit për postin e kreut të shtetit është ndjekur dje me vëmendje nga ambasadorët e akredituar në Tiranë. Ashtu si në seancën e shkuar, në lozhat e Kuvendit ishin dje pranishëm ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui dhe zëvendësambasadori i OSBE-së, Dan Redford. Diplomatët e huaj kanë mbërritur të parët në ambientet e Parlamentit dhe janë takuar fillimisht me deputetët e të dy kampeve parlamentare, për shkak të nisjes me vonesë të seancës. Ambasadorët kanë qëndruar në ambientet e Kuvendit për disa minuta me radhë dhe kanë pritur nisjen e saj. Në përfundim të seancës, diplomatët kanë shmangur pyetjet e gazetarëve lidhur me procesin dhe mungesën e konsensusit midis palëve.
Berisha: Mbështes Zaganjorin, opozita të paraqesë kandidatë

Kryeministri: Vetëm nëse opozita sjell emra, do ketë konsultime
Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës që të paraqesë kandidatin e saj në raundin e tretë të votimit, që pritet të mbahet ditën e premte.
Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kreu i maxhorancës tha se shumica do të vazhdojë të mbështesë kandidatin e nxjerrë, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori. “Sot shqiptarët prisnin votimin. Nuk ndodhi. Po vjen dhe raundi i tretë, uroj që të votojmë së bashku në raundin e tretë kandidaturën më të mirë. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të përpiqemi për mirëkuptimin më të gjerë të mundshëm, sikundër dhe një vetëdije e thellë për çdo qytetar, për çdo politikan ekziston se kryetari i shtetit duhet të ketë integritetin, dhuntinë dhe të gjitha vetitë e aftësitë për ta përfaqësuar me dinjitet sa më të madh vendin dhe kombin e tij, dhe të tillë Shqipëria ka”, u shpreh Berisha. Sipas tij: “Duke i shprehur mbështetjen e plotë kandidatit të përzgjedhur, ftojmë opozitën të shqyrtojë kandidatin, sikundër e ftoj të paraqesë kandidatin e vet dhe të angazhohemi në një proces konsultimesh civile, të përgjegjshme, në interes të procesit dhe të vendit”. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, Kryeministri u ndal edhe te takimi i një dite më parë me kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Ai tha se qëndrimi i shumicës është i qartë në këtë drejtim, për të marrë në konsideratë propozimet e ardhura nga opozita, por shtoi se kandidati i përzgjedhur duhet të jetë figurë e një niveli të lartë. “Preokupimi ynë duhet të jetë një proces thellësisht, plotësisht kushtetues. Besoj se jemi dakord që posti është posti i parë i shtetit. Çfarë dua të them me këtë? Nuk mundet që të shkojmë poshtë, ose të kërkojmë poshtë për të zgjedhur personin, jo, më lart, ndaj dhe në këtë kontekst ju garantoj se ne, dhe unë në mënyrë të përsëritur theksova në takim, se do të bëjmë vlerësimin e kandidaturës së paraqitur nga Partia Socialiste. Natyrisht duke besuar se kandidati i përzgjedhur meriton të gjithë mbështetjen tonë të plotë”, theksoi Berisha.
Batutat në Grup për Presidentin
Mbledhja e djeshme e Grupit PD-së nuk ka kaluar pa batuta mes Kryeministrit Berisha dhe deputetëve. Sipas Kryeministrit, përveç Paulina Hotit dhe Majlinda Bregut, të gjithë plotësonin kriterin e moshës për të qenë President. “Unë e mirëkuptoj që të gjithë politikanët, përveç Paulinës… Paulina edhe sa vjet të duhen ty? Edhe dy. Përveç Paulinës, të tjerët janë pak zemërthyer. Majlinda dhe Paulina, ju të paktën të më çonit mesazhin. Këtej thoni s’keni moshën, këtej thoni… Po të nxirrja unë emrin tuaj?”, u shpreh Berisha, duke iu referuar mbledhjes së një jave më parë ku u kërkoi deputetëve t’i shkruanin mesazh nëse nuk donin të ishin në emrat e përmendur për President.
