PS e Shkodrës: Do t’i bojkotojmë zgjedhjet

Mar 25, 2011 | 10:29

Partia Socialiste e qytetit të Shkodrës reagoi dje duke paralajmëruar rrezikimin e procesit elektoral në këtë qytet. Sipas PS-së, nga 87 500 votues që ka Shkodra, 30 mijë votues në qytet nuk kanë kod banese dhe, sipas tyre, lë hapësira për abuzime duke krijuar mundësinë që një person të votojë në disa qendra votimi. Gjithashtu, shqetësues për PS-në e Shkodrës është fakti rreth 9 mijë votuesve nuk u figuron emri në qendrat e tyre zgjedhore. Kryetarja e PS-së së qytetit Shkodër, Keti Bazhdari, tha se kjo situatë është në shkelje të Kodit Zgjedhor, përkatësisht me nenin 47, pika 3, i cili vendos detyrimin e pasqyrimit të këtij treguesi në listat e zgjedhësve. Në këtë mënyrë, ky veprim sjell si pasojë pamundësinë e subjektit politik për verifikimin e saktësisë dhe vërtetësisë së këtyre listave. Një veprim i tillë, sipas Bazhdarit, dyshohet të jetë i qëllimshëm dhe selektiv, pasi është një numër i konsiderueshëm personash që neve na rezultojnë që nuk u del emri në qendrat e tyre të votimit. “Nëse problemi nuk do të zgjidhet PS e këtij qyteti do të bojkotojë zgjedhjet në qendrat problematike”, tha Bazhdari. Duke folur më tej në lidhje më problemet që po hasen me listat e zgjedhësve në Bashkinë e Shkodrës, që është dhe bashkia më e madhe në Veri të Shqipërisë, kryetarja e  Partisë Socialiste në Shkodër ka folur dhe për një sërë problemesh serioze që kjo forcë politike ka hasur në listat dhe procesin e përgatitjes së procesit zgjedhor. Ajo tha se në qytet janë caktuar 6 qendra votimi në lokale private të zgjedhura në mënyrë të njëanshme. Ndërkohë, në kundërshtim me kërkesat e pikës 2, germa “A” të nenit 62 të Kodit, në listat paraprake, për 36 qendra votimi janë regjistruar mbi 1000 mijë zgjedhës, çka do të thotë që për bashkinë Shkodër duhet të kishim edhe 36 qendra të reja votimi.                                                r.d

© Panorama.al

Te lidhura