Homazhe në nder të ish-presidentit Ramiz Alia

Oct 9, 2011 | 10:15

UPDATE- Bëjnë homazhe, Gramoz Ruçi, Sërvet Pëllumbi, Namik Dokle, Ilir Meta, Fatos Nano, Pëllumb Xhufi.

|Pak pas orës 10:00 kanë nisur homazhet për ish-presidentin e ndjerë, Ramiz Alia. Homazhet po mbahen në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë. Alia ndëroi jetë 2 ditë më parë pas një sëmundje të gjatë, në moshën 86- vjeçare. Homazhet jane parashikuar te mbahen ne 60 minuta kohe.

Homazhe në nder të ish-presidentit Alia kanë bërë edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i cili u shpreh “ Mendoj se nderimin më të mirë për çdo figurë politike e bën historia. Dua të vlerësoj figurën e zotit Alia si një figurë e shquar e luftës anti-fashiste, dhe për përpjekjet e tij për mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik.  Në fund të fundit është presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, I pari personalitet politik që jep dorëheqjen pasi partia e tij humb zgjedhjet.

Thuajse në të njëjtën kohë ka bërë homazhe edhe ish- kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili e vlerësoi figurën e ish-presidentit Ramiz Alia.

“Besoj se është në respekt të një epoke historike, e cila ka pasur protagonistët e saj. Shpreh respektin për kontributin që ka dhënë në luftën anti-fashiste. Në rastin e homazheve duhet të shpreh vlerësimin tim për figurën e Alisë që ka dhënë në etapa të rëndësishme të historisë kombëtare, deri në institucionalizimin e pluralizmit politik.”- tha Nano.

Ruçi, Pëllumbi dhe Dokle bëjnë homazhe

Ndërsa Partia Socialiste nuk ka reaguar aspak pas vdekjes së, ishe- presidentit Ramiz Alia, në homazhe ajo është përfaqësuar nga kreu i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi dhe një prej figurave historike të PS-së, Sërvet Pëllumbi, si dhe Namik Dokle.

Shuhet Ramiz Alia, presidenti i parë i shtetit pluralist
Lideri i fundit komunist i Europës që drejtoi vendin pas vdekjes së Enver Hoxhës

