
Maxhoranca u shpr-eh pro ndryshimeve të bëra nga qeveria në Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë, dhe e kaloi atë në seancën plen-are, ndërsa opozita nuk e votoi. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan të bëhen pjesë e diskutimit dhe konsultimit të kodeve, për t’i bërë ligjet me 3/5 sa më të qëndrueshme në kohë dhe sipas standardeve të Bashkimit Europian. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, deputetët e të dy kampeve, PS-PD, ndanë pozicionet e tyre lidhur me propozimet e qeverisë për përmirësime në Kodin Detar. Deputeti demokrat i kërkoi opozitës të japë konsensusin për këtë ligj, ashtu siç kishte dhënë në 2004-n edhe opozita e atëhershme kur Kodi Detar u miratua për herë të parë. “Ne kemi përpara dy ndryshime të një kodi që është miratuar në vitin 2004, gjë që tregon se miratimi i tij ka pasur konsensus nga opozita e atëhershme, PD. Ky kod atëherë është miratuar me konsensus të plotë nga të dyja palët. Ndryshimi i dytë është bërë pas ardhjes së progres-raportit të 2009-s, duke plotësuar atë kërkesë të KE-së”, u shpreh deputeti i PD-së, Metalla. Por nënkryetari i komisionit, socialisti Ilir Gjoni, i kërkoi qeverisë të hartojë ligje sa më të konsultuara dhe shprehu qëndrimin e PS-së, e cila kërkon të bëhet pjesë e këtij diskutimi dhe konsultimi. Por sipas tij, më urgjent për vendin është vakumi ligjor për kufirin detar jugor të vendit. “Ata që kanë hartuar Kushtetutën, këto ligje i kanë bërë qëllimisht me 3/5, që të përfshihet edhe opozita edhe maxhoranca, sepse rëndësia e ligjeve kalon përtej këtyre dy grupimeve. Për këtë qëllim ne kërkojmë ngritjen e grupeve të punës nga të dy kampet politike me ekspertë, në mënyrë që t’i shkojmë në themel këtij kodi dhe kodeve të tjera që të kryejmë detyrën tonë si ligjvënës. Ne këtu merremi me flamurin e anijeve tona apo të huaja që kërkon ky kod, ndërkohë që është skandaloze që Shqipëria nga 2008 nuk ka të përcaktuar me ligj kufijtë detarë në Jug të vendit. Në 2008 është miratuar një ligj dhe ju besoj e dini se ka hedhur poshtë ligjin e 2001-shit, që përcaktonte kufijtë detarë të Shqipërisë”, u shpreh deputeti socialist Gjoni.
Diskutimi në Komisionin e Sigurisë
Osman Metalla: Dy ndryshimet e draftit për Kodin Detar e kanë pikënisjen nga progres-raporti i vitit 2009. Në fakt, në Kodin Detar që ne kemi, ka një diskriminim sa u takon anijeve me flamur shqiptar dhe anijeve me flamur të huaj. Tani nuk lejohen anijet e vendeve të BE-së të bëjnë transport të brendshëm ndërmjet porteve shqiptare. Ky ndryshim vjen për të hequr këtë pengesë. Gjithashtu, ligji aktual diskriminonte qytetarët e BE-së që të ishin pjesëtarë të ekuipazheve të anijeve që mbanin flamur shqiptar. Këto ndryshime nuk cenojnë Kodin aktual Detar, por e përafron atë me standardet e ligjeve të BE-së.
