PS, me statut e program të ri

Oct 28, 2011 | 11:38
Grupi i deputetëve të PS

Kryetari socialist, Edi Rama, mblodhi dje pasdite në mbledhjen e fundit të saj Kryesinë socialiste. Kongresi i 5 nëntorit do të zgjedhë Asamblenë e re Kombëtare, e cila, nga ana e saj, do të zgjedhë Kryesinë dhe sekretarët e rinj të PS. Kryesia aktuale zhvilloi dje mbledhjen e saj të fundit, ndërsa pritet që Kryesia e re që do të dalë pas Kongresit të ketë një përbërje krejtësisht të re. Në mbledhjen e djeshme mungonte anëtari i Kryesisë, Arben Malaj, i cili në të njëjtën orë, në 18:00, zhvillonte një takim në Tiranë me të rinj për modernizimin e partive politike. Mbledhja e djeshme e Kryesisë ishte konceptuar vetëm me anëtarët e zgjedhur të saj, dhe jo me sekretarët, por ra në sy mungesa e anëtares së Kryesisë, Saemira Pino. Në këtë mënyrë nuk ishin lajmëruar sekretarët e Kryesisë, Islami, Harasani, Haxhiymeri, Klosi, Xhafaj dhe Bare.
Miratimi
Mbledhja e djeshme, e cila kishte në rend të ditës miratimin në parim të projekteve të dorëzuara nga grupet e punës të programit të ri të PS dhe statutit e reformës organizative. Debati për këto projekte pritet të bëhet në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë, e cila do të mblidhet ditën e martë. Për hartimin e këtyre materialeve, dy grupe pune, grupi i punës për programin e ri të PS dhe ai për statutin, kanë tre muaj që punojnë. Të ndarë në nëngrupe, secili grup ka trajtuar çështje të veçanta të programit, por dhe të statutit, duke korrigjuar edhe ato defekte që u vërejtën gjatë fushatave zgjedhore të 2009-s dhe 2011-s. Duket se PS do të ketë një program të afishuar alternativ kësaj radhe, për të cilin kanë punuar prej kohësh anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe deputetë. Në mbledhjen e fundit të Grupit socialist, gjatë fjalës së tij, Rama afishoi disa nga alternativat që ky program trajton. “Kemi një alternativë të re për një ndryshim radikal të sistemit të taksave, që i jep fund taksimit të të gjithëve njëlloj dhe vendos në themelin e sistemit parimin: kush fiton më shumë, paguan më shumë; kush fiton më pak, paguan më pak. Kemi një alternativë të re për një ndryshim të shumëpritur të sistemit shëndetësor e arsimor. Kemi një alternativë të re për një ndryshim jetik të sistemit të sigurisë së jetës e të pronës publike apo private. Kemi një alternativë të re për një ndryshim radikal të qeverisjes së territorit e të mjedisit. Kemi një alternativë të re për Shqipërinë europiane”, u shpreh Rama të martën, në mbledhjen e Grupit socialist. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme, Kryesia miratoi dhe listat e kandidatëve për kryetarë të PS në komuna dhe bashki që pritet të zgjidhen këtë fundjavë. Në disa bashki dhe komuna ku ka probleme, por dhe në bashkinë e Tiranës, zgjedhjet për kryetarin e PS-së do të zhvillohen pas Kongresit të 5 nëntorit.
Do të jenë asambletë e zgjeruara të komunave dhe bashkive që do të zgjedhin me votim të fshehtë mes kandidaturave alternative të miratuara dje në Kryesi. Pak ditë më parë, kryetari Rama i përcaktoi kandidaturat në konsultime në grupe sipas qarqeve me deputetët e PS.