Ramiz Alia, ish-presidenti i Shqipërisë, shuhet në moshën 86-vjeçare. Udhëheqësi i fundit komunist dhe presidenti i parë i shtetit pluralist shqiptar ndërroi jetë mëngjesin e së premtes në spitalin e Sanatoriumit në Tiranë, pas një tromboze në mushkëri. Mjekët bënë me dije se Alia vuante prej kohësh nga trenboembolia pulmonare (një komplikacion në mushkëri) dhe ditët e fundit u paraqit me probleme të rënda në frymëmarrje, për të cilat u kurua nga një ekip i specializuar mjekësh në reanimacionin e Senaturiumit në kryeqytet.
JETA
Ramiz Alia lindi më 18 tetor 1925 në Shkodër dhe u bë pjesë e lëvizjes komuniste shqiptare që në fillimet e saj. Në moshë të re kreu detyra të rëndësishme në formacionet e Ushtrisë  Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në vitet e para pas çlirimit u zgjodh në krye të organizatës së BRPSH. Pas diplomimit në Moskë për filozofinë marksiste -leniniste në vitin 1954, kreu detyra me përgjegjësi në strukturat e larta të partisë e të shtetit komunist. Në vitin 1961, u zgjodh për herë të parë anëtarë i Byrosë Politike të KQ të partisë, funksion të cilin e mbajti deri në vitin 1990, kur u vendos pluralizmi politik. Alia ka qenë President i Republikës nga viti 1982, deri në vitin 1992, duke hyrë në histori si Presidenti i parë i shtetit pluralist shqiptar. Në prill të vitit 1992, pas zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit 1992, ku fitoi koalicioni antikomunist, dha dorëheqjen nga posti i Presidentit  dhe u tërhoq nga jeta politike, ndërkohë që ish-Partia e Punës që kishte drejtuar për dekada me radhë, u transformua në një parti të majtë të modelit europian socialdemokrat. Në shtator të vitit 1993, u arrestua dhe pas një procesi gjyqësor, u dënua me nëntë vjet heqje lirie për shpërdorim dhe abuzim me pushtetin. Doli nga burgu në vitin 1995 dhe për një periudhë të gjatë nuk u shfaq publikisht. Qysh nga viti 1997 e deri në momentet e fundit të jetës, ka dhënë një sërë intervistash për median. Libri më i fundit “Jeta ime”, botuar vitin e kaluar, është në vetvete një autorrëfenjë për jetën e tij, por edhe historinë e Shqipërisë komuniste. Në të, por sidomos në disa intervista të viteve të fundit, Alia ka zbardhur një sërë misteresh nga ngjarjet e diktaturës komuniste. Duke iu referuar një sërë vrasjesh në kufi në vitin 1990, ka pranuar faktin se përveç ndryshimit të ligjit për kalimin e kufirit në këtë periudhë, nuk ka këmbëngulur në zbatimin rigoroz të tij. Mënyra arbitrare si është vepruar nga organet e rendit dhe atyre të kufirit, ndaj të rinjve që guxuan të kalojnë kufirin, ka pasuar me mjaft viktima për të cilat Alia penalizonte shkarazi organet e Ministrisë së Brendshme. Po kështu, ish-lideri i fundit komunist, teksa shpjegonte rrethanat si punoi për transformimin e Partisë së Punës, duke afruar në krye të saj intelektualë e profesorë të njohur, e vlerësonte të pajustifikuar vonesën për largimin e figurave të vjetra të Partisë. Me presionin e shpurës së byroistëve historikë, që u larguan nga Blloku vetëm në vitin 1981, ish-Presidenti komunist mundohej të përligjte vonesat në zhvillimet demokratike të vendit. Në refleksionet nga vitet e diktaturës, Alia më në fund nuk e shmangte përgjegjësinë për mbylljen e objekteve të kultit dhe thellimin e luftës së klasave, por sakaq mundohej ta justifikohej me kontekset historike të ngjarjeve. Si president i fundit komunist i ndodhur përballë presionit në rritje, ushtroi ndikimin e vet për ndalimin e represionit politik në agoninë e regjimit diktatorial dhe shpalli amnistinë e gjerë për të burgosurit politikë në vitin 1990. Në periudhën kur ishte në krye të shtetit, u vendosen pas shumë dekadash marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin dhe u hapën institucionet e kultit fetar. Me dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, u tërhoq në jetën private. Jetonte me të bijën në një pallat të hershëm te zona e stadiumit “Dinamo”, ndërkohë që e shoqja Semiramisi, kishte vdekur në vitin 1985. Alia bëri një jetë të zakonshme pensionisti dhe rrallë shfaqej si i ftuar në veprimtari të ndryshme me cilësinë e ish-presidentit të Republikës.

funksionet
.Komisar i Brigadës së VII sulmuese (1944)

.Komisar i Divizionit të V Sulmues (1944-1945)

.Sekretar i Parë i KQ të BRPSh (1949-1955)

.Ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958)

.Anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH (1961-1990)

.Sekretar i KQ PPSH-së për propagandën (1961-1982)

.Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1991)

.Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991)

.President i Republikës së Shqipërisë (1991-1992)

Vrasjet e pazbardhura
“Jeta ime”, ky ishte libri më i fundit që botoi me autorësinë e tij Ramiz Alia. Aty risjell një biografi të zgjeruar, jo vetëm të jetës dhe veprimtarisë së tij, por edhe të historisë së regjimit komunist shqiptar. Mjaft ngjarje e episode të panjohura të periudhës së diktaturës zbulohen në të për herë të parë. Por,  autorrëfenja e gjatë e Alisë nuk ndriçon asnjë nga enigmat e vrasjeve të bujshme të liderëve komunistë, Qemal Stafa, Nako Spiro, Alqi Kondi, Mehemt Sheu etj.

Brenga për Semiramisin
Mënyra si e përshkruan Ramiz Alia profilin e të shoqes, Semiramisit, në librin “Jeta ime”, është diçka e veçantë. Vdekja e saj në shtator të vitit 1985, vetëm pak muaj pasi Alia do merrte postin e Enverit, ka qenë një nga ngjarjet më të rënda për të. Të paktën në takimet konfidenciale ai nuk ngurronte ta shfaqte. Në një rrëfim për “Panorama”, para disa kohësh, Alia e vlerësonte humbjen e së shoqes si një nga brengat më të dhimbshme, jo thjesht për ikjen e parakohshme, por edhe për boshllëkun e krijuar nga ikja e “bashkëpunëtorit” më të afër të tij.