Rama: PD të sjellë disa emra që ne të zgjedhim kë do votojmë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i kërkoi dje maxhorancës të propozojë disa kandidatura që opozita të zgjedhë se për cilin prej tyre do të japë konsensusin. Këtë deklaratë, kreu i PS-së e bëri në një intervistë në “Top Story”, pasi Parlamenti e vlerësoi si të ezauruar edhe raundin e dytë. “Maxhoranca të propozojë disa kandidatura, në mënyrë që të kemi alternativa për të vendosur se kë do të mbështesim”, u shpreh Rama. Ai tha se maxhoranca duhet të tërhiqet nga mbështetja që po i jep kandidaturës së Xhezair Zaganjorit. “Presim që pala tjetër të hapet përtej Zaganjorit dhe të një modaliteti që e shmang atë historinë ‘ngri emra e ul emra’, të kontribuojmë konkretisht, qoftë për të dhënë konsensus për një emër të përshtatshëm që propozohet nga pala tjetër, apo palët e tjera, qoftë për të kontribuar edhe ne, në kushtet kur kemi rënë paraprakisht dakord se do ta zgjedhim Presidentin me konsensus, dhe për këtë arsye po hapemi përtej këtij kandidati”, theksoi kreu i socialistëve. Sipas tij: “Këtu nuk bëhet fjalë që ne të përzgjedhim mes listës që sjell PD-ja, këtu bëhet fjalë që në radhë të parë ne të biem dakord, për një kornizë brenda së cilës ndërtohet pastaj edhe një ofertë me një numër të caktuar emrash. Kjo kornizë është shumë e rëndësishme: çfarë Presidenti duam dhe cili është Presidenti potencial që plotëson ato kushte për të cilat të dyja palët kanë nevojë për një konsensus, por më shumë se kaq, që plotëson kushtin për të qenë një garant i palëve, i institucioneve dhe i unitetit kombëtar”. Kryetari i PS-së u shpreh se nëse ka konsensus, çështja e imunitetit dhe ajo e reformës parlamentare mund të zgjidhen brenda një dite. Në të njëjtën kohë, sipas tij, edhe reforma zgjedhore mund të mbyllet brenda një kohe të shkurtër dhe në këtë mënyrë qeveria dhe opozita mund t’i drejtohen Komisionit Europian për të marrë statusin e vendit kandidat.
Meta: Nëse s’do kishim editorialin e Ramës, Presidenti do ishte zgjedhur
Kreu i LSI i jep mbështetje kandidaturës së Zaganjorit
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha dje në përfundim të seancës parlamentare se maxhoranca do të mbështesë kandidaturën e Xhezair Zaganjorit edhe në raundin e katërt, ku mjaftojnë 71 vota. “Maxhoranca nuk mundet të paraqesë një emër tjetër, për arsye se ajo diskutoi shumë emra, ky ishte emri më i gjetur dhe është një tregues i seriozitetit të maxhorancës që qëndron te kjo kandidaturë, e cila nuk kontestohet për cilësitë personale apo profesionale, por thjesht për mënyrën e komunikimit. Nëse nuk do të kemi konsensus për raundin e tretë, mund të ketë edhe një garë për raundin e katërt apo të pestë”, u shpreh Meta. Ai e quajti të paarsyeshme kërkesën e opozitës që maxhoranca të sjellë disa kandidatura për të përzgjedhur, ndërkohë që theksoi se nëse Rama nuk do të bënte editorialin para takimit Patozi- Ruçi, kreu i ri i shtetit do të ishte zgjedhur tashmë. “Ekziston për momentin një ngërç, i cili është më shumë psikologjik, sesa real. Pretekst kryesor për një qëndrim refraktar të deritanishëm nga opozita mbetet mënyra se si u dërgua emri. Kjo ka rëndësinë e saj, por kërkesa e opozitës që maxhoranca të sjellë propozime të tjera nuk është shumë e arsyeshme. Nëse do të kishim një takim Berisha- Rama, 10 ditë më parë dhe nuk do të kishim editorialin e Ramës para takimit Patozi-Ruçi, absolutisht Presidenti do të ishte zgjedhur që në raundin e parë”.
FATION BINJAKU & ADI SHKEMBI
Meta: Votojmë Zaganjorin me 71 vota. Rama: Na jepni disa emra











