PS, letër 8 ambasadorëve: FRESSH po riorganizohet

Oct 2, 2011 | 12:46

Selia rozë reagoi menjëherë pas bërjes publike nga “Panorama” të letrës që disa drejtues të FRESSH-it u dërguan ambasadorëve kryesorë në Tiranë për shkrirje të strukturave. Koordinatorja kombëtare e Forumit Rinor, Elisa Spiropali, përmes një letre, i sqaron tetë ambasadorët: ambasadorin e amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, kreun e OSBE-së, Eugen Volfarth, ambasadorin e BE-së, Etore Sekui, ambasadoren e Britanisë së Madhe, Fiona Mcllwham, ambasadoren gjermane, Carola Muller Holtkemper, ambasadoren franceze, Maryse Daviet, ambasadorin holandez, Henk Van Den Dool dhe ambasadorin danez të Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen, se nuk ka ndodhur asnjë shkrirje të forumeve rinore socialiste. “Ju drejtohem me këtë letër sqaruese e shqetësuar nga publikimi i një tjetër letre drejtuar Jush prej një numri personash të prezantuar nga një gazetë e përditshme si krerë të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë. Më lejoni së pari t’Ju kërkoj ndjesë në emër të FRESSH-it për keqkuptimin dhe pavërtetësinë e përmbajtjes së kësaj letre, si edhe keqpërdorimin si letërshkrues të emrit të ndonjë koordinatori të Forumit që nuk ka qenë fare në dijeni të letrës”, thuhet në letrën që Spiropali u dërgoi ambasadorëve. Bërja publike e letrës që 22 drejtues lokalë të FRESSH-it u dërguan ambasadorëve kryesorë në Tiranë rreth vendimit të njëanshëm të Edi Ramës për shkrirjen e të gjitha strukturave, duket se shkaktoi shqetësim të selinë rozë, duke e detyruar koordinatoren kombëtare të sqaronte Trupin Diplomatik rreth përmbajtjes së saj. Spiropali shprehet se FRESSH ka hyrë në një proces të thellë riorganizimi pas zgjedhjeve vendore të 8 majit.
FRESSH është Forumi Rinor i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Statusi i tij përcaktohet qartë në Statutin e PSSH. Ne sot ndodhemi në një proces riorganizimi tërësor pas zgjedhjeve të 8 majit dhe në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Ky riorganizim nuk ka asnjë lidhje me pretendimin e publikuar të shkrirjes së FRESSH-it, po është thjesht pjesë e ecurisë normale të Partisë Socialiste e të Forumit të saj Rinor, si organizma të gjallë politikë në ripërtëritje të vazhdueshme. Po ashtu, është krejt normale që në riorganizimin e FRESSH-it në kryeqytet, kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës dhe dega e partisë për Tiranën të kenë një rol aktiv e të mirëpritur këshillues. FRESSH nuk do të shkrihet, përkundrazi, ai do të zgjerohet dhe forcohet”, shprehet Spiropali. Duke hedhur poshtë përmbajtjen e letrës së dërguar në ambasada nga përfaqësuesit e FRESSH-it, Spiropali shprehet se kreu socialist gjithnjë e ka mbështetur Forumin Rinor. “Duke Ju siguruar për konsideratën time më të lartë dhe uruar sukses të plotë në misionin Tuaj në mbështetje të aspiratës së popullit shqiptar për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e familjes europiane, Ju garantoj gjithashtu se Partia Socialiste e Shqipërisë dhe kryetari Edi Rama kanë qenë dhe mbeten mbështetje e palëkundur për rritjen dhe forcimin e rolit të Forumit tonë Rinor”, përfundon letrën e saj koordinatorja kombëtare e FRESSH-it.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura