Përmes udhëzimeve të mbërritura në asambletë socialiste të rretheve, Partia Socialiste ka nisur procesin e mbledhjes së kandidaturave të propozuara nga organizatat socialiste. Udhëzimet në fjalë kërkojnë centralizimin e procesit përzgjedhës të delegatëve të Kongresit zgjedhor të PS, i cili do të zgjedhë anëtarët e asamblesë së re kombëtare të PS. Propozimet që mbërrijnë në asambletë e rretheve nga organizatat socialiste, do t’i nënshtrohen një procesi të imët seleksionimi, ku përveç kritereve të sanksionuara në udhëzime, do të jetë dhe ana subjektive e gjykimit të kandidatit për delegat. Çdo organizatë socialiste ka propozuar një kandidat për delegat në kongresin e PS, por jo të gjithë mund të përfshihen në listën zgjedhore. Asambletë e rretheve do të lejojnë që në listën e kandidatëve për rrethin respektiv, të ketë dyfishin e numrit të caktuar për delegatë, duke dhënë mundësi përzgjedhjeje të anëtarësisë. Por seleksionimi që do të bëjnë asambletë, do të kalojë në lupë të gjithë aktivitetin politik të kandidatit dhe qëndrimet e tij ndaj udhëheqjes së PS. Një rol të rëndësishëm do të luajnë në këtë proces deputetët e deleguar në rrethe. Votimi për delegatët e kongresit do të zhvillohet më 22 tetor, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16:00 të pasdites, përmes parimit “Një anëtar, një votë”. Por, anëtarësia socialiste nuk do të votojë në të njëjtën ditë edhe për kryetarin e ri të PS së bashkisë apo komunës. Ky do të jetë një proces tjetër i mëvonshëm. Kandidaturat e propozuara nga organizatat socialiste do t’i nënshtrohen kësaj radhe seleksionimit nga ana e Kryesisë socialiste, e cila ka kohë që nuk funksionon. Shumica e kryetarëve aktualë të PS, që kanë humbur njësitë vendore apo rezultati i tyre është më i ulët se ai i zgjedhjeve të kaluara, nuk kanë të drejtë të rikandidojnë. Votimi i tyre nuk do të jetë kësaj radhe përmes parimit “Një anëtar, një votë”, por ata do të zgjidhen nga asambleja e zgjeruar e rrethit.
22 tetor
do të zhvillohet votimi për zgjedhjen e delegatëve të kongresit të PS, përmes parimit “Një anëtar, një votë”. Delegatët do të jenë përzgjedhur më parë nga asambletë socialiste të rretheve
Përjashtimi
Në këtë proces zgjedhor, që ka përfshirë të gjithë Partinë Socialiste, do të përjashtohen nga zgjedhja, kryetari i PSSH-së, Edi Rama, pasi në 2009, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe rivotimit të rij, ai mori një mandat të plotë katërvjeçar. Po ashtu, nga zgjedhja përjashtohen dhe kryetarët e rretheve, të cilët u zgjodhën një vit më parë, pasi u rikthye struktura e rrethit