Ramiz Alia do të thirrej në komisionin hetimor për Tivarin
Ndarja nga jeta e ish-presidentit Ramiz Alia duket se i jep fund edhe një hetimi që kishte nisur Kuvendi për zbardhjen e masakrës së Tivarit. Parlamenti ngriti një komision hetimor në korrik të vitit 2010 për hetimin e asaj ngjarjeje dhe një prej personazheve që do të pyetej ishte Ramiz Alia, i cili, sipas maxhorancës, ishte edhe organizator i saj. Fillimisht, mandati i komisionit të drejtuar nga Fatos Beja ishte njëvjeçar, por në korrik të këtij viti ky mandat u zgjat edhe me një vit tjetër. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur për gazetën se deri tani janë mbledhur një numër i madh dokumentesh, kryesisht nga Arkivi i Shtetit, por edhe nga dëshmitarë të kohës, dhe së shpejti do t’u shpërndahen deputetëve. Pak kohë më parë, anëtarja e këtij komisioni, deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, deklaroi se një prej personave që do të pyetet do të jetë pikërisht ish-presidenti. “Do të kërkohet që të dalë e vërteta, e cila është ende një faqe e errët në historinë e Shqipërisë. Vendi ynë ka nevojë për historinë e tij të vërtetë dhe kërkohet të zbardhet e vërteta e mohuar për kaq shumë vjet”, deklaroi Doda. Sipas saj, komisioni pritet të thërrasë për hetim edhe ish-presidentin Ramiz Alia, i cili është i akuzuari kryesor i PD-së për këtë ngjarje. “Ramiz Alia është një nga ata që kanë dijeni për ngjarjen dhe askush nuk është i përjashtuar nga thirrja në pyetje nga ana e këtij komisioni”, deklaroi Doda, duke lënë të kuptohej se ish-presidenti ishte një nga personat kryesorë që do të merrej në pyetje. Tani që ish-presidenti Ramiz Alia u nda nga jeta, hetimi duket se do të përqendrohet vetëm në materialet e arkivave.
AFRIM IMAJ

Mjekët: Alia ishte mirë deri në mesnatë
“Mpiksja e gjakut në mushkëri çoi në arrest kardiak”
Deri në orën e mesnatës të së enjtes, gjendja shëndetësore e ish- presidenti Ramiz Alia ka qenë e mirë. Këtë konfirmuan dje mjekët e spitalit të mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Nga sa pamë vetë nga afër pasdite dhe nga sa pohuan bluzat e bardha,  Alia ka komunikuar normalisht gjatë gjithë ditës. Madje, në atë pak komunikim që mundëm të kishim me të në reanimacion, ai u shpreh se ndiehej më mirë. ”Edhe në orët e mbrëmjes, pacienti ishte në gjendje konstante, ndërkohë që pas orës 24:00 nisi të ankohej për dhimbje të gjoksit dhe shfaqi probleme të frymëmarrjes. Në orët e para të mëngjesit të së premtes, gjendja e tij u rëndua edhe më, çka bëri që të intubohej me oksigjen. Sëmundja nga e cila ai vuante, tromboembolia pulmonare, është një sëmundje dinake, e cila sjell në kapërcimin e gjendjes shëndetësore nga normale dhe në qetësi, në rëndim të menjëhershëm, duke çuar deri në vdekje”, sqaruan mjekët e rojës që asistuan gjatë gjithë kohës ish- Presidentin. Sipas tyre, vdekja ka ardhur si pasojë e shkëputjes së një cope gjaku të mpiksur, e cila ka shkaktuar hemorragji cerebrale dhe për rrjedhojë vdekjen. ”Rreth orës 6, pacienti kaloi në arrest kardiak (ndalim i zemrës dhe mushkërisë) dhe stafi i mjekëve tentoi ta mbante në jetë edhe me shok elektrik, por edhe për shkak të moshës, ishte e pamundur të mbijetonte”, theksuan mjekët e rojës. Ata pohuan për gazetën se ish-Presidenti Alia ndërroi jetë rreth orës 7:10. Ambulanca me trupin e pajetë të Alisë u drejtua drejt morgut të qendrës spitalore “Nënë Tereza”, pas kërkesës së familjarëve, rreth orës 9:23 minuta, ku u kryen  të gjitha procedurat e nevojshme të autopsisë.

