“Zgjedhjet vendore shërbejnë si barometër për klimën politike në përgatitje për zgjedhjet parlamentare të 2013, por një politikë e tillë lë në harresë interesat e qytetarit të thjeshtë dhe dëmton konsolidimin e pushtetit vendor”. Kështu është shprehur deputeti i PS-së, Andis Harasani i ftuar së bashku me deputetin Arben Malaj, në një diskutim të Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Uashington.
“Këto janë zgjedhje lokale, janë zgjedhje për të zgjidhur problemet e qyteteve dhe komunave të ndryshme, nuk janë zgjedhje politike”-tha Harasani, gjatë një prononcimi për VOA.
Sipas tij, ndryshimi duhet të fillojë me një mentalitet të ri brenda forcave kryesore politike dhe vullnetin e mirë për ndryshime.
“Nuk ka zgjidhje tjetër. Mendoj se rezultati i 8 majit do të jetë prova më e mirë që Partia Socialiste ka nevojë të hapet, ka nevojë të bëhet më demokratike dhe ka nevojë që të respektohen vlerat në Partinë Socialiste”- tha ai.
Deputetët Malaj dhe Harasani, të njohur për qëndrimin e tyre kritik ndaj kryetarit socialist Edi Rama, u ndalën në analizën e tyre edhe në mangësitë që ka treguar opozita në përmbushjen e rolit të saj në jetën politike të vendit. Për këtë deputeti Harasani fajëson kreun socialist se ka braktisur procesin politik, duke larguar vëmendjen nga problemet parësore për vendin.
“Bojkoti vazhdon ende. Kjo është fatkeqësi për gjithë jetën politike shqiptare. Mendoj që zoti Rama ka nxjerrë mësime nga gabimet e këtyre 2 viteve të fundit. Unë shpresoj që ne do të fitojmë zgjedhjet lokale, por edhe nëse ndodh diçka tjetër ne do të vazhdojmë jetën parlamentare”- tha ai. (Voa)
© Panorama.al