Takimi, Meidani në krah të Malajt e Islamit

Ulqini, Malaj, Meidani, Islami e Harasani, dje gjatë takimit në Tiranë

Liria për të folur e shërbyer vendit s’është e tepërt. Kjo ishte përgjigjja që anëtari i Kryesisë socialiste i dha dje kryesocialistit Rama gjatë takimit përmbyllës të tij në Tiranë, në kuadrin e bashkëbisedimit me të rinjtë për modernizimin e partive politike. Me qindra të rinj në sallën “Black Box” në Universitetin e Arteve, ndoqën takimin ku vetë të rinjtë treguan pengesat e tyre për të konkurruar në politikë dhe për t’u integruar në profesionet e tyre për të cilat kanë studiuar. Disa të rinj që morën fjalën, të diplomuar jashtë shtetit, kërkuan më shumë hapësira për të qenë dhe ata pjesë e vendimmarrjes politike në vend. I pranishëm dje në takimin përmbyllës ishte dhe ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani. Gjatë fjalës së tij, Arben Malaj tha se përfaqësimi i madh i deputetëve dhe ish-deputetëve është domethënës. “Këtu janë më shumë se 10% e Grupit Parlamentar socialist, kur diferenca jonë me Grupin e PD-së është vetëm 3%”, u shpreh të nisje të fjalës së tij Malaj. Për anëtarin e Kryesisë socialiste, modeli “Berisha” duhet të marrë fund sa më parë. “PS duhet ta mundë sa më parë qeverinë ‘Berisha’. Modeli ‘Berisha’, modeli i liderit me pushtet absolut dhe me institucione të dobëta partiake, politike dhe qeverisëse, duhet të jetë modeli i së shkuarës. Viti 2013 duhet të jetë viti i fundit i qeverisë së fundit ‘Berisha’ dhe fundi i modelit politik ‘Berisha’ në politikën shqiptare”, u shpreh Malaj. Në qendër të fjalës së Malajt ishte liria e mendimit dhe veprimit në politikë. Sipas tij, krizat e riciklueshme në vend janë produkt i politikanëve të dështuar. “Krizat e vendit tonë janë pasojë e dështimit të disa politikanëve. Këto kriza ushqehen nga kequshtrimi mandateve të tyre politike, nga mentaliteti i vjetër se për të qeverisur këtë vend duhet të kufizosh liritë themelore, se shqiptarët meritojnë ‘lider të fortë’ dhe me pushtet absolut, dhe jo demokracia funksionale bazuar tek institucione të forta. Ata vlerësojnë se që të qeveriset vendi duhet të reduktohen deri edhe liritë themelore”, u shpreh Malaj. Ai propozoi hapjen e PS ndaj intelektualëve, rritjen e konkurrencës brenda partisë dhe motivimin e të rinjve mbi bazën e meritokracisë. “Koha për të  qartësuar reformat modernizuese të Partisë Socialiste kundrejt sfidave thelbësore të vendit është sot. Nesër është vonë, më shumë çoroditje, largime, pakënaqësi dhe indiferentizëm do të dobësojnë edhe më tej gjendjen që edhe tashmë mund të konsiderohet kritike në të cilën ndodhemi. Askush në parti apo dhe në qeveri nuk duhet të qëndrojë më shumë se dy mandate, pra 8 vjet”, u shpreh Malaj.
Edhe deputeti Kastriot Islami, gjatë fjalës së tij iu përgjigj reagimit të pak ditëve më parë të Edi Ramës lidhur me lirinë e fjalës dhe veprimit. “Edi Rama, përmes një batute si përgjigje ndaj zotit Malaj, tha se kemi aq shumë liri sa s’kemi ç’ta bëjmë. Të rinjtë nuk kanë nevojë vetëm për një copë punë që presin t’ua japë kryetari i partisë. Ata vështrojnë, analizojnë, komentojnë dhe në fund veprojnë mbi politikën dhe situatën. Ata kërkojnë meritokraci dhe konkurrencë të pastër që të angazhohen në politikë si qytetarë aktivë”, u shpreh Islami.
Sekretarja e Shanseve të Barabarta në PS, Edlira Haxhiymeri, kërkoi dje që PS të jetë një parti e hapur europiane. “Në vitet ’90 studentët kërkuan që Shqipëria të bëhej si gjithë Europa. Nuk ka pse sot PS të mos bëhet e tillë”, u shpreh Haxhiymeri.

Të pranishmit në takim
Pasditen e djeshme, në sallën “Black Box” të Akademisë së Arteve, u zhvillua takimi përmbyllës i bashkëbisedimit kombëtar të deputetit dhe anëtarit të Kryesisë Socialiste, Arben Malaj me të rinj të kryeqytetit. Pjesëmarrës në takim ishte ish-presidenti Rexhep Meidani, deputetët socialistë Kastriot Islami e Andis Harasani, anëtarja e Kryesisë Socialiste, Saemira Pino, diplomati Agim Nesho, sekretarja e Shanseve të Barabarta në PS, Edlira Haxhiymeri, ish-deputeti Musa Ulqini, sekretari Organizativ i PSV dhe ish-deputet i PS-së, Enver Reçi, ish-deputete e PS, Raimonda Stefa
dhe ish-anëtare e Kryesisë së PS-së, Eva Allushi.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura