PS, homazhe para Kryeministrisë në 6-mujorin e viktimave të 21 janarit

Jul 22, 2011 | 11:19
Dje gjatë homazheve për viktimet e 21 janarit

Grupi Parlamentar socialist organizoi dje homazhe para Kryeministrisë në vendin ku 6 muaj më parë 4 demonstrues humbën jetën. Në orën 10 të paradites, nga selia e Partisë Socialiste kortezhi i personave që morën pjesë në homazhe u nisën drejt vendit të tragjedisë. Në krye të vargut të gjatë të njerëzve ishin familjarët e viktimave, prindër, motra dhe vëllezër, por edhe fëmijët e viktimave që ecnin kokulur, ndërsa në duar mbanin portretet e të afërmve të tyre që humbën jetën më 21 janar. Pas tyre, kreu socialist, Edi Rama, kreu i Grupit Parlamentar socialiste, Gramoz Ruçi, dhe i gjithë Grupi Parlamentar socialist me një buqetë lulesh në duar. Të gjithë të veshur solemnisht për një rast homazhi, me kostume të errëta si deputetët ashtu dhe deputetet e Partisë Socialiste, pjesëmarrëse në këtë ceremoni përkujtimore. Gjithashtu, vargut të njerëzve që i drejtoheshin bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ishin edhe këshilltarët e rinj të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Por, vargut të njerëzve që ecnin në heshtje iu bashkuan dje paradite edhe shumë qytetarë të Tiranës. Kur mbërritën te vendi para Kryeministrisë, aty ku më 21 janar humbën jetën katër demonstrues, familjarët shpërthyen në vaj, ndërsa familjarët ndezën qirinj në kujtim të tyre. Në qetësi të plotë, përreth godinës së Kryeministrisë u përkujtuan Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Aleks Nika dhe Hekuran Deda, të cilët humbën jetën duke demonstruar para godinës së Kryeministrisë, ndërsa ende nuk ka një përfundim të hetimeve rreth kësaj ngjarjeje. Dje nuk pati fjalime, por vetëm lule të vendosura në vendet ku secili prej viktimave humbi jetën në 21 janar.

Viktimat e 21 janarit

Ditën e demonstratës më të madhe që ka organizuar opozita, më 21 janar 2011, pasi kishte zhvilluar dhjetëra protesta paqësore, humbën jetën pas një konfrontimi disa orësh me forcat e rendit katër qytetarë. Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe disa ditë më vonë dhe Aleks Nika, i cili qëndroi disa ditë në gjendje kome në Turqi, humbën jetë në bulevard. Asnjë nga viktimat nuk ishte evidentuar si protagonist i përplasjes së demonstruesve me forcat e rendit.

 

© Panorama.al

Te lidhura