Trajtimi në Senatorium
Ish-Presidenti Alia ishte shtruar në reanimacionin e Senatoriumit përpara 5 ditësh. Ai vuante prej kohësh nga ky komplikacion, ndërkohë që në kartelë ishin shënuar edhe dy sëmundje të tjera. Fillimisht, rreth 12 ditë më parë, Alia u shtrua në spitalin infektiv për probleme pulmonare, mungesë oksigjenimi, dhe pas konsultës u vendos të transferohej në Senatorium. Gjatë gjithë ditës së enjte, shpresat e mjekëve u shtuan për trajtimin e tij, pas përmirësimit të dukshëm të gjendjes shëndetësore. Ajo u rëndua në orët e para të mëngjesit, kur ishte e pamundur që Alia të mbahej në jetë më gjatë.

PD- PS heshtin për Ramizin, Meta mesazh ngushëllimi
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë heshtur dje për ndarjen nga jeta të ish- presidentit Ramiz Alia. Selitë e dy forcave kryesore politike nuk kanë lëshuar asnjë deklaratë. Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shprehu ngushëllimet familjes së ish-presidentit Ramiz Alia për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre. “Ramiz Alia ishte një figurë e shquar e Luftës Antifashiste”, thuhet në ngushëllimin e Metës. Gjatë ditës së djeshme kreu i LSI-së ka qenë i pari politikan i lartë që ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Alisë. Ndërkohë që ka patur edhe një deklaratë nga MSH, që drejtohet nga një tjetër anëtar i LSI, Petrit Vasili.

Amaneti: Më varrosni pranë Semiramisit
“Më varrosni pranë Semiramisit”. Humbja e saj ka qenë brenga më e madhe e Ramiz Alisë prej një çerek shekulli, por edhe amaneti i fundit në shtratin e vdekjes. Në trupin e lodhur dhe të pamundur për ta lëvizur, mendja e ish-presidentit të parë pluralist në Shqipëri, ka qenë shumë e kthjellët. Duke parandier lamtumirën, ai u ka shprehur të afërmve dëshirën që trupi t’i prehet pranë bashkëshortes Semiramis, e cila ndërroi jetë në vitin 1985. Një dëshirë që pret për t’u përmbushur të dielën, ashtu si edhe mbledhjen e plotë të familjarëve. Gjatë ditës së djeshme, vetëm vajza Zana ka hapur dyert e mortit në shtëpinë e të ndjerit, por për rrethin më të ngushtë farefisnor. Për arsye pune, dy nga fëmijët e Ramiz Alisë, djali Arben dhe vajza Besa, kanë qenë prej vitesh të larguar jashtë Shqipërisë, përkatësisht në Francë dhe Suedi. Fatkeqësisht, lajmi i hidhur e ka gjetur Besën edhe më larg sesa Suedia, me shërbim në Argjentinë, ndaj pritet që të mbërrijë sot rreth mesditës, ndërsa Arbeni është kthyer mbrëmë në orët e vona. Sa i përket trupit, ai nuk është transportuar në shtëpi, edhe pse një makinë funerale qëndroi në dispozicion për disa orë aty.
Si ish-president i vendit, Ramiz Alia, do të përcillet për në banesën e fundit edhe nga autoritet shqiptare. Vendimi nr. 229, datë 23.4.2004 “Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë”, përcakton një ceremoni për ish-zyrtarin e lartë. Drejtori i Protokollit të Shtetit, Ermal Dredha, i kontaktuar nga gazeta “Panorama”, tha se të dielën do të bëhen homazhe për 60 minuta në Shtëpinë e Oficerëve. “Për ish-presidentin parashikohet edhe në protokoll një ceremoni, e cila vendoset në konsultim me familjen. Është vendosur që të dielën, në orën 10:00-11:00, të hapet Shtëpia e Ushtrisë për të zhvilluar homazhe në Shtëpinë e Oficerëve”, u shpreh drejtori i Protokollit. Burimet bëjnë të ditur se trupi i pajetë i ish-presidentit do të varroset në varrezat e Sharrës. Sipas vendimit në fuqi, ceremonia e homazheve organizohet (me lejen e familjes) në institucionin përkatës, ku vendoset arkivoli dhe hapet Libri i Ngushëllimeve. Në orën e caktuar, kortezhi i përmortshëm niset drejt varrezave, i eskortuar vetëm nga patrulla policore. “Kjo ceremoni nuk përmban bandë, truprojë nderi dhe të shtëna me armë. Në varreza marrin pjesë personalitete të larta të shtetit. Pas mbajtjes së përshëndetjes së fundit, arkivoli zbret në varr. Pjesëmarrësit qëndrojnë në heshtje deri në fund dhe, pasi përshëndeten me familjen, largohen”, thuhet në vendimin e ceremonialit zyrtar.

