Provimi i shtetit për mjekët, afati i regjistrimit, 26 tetori

Oct 5, 2011 | 11:44

Mjekët e rinj dhe stomatologët do të kenë 10 ditë kohë për t’u regjistruar pranë Urdhrit të Mjekut, përpara se të japin provimin e shtetit. Ndërkaq, edhe profesionistët e tjerë, të cilët ligji i detyron t’i nënshtrohen testimit, duhet të kryejnë të njëjtën procedurë pranë urdhrave përkatës profesionalë. Në nëntor do të jepet për herë të parë në vendin tonë provimi i shtetit për 10 profesione. Bëhet fjalë për studentët e  Mjekësisë, Farmacisë, Infermierisë, Fizioterapisë, Veterinarisë, Arkitekturës, Inxhinierisë ose në ndonjë program tjetër studimi, që njihet si profesion i rregulluar me ligj. Ata do të kenë në dispozicion kohën e duhur për t’u përgatitur “Nga data 10 tetor deri në datën 26 tetor, pranë Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë nisin regjistrimet për provimin e parë të shtetit, që aplikohet për herë të parë në Shqipëri, në bazë të ligjit “Për profesionet e rregulluara”, i hyrë në fuqi në vitin 2009”, thuhet në deklaratën për mediat të Urdhrit të Mjekut. Sipas saj, kjo fazë regjistrimi do të vlejë vetëm për brezin akademik 2009-2010, mjekë të përgjithshëm e stomatologë, që janë regjistruar dhe që kanë kryer praktikën profesionale konform rregullave të Urdhrit të Mjekëve për praktikën profesionale. Ata janë pajisur me dokumentet përkatëse brenda afateve të përcaktuara nga ky institucion. “Ndërsa të rinjtë e porsadiplomuar në Mjekësi të përgjithshme dhe Stomatologji do të hyjnë në provim në muajin maj të vitit të ardhshëm. Sipas njoftimit zyrtar të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, për regjistrimin nevojiten një sërë dokumentesh. Vlerësimi për të gjithë ata kandidatë që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit, do të bëhet me pikë. Kandidatët duhet të grumbullojnë më shumë se 50 pikë, nga 100 të mundshme. Është detajuar edhe shkalla e vlerësimit për notat e tjera. Në të kundërt, duhet të rihapin sërish provimin. Këtij testimi do t’i nënshtrohen të gjithë ata persona, të cilët janë diplomuar në vitin 2009 dhe këtë vit nuk e kanë ushtruar profesionin e tyre. Në dispozicion, Ministria e Arsimit do t’u japë edhe programet orientuese. Tarifat e provimit vijnë në rritje për kandidatët, që e japin për të disatën herë provimin. Kështu, kush e jep për herë të parë këtë provim, paguan 30 000 lekë, kush e jep për herë të dytë, 50 000 lekë. Kandidatët kanë të drejtë ta japin deri në 5 herë provimin dhe për këtë radhë tarifa shkon jo pak, por plot 120.000 lekë. Kandidati paraqet ankesën me shkrim pranë AKP-së, brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve. AKP-ja shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje të argumentuar brenda 30 ditëve. Në rastet kur AKP-ja sugjeron rivlerësimin e rezultatit, kërkohet vendimi i Komisionit të Provimit të Shtetit.

DOKUMENTET E REGJISTRIMIT
• Kërkesë me shkrim për regjistrim (kjo kërkesë bëhet nga
kandidati në format A4, me kompjuter);
• Formulari i aplikimit (shkarkohet ne faqen e internetit
www.urdhrimjekeve.org.al)
• Fotokopje e letërnjoftimit;
• Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve
universitare;
• Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës, e
lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë;
• Dorëzimi i librezës së praktikës profesionale (e
plotësuar), lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të
Mjekëve të Shqipërisë;
• Dëshmia e ndihmës së shpejtë;
• Raporti mjeko-ligjor;
• Dëshmi penaliteti;
• Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;
• 2 fotografi të formatit të pasaportës.

PROFESIONET QE DO TESTOHEN
. Mjekët
. Farmacistët
. Infermierët
. Mamitë
. Fizioterapistët
. Veterinerët
. Arkitektët
. Inxhinierët
. Mësuesit
. Juristët

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura