
Stefano Sanino, drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, ka marrë dje premtimin nga klasa politike për nisjen e bashkëpunimit. Gjatë takimeve dyditore në Tiranë me krerët e shtetit shqiptar dhe kreun e opozitës, zyrtari i lartë i KE-së kërkoi nisjen e dialogut dhe bashkëpunimit për reformat nëse duan që Shqipëria të rivlerësohet në dhjetor për statusin e vendit kandidat. Nga maxhoranca dhe kreu i saj Sali Berisha, Sanino ka marrë garancitë e nisjes menjëherë të dialogut, e kryesisht me reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Në takimin me kreun e opozitës, Edi Rama, zyrtari i lartë i KE-së është njohur me paketën me 10 pika të depozituar nga PS në Kuvend, mbi bazën e së cilës duhet të nisë bashkëpunimi PS-PD. Por, mësohet se zyrtari i lartë, pasi ka vlerësuar paketën e PS, është shprehur se kërkohet një hap konkret minimal nga të dyja palët për nisjen sa më shpejt të dialogut, duke lënë të kuptohet se paketa është shumë e gjerë për të shërbyer si pikënisje të një procesi që duhet të kulmojë me plotësimin e 12 prioriteteve të BE-së. Burime pranë PS pohuan dje se deputetët e saj do të kërkojnë të marrin si shprehje të vullnetit të mirë nga ana e maxhorancës ngritjen e komisionit parlamentar për reformën parlamentare dhe reformën zgjedhore. Nisja e këtyre dy reformave do të përbënte garanci për PS që të japë votën e saj për ligjet me 3/5, duke nisur me Gjykatën Administrative, për të përuruar në këtë mënyrë nisjen e bashkëpunimit mes dy partive të mëdha parlamentare. Duket se zyrtari i lartë i Komisionit Europian u largua nga Tirana me një mision të përmbushur në premtim, ku palët u angazhuan për të lëvizur nga pozicionet e deritanishme të ngurta e për t’i dhënë udhë një bashkëpunimi parlamentar ku si qëllim kryesor do të ketë përmbushjen e 12 prioriteteve deri në fund të muajit nëntor.
Takimi
Siç bëri me dije zyra e shtypit të PS, gjatë takimit në selinë rozë, Edi Rama e njohu nga afër zyrtarin e lartë të Komisionit Europian me platformën me 10 pika që opozita shqiptare ka propozuar për ta nxjerrë vendin sa më shpejt nga kriza politike dhe për t’u dhënë zgjidhje problemeve themelore të shprehura qartë edhe në opinionin e Bashkimit Europian, ku fatkeqësisht Shqipërisë iu refuzua për të dytën herë statusi i vendit kandidat. Zyra e shtypit e PS bëri me dije se Sanino, pasi falënderoi kreun e Partisë Socialiste për gatishmërinë e shprehur, theksoi rëndësinë e përmbushjes së të gjitha prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë brenda një afati kohor sa më të shkurtër.
Sanino, deputetëve: Të përmbushet plani i veprimit
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino, ishte dje i pranishëm në Komisionin Parlamentar të Integrimit, ku është njohur me hapat e ndërmarrë nga qeveria për përmbushjen e planit të veprimit për përmbushjen e 12 prioriteteve të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e pranishme në këtë takim, e ka njohur zyrtarin e lartë me hapat e ndërmarrë deri tani nga kjo ministri dhe qeveria për përmbushjen e këtij plani. Deputetët e opozitës kanë kërkuar që qeveria të mbajë përgjegjësinë e saj për mospërmbushjen e disa zërave të këtij plani, ndërsa është shprehur e gatshme të japë kontributin e saj. Zyrtari i lartë i KE-së ka kërkuar bashkëpunim mes palëve, dialog duke parë si prioritet integrimin e vendit dhe moshumbjen e dhjetorit si një mundësi e afërt për Shqipërinë për t’u konsideruar si vend kandidat në BE.
Reformat: Kuvendi i ka përfshirë në kalendarin 3-javor
Kuvendi ka përfshirë në kalendarin trejavor reformën parlamentare dhe reformën zgjedhore. Në datën 3 nëntor, në Parlament do të votohet për draftin e dorëzuar nga Partia Socialiste për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Drafti do të kalojë paraprakisht në Komisionin e Ligjeve, që është edhe komisioni përgjegjës. Gjithashtu, Konferenca e Kryetarëve ka përfshirë në planin 3-javor edhe miratimin e reformës zgjedhore. Më parë, palët duhet të bien dakord për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, e cila deri tani i ka mbajtur palët në pozicione të palëvizshme.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