Besnikët
Pas lajmit të humbjes së Ramiz Alisë, në shtëpinë e të ndjerit nuk ka pasur ndonjë vizitë “surprizë”, sa u përket politikanëve shqiptarë. Më të pikëlluar duket se janë të njohurit e vjetër. Muharrem Ymeri dhe Ilo Kodra kanë qenë të parët nga miqtë që kanë vajtur në shtëpinë e të ndjerit Ramiz Alia, për ngushëllim. I pari, shoferi i tij që nga viti 1969 dhe i dyti, sekretari personal për gati 3 dekada. Si të tillë, ata flasin me shumë nostalgji për kohën që kanë punuar me Ramiz Alinë.

Pastruesja
Edhe pse shmanget dhe fshihet, duket se ajo e ka ndier shumë humbjen e Ramiz Alisë. Bëhet fjalë për gruan që i shërbente Ramiz Alisë, në katin e tretë të shtëpisë që ndodhet në kryqëzimin e rrugës “Emin Duraku” dhe “Gjin Bue Shpata”. Me dy fëmijë larg Shqipërisë dhe vajzën tjetër të martuar, Alia jetonte prej vitesh i vetëm, ndërsa për pastrimin e shtëpisë dhe gatimin kujdesej pikërisht kjo grua, që pas lajmit të vdekjes, i ka sytë me lot.

Familja Alia, krushqitë dhe fatkeqësitë
Është folur shumë për krushqitë në ish-Bllok dhe më pak e përmendura në gjithë këto vite, ka qenë bashkëshortja e Ramiz Alisë. Dhe më të drejtë. Semiramis Alia, ndryshe nga shumë gra të ish-udhëheqësve komunistë, nuk u mor me politikë, por punoi si pedagoge në Fakultetin e Shkencave. Si vajza e profesorit të njohur Aleksandër Xhuvani, u dallua shumë në qarqet intelektuale, por duke u larguar gjithnjë e më shumë nga vendimmarrja, edhe pse ia ofronin vazhdimisht. Ramizi dhe Semiramisi u njohën gjatë studimeve në Moskë dhe ai vazhdimisht ka folur me shumë dobësi për të, duke e përshkruar me shumë dashuri në librin biografik “Jeta ime”. Ajo vdiq në vitin 1985 nga një sëmundje e rëndë, vit në të cilin ndërroi jetë edhe nëna e Ramiz Alisë. Brenda vitit, dy fatkeqësi familjare… Nga martesa e Ramizit dhe Semiramisit lindën tre fëmijë. Dy vajza, Zanën, Besën, si dhe një djalë, Arbeni. Pas viteve 1990, Besa dhe Arbeni jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, në Francë dhe në Suedi, ndërsa vetëm Zana qëndroi në Shqipëri. Martesat e fëmijëve të Alisë janë bërë jashtë rrethit të njerëzve me pushtet, ndryshe nga ç’ndodhi gjatë sistemit komunist. Siç dihet, Enver Hoxha dhe Ramiz Alia u lidhën shumë politikisht pas një krushqie. Teuta, vajza e vëllait të Ramiz Alisë, është dhe nusja e djalit të Enver Hoxhës, Ilirit.

ELISABETA ILNICA/ ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura