
BAKU, AZERBAJXHAN- Rona Nishliu ka kaluar me mjaft sukses edhe provën e saj të dytë në skenën e Festivalit Europian para gjysmëfinales. Në provën e dytë, Rona ndihej tejet e sigurtë në aspektin vokal, prezencën skenike dhe në raportin e saj me kamerën.
Ajo ka kënduar baladën e saj SUUS në gjuhën shqipe, e vetme në skenë pa ndihmën e efekteve speciale dhe vokalistëve në skenë.
Në provën e saj të dytë Rona është vlerësuar edhe për stilin shumë të veçantë te veshjes. Veshja me të cilën është paraqitur në skenë ditën e sotme, mendohet të jetë edhe veshja me të cilën ajo do të prezantohet në natën gjysmëfinale.
E pyetur lidhur me mosprezencën e vokalistëve shoqërues apo të balerinëve në skenë, Rona u tha gazetarëve se kënga SUUS do të thotë PERSONALE, dhe kështu i tingëllon asaj. Pse në gjuhën shqipe? Rona u përgjigj se muzika shkon përtej rracave dhe kufijve, në gjuhën shqipe kënga përcjell të gjithë fuqinë e saj dhe është më origjinale.
Gjatë interpretimit sfondi i skenës u ndriçua me ngjyrë të kuqe, me një sfond të errët, ku në mes të këngës Rona shfaqet me një siluetë bardhezi.
Para se te jepte provën e saj të dytë, gjatë një bisede me gazetarët e Eurovision-it Rona tha se shpreson të jap më të mirën edhe sot, duke qenë se sipas saj, prova e sotme është edhe më e rëndësishme.