Ilir Gjoni: Unë sot kam pasur kontakt me nivele shumë të larta të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mësova se ata nuk janë kontaktuar fare për këto ndryshime që kanë sjellë dy dikasteret. Opozita do të jetë pjesë e këtij procesi. Ata që kanë hartuar Kushtetutën, këto ligje i kanë bërë qëllimisht me 3/5, që të përfshihet edhe opozita, edhe maxhoranca, sepse rëndësia e ligjeve kalon përtej këtyre dy grupimeve. Për këtë qëllim ne kërkojmë ngritjen e grupeve të punës nga të dyja kampet politike me ekspertë, në mënyrë që t’i shkojmë në themel këtij kodi dhe kodeve të tjera që të kryejmë detyrën tonë si ligjvënës. Ne këtu merremi me flamurin e anijeve tona apo të huaja që kërkon ky kod, ndërkohë që është skandaloze që Shqipëria nga 2008 nuk ka të përcaktuar me ligj kufijtë detarë në Jug të vendit. Në 2008-n është miratuar një ligj dhe ju besoj e dini se ka hedhur poshtë ligjin e 2001-shit që përcaktonte kufijtë detarë të Shqipërisë. Është fakt shumë i rëndë dhe është detyra jonë si Komision i Sigurisë Kombëtare që të detyrojmë Ekzekutivin që të sjellë menjëherë amendamentet për të rregulluar qoftë ligin e 2008-s, apo të bëjmë një ligj të ri. Kjo është dhe këmbëngulja jonë për të mos pranuar ligje të bëra me shpejtësi. Ne kërkojmë të jemi pjesë e këtij procesi për sa i përket kodeve dhe kërkoj për këtë edhe miratimin tuaj në heshtje.
Paulin Sterkaj: Nuk vemi në diskutim nëse zoti Metalla e njeh apo jo problemin, çështja është a e dëgjon njeri zotin Metalla.
Osman Metalla: Vetëm dy komente për atë që tha zoti Gjoni. Ne kemi përpara dy ndryshime të një Kodi, që është miratuar në vitin 2004, gjë që tregon se miratimi i tij ka pasur konsensus nga opozita e atëhershme, PD. Ky Kod atëherë është miratuar me konsensus të plotë nga të dyja palët. Ky Kod vazhdon të implementohet, jemi në fazën e plotësimit të kërkesave të variantit të 2004-s dhe praktika ende nuk ka vërtetuar për ndryshime më të mëdha. Ishte miratimi i ligjit për QKL dhe erdhi gjithashtu propozimi i kalimit të licencave të transportit rrugor dhe detar pranë QKL. Ndryshimi i dytë është bërë pas ardhjes së progres-raportit të 2009-s, duke plotësuar atë kërkesë të KE-së.
Sterkaj: Të disiplinojmë 100 mijë armë gjuetie
Anëtarët e Komisionit të Sigurisë kanë rrëzuar nismën ligjore të deputetit demokrat, Kreshnik Çipi, për përmirësime në ligjin “Për gjuetinë”. Ishte ndoshta nga ato pak raste kur deputetët e të dy krahëve, PS-PD, ishin në një mendje lidhur me disiplinimin që duhet t’u bëhet armëve të gjahut dhe gjuetisë. “Ne si komision sigurie nuk jemi për të rregulluar problemet e gjuetisë, por për të rregulluar problemet e sigurisë kombëtare. Këtu del se janë 100 mijë arme gjuetie në duart e shqiptarëve, nga të cilat vetëm 10 mijë janë inkuadruar në shoqata, sepse ka gjueti shpendësh, dhelprash dhe njerëzish… Gjuetia është sport dhe këto shoqata duhet të kalojnë në federatë. Unë jam dakord që ta shtyjmë”, u shpreh deputeti socialist, Paulin Sterkaj. Edhe nënkryetari i Komisionit, Ilir Gjoni, ishte i të njëjtit mendim, madje ai kërkoi shpalljen e moratoriumit për ndalimin e gjuetisë për një periudhë të caktuar. Deputeti demokrat, Ardian Turku, kërkoi rregulla më strikte për përdoruesit e armëve të gjahut. “Anëtarësimi në shoqatën e gjuetarëve nga njëra anë dhe ushtrimi ndaj të gjitha rregullave që parashikon ligji për gjuetinë mbi anëtarësinë e kësaj organizate, duhet të jetë momenti kryesor që duhet të mënjanojë pjesën prej 90% që posedojnë armë me leje dhe nuk janë pjesë të shoqatave të gjuetisë”, u shpreh Turku.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